Kurthet e shtetit qytetar

Shqiptarët në Maqedoni kanë filluar t’u afrohen partive maqedonase. Këta nuk janë të gjithë jugonostalgjikë, por thjesht njerëz të dëshpëruar dhe të zhgënjyer, janë edhe qytetarë të ndershëm, në kërkim të shpresës dhe shpëtimit. Me dështimin e tyre, partitë shqiptare kanë rënë në kurthet që sjell shteti unitar.

Shqiptarët në demostratat e opozitës në Maqedoni. Foto: Giovanni Vale / Shutterstock.com

Deri më tani vetëm përflitej. Ishte më shumë një si legjendë urbane. Se shqiptarët në Maqedoni kanë filluar t’u afrohen partive maqedonase. Kryekëput Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë. Sidomos pas kalimit demonstrativ të një gazetari relativisht të njohur shqiptar në këtë parti. Pas këtij gjesti, gjithsesi të guximshëm, thuhej se komuniteti i shqiptarëve, sidomos nga Shkupi, po i qaset me të madhe kësaj partie. Tani del që kjo është më se e vërtetë. Madje, janë më shumë sesa mendohet, dhe jo vetëm nga Skupi. Simpatitë më nuk janë latente, shqiptarët nga Tetova dhe gjetiu i kanë bartur ato edhe në rrjetet sociale; ata bëjnë fushatë për partitë maqedonase, jo vetëm në zonat shqiptare, por edhe në ato maqedonase. Përnjëmend!

Nuk ka dyshim që kjo atmosferë është një dasmë për nostalgjikët e sistemit të kaluar për kohën e krushqive me maqedonasit në dobi të standardit dhe sigurisë së tyre vetjake. Kjo fushatë është behar i një komuniteti të tërë të privilegjuarish për shërbimet e pandershme që i bënin sistemit, në kurriz të popullatës që i përkitnin. E thoshin edhe pas ndërrimit të sistemit: «Pa ndonjë shka nuk kryhet asnjë punë për ne». Dhe, fjalën «shka» e futnin që të lënë të kuptohej se ata nuk kishin ndonjë nderim për tjetrin, por se kjo ishte politikë. Nga kjo frymë ata do të ndihen të përligjur për flirtin e tyre. Si puna e atyre kuadrove komunistë shqiptarë që më pas amnistoheshin për përjashtimin e librave nga Shqipëria prej bibliotekave me atë se ato ishin të Enver Hoxhës dhe tani u pa çfarë ka bërë ai për qytetarët e vet. Ata demek i dinin të gjitha dhe janë prirë nga motive thellësisht morale.

Motorët e fushatës për zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni janë ndezur. Dhe, ky argument do të bëjë karrierë në diskursin e partive shqiptare të rrezikuara nga braktisja e elektoratit të tyre dhe vardisja atyre maqedonase. Fjala «tradhëtarë» do të shqiptohet fshehurazi dhe hapur. Ajo mund të bëhet kryefjala e ligjëratës së tyre. Por, me siguri, do të gjendet dikush që do t’i kujtojë ata në jugonostalgjikët dhe pinjollët e tyre në radhët e veta që nuk u perëndon ylli kurrë. Patjetër që dikush do t’i kujtojë ata në thirrjet e tyre për ta votuar filan kandidatin e partisë partnere maqedonase në vendbanimet shqiptare, kundër kandidatit shqiptar. S’ka se si të mos i kujtojë dikush në mobilizimin e elektoratit shqiptar për votimin e kryetarëve të Maqedonisë, Boris Trajkovski e Branko Cërvenkovski.

Partitë politike shqiptare do t’i nxjerrin vetë të palarat e tyre në këtë fushatë. Ato janë një maskaradë denoncimesh nga më të ndryshmet. Dhe, më e madhja, e cila peshon më shumë se këto të sipërmet, është që ata kanë dështuar ta avancojnë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Në radhë të parë, rritjen e mirëqenies dhe të sigurisë së kësaj popullate. Pa terma teorikë, të cilëve ata kanë paskrupullozitet t’u bishtërojnë, partitë shqiptare kanë dështuar t’i përmbushin premtimet e tyre të shkruara dhe të folura. Dhe, për këtë ato janë shumë të ndërgjegjshme. Prandaj, edhe i kanë relativizuar ato dhe janë përpjekur t’i imunizojnë dështimet me interpretime gjeopolitike, duke ia atribuuar faktorit ndërkombëtar dhe bindjes së ftesës së tij për qetësi, e cila u është shpërblyer gjithmonë. Ndonëse më shumë vetë politikanëve se popullatës së tyre.

Por, edhe kësaj radhe do të gjendet dikush, i cili megjithëse i rënë në kurthin e demagogjisë së tyre, do të identifikojë kundërthënie në këtë ligjëratë dhe do të pyesë: A ishte bashkësia ndërkombëtare ajo e cila urdhëron paltronazhin politik, që sapo të instalohet në qeveri partia shqiptare t’i ndërrojë nga rektori i universitetit deri te mësuesi i katundit më të thellë shqiptar dhe t’i zëvendësojë me njerëzit e vet? T’i mbushë katedrat me horra? A ishte bashkësia ndërkombëtare ajo që i detyron zyrtarët të mos e lëvizin asnjë nerv pa marrë ryshfet? A ishte bashkësia ndërkombëtare ajo që i afrodizoi politikanët tanë në gjahun pas hurit dhe ushkurit? Një katalog që nuk ka mbarim.

Në fund, pavarësisht luftës që nuk priste për shkak të dhunës, diskriminimit, shkeljes etj., shqiptarët luten të jenë të duruar, se të gjitha do të vijnë në vend me integrimet euroatlantike. Një kurth tjetër, që shtron prapë pyetje të tjera mohuese: Çfarë bënë partitë shqiptare në pushtet për integrimet veriatlantike? A e hoqën ata korrupsionin, a e vendosën shtetin ligjor, a e pavarësuan gjyqësorin, a e shtuan barazinë, procese këto që e kishin bllokuar integrimin? Apo e zgjidhën problemin e emrit me Greqinë? Përkundrazi! Për të mos qenë i padrejtë me partitë shqiptare, duhet thënë që të kundërtën e këtyre e bëri partneri maqedonas, shqiptarët vetëm heshtën, për të mos thënë se i mirëkuptuan të gjitha këto. Vetëm heshtën!

Dhe, pyetja kapitale: Përse duhej t’i votonin shqiptarët këta politikanë vetëm për performansën e heshtjes? Prandaj, edhe nuk i votonin. Ose i votonin gjithnjë e më pak. Pjesëmarrja në votime te shqiptarët në Maqedoni shkon nën 30 për qind. Por, edhe ata e gjetën zgjidhjen: Filluan të blejnë vota! Një sekret publik. Dhe, menduan se ua hodhën shqiptarëve, duke përfituar nga varfëria e tyre ku i kanë katandisur për t’ua blerë votën. Kapitalistët e mjerimit! Por gabuan, sepse i bënë hesapet pa hanxhinë. Sado idealiste të tingëllojë, popullit nuk mund t’ia hedhësh përgjithmonë. E ka thënë një politikan shumë i urtë.

Pa e zgjatur në mënyrë pedagogjike me pyetje, duhet konstatuar atë që të gjithë e dinë, se demontimi i sistemit të korrupsionit, të dhunës, të shpërfilljes, të agresionit, të autoritarizmit, të nacionalizmit etj., i atribuohet liderit të opozitës, Zoran Zaev. Sikurse po shfaqen gjërat, madje personalisht atij, e jo aq partisë që e drejton. Sigurisht ky proces është karakterizuar edhe nga asistimi dhe insistimi i bashkësisë ndërkombëtare. (Lideri shqiptar flet për disa forca të errëta të huaja, sikurse arsyetojnë tradicionalisht të dështuarit, me argumenta konspirative, duke menduar se opinionit mund t’i flasësh përjetësisht me kode dhe pa fakte). Nga kjo perspektivë, nuk habit fare emigracioni i elektoratit shqiptar te Zaevi. Dhe, nuk është aspak e pavërtetë se këta nuk janë të gjithë jugonostalgjikë, por thjesht njerëz të dëshpëruar dhe të zhgënjyer, edhe qytetarë të ndershëm, në kërkim të shpresës dhe shpëtimit. Nuk e thotë kot populli, zori të shpie në derë të hasmit.

Ka në këto zhvillime edhe një argument që nuk është për t’u shpërfillur, i cili nuk i autorizon partitë shqiptare të ngrihen kundër shqiptarëve që strehohen te partitë maqedonase. Me dështimin e tyre, ato rrezikojnë të bien në kurthet që sjell shteti unitar. Arratisja te Zaevi nuk është problematike vetëm për faktin që ai e ka thyer një premtim të madh ndaj shqiptarëve me moszbardhjen e përgjimeve për «Monstrën». Shqiptarët e kanë pranuar Maqedoninë si një shtet unitar, ose sikur thuhet, si shtet qytetar. Si shoqëri me liri orientimi politik qytetar dhe jo etnik. E kanë pranuar, jo vetëm sepse u detyruan ta nënshkruanin Marrëveshjen e Ohrit, që e afirmon këtë sistem. Ata e kanë promovuar vullnetarisht këtë atë në ligjërimin e tyre politik. Partia më e madhe shqiptare këtë e ka të sanksionuar edhe në emrin e saj, te theksimi i integrimit dhe abstragimi i cilësimit si shqiptare, apo etnike. Kjo lëvizje e popullatës shqiptare mund t’ua rrëmbejë atyre edhe fitoren më të madhe politike me Marrëveshjen e Ohrit, parimin e Badenterit, të shumicës së dyfishtë, si një garanci mbrojtjeje nga majorizimi. Sipas tij, për çështje që lidhen me pakicat, përveç shumicës së Parlamentit, nevojitet edhe shumica e pakicave. Nëse deputetët e pakicave, ku përfshihen edhe shqiptarët, shpërndahen nëpër subjekte të tjera dhe i binden disiplinës së një partie maqedonase, potencialisht kanë dështuar edhe kauzat e tyre.