Kureshtja e një asketi

Mik i njerëzve, shpëtimtar refugjatësh, humanist radikal. Në kujtim të Rupert Neudeckut, shpirti i të cilit mbeti më së shumti në Kosovë

Ai nuk dukej vetëm si asket, ai jetoi si asket. I veshur thjesht, me mjekër të bardhë, Rupert Neudecku të kujtonte marinarët mjekërbardhë të Hamburgut, të cilët gjatë gjithë vitit herë i rrah stuhia, herë i ngroh dielli mbi detin që ndrin si pasqyrë.



Ajo lehtësi me të cilën ecte. Si një lepur në një fushë me grurë. Si një bletë që çapitet nga kalliri në kalli. Ajo kaltërsi e pafundme në sytë e tij – një kaltërsi që sinjalizonte kureshtje të pambarim për botën dhe kërkonte të mirën te njeriu. Ai shikim i tij që s’tretej kurrë. Ai shikim i rreptë në humnerat e kësaj bote, aty ku të tjerët refuzonin të shikonin ose shikonin kur s’kishin rrugëdalje tjetër. Ai nuk dukej vetëm si asket, ai jetoi si asket. I veshur thjesht, me mjekër të bardhë, Rupert Neudecku të kujtonte marinarët mjekërbardhë të Hamburgut, të cilët gjatë gjithë vitit herë i rrah stuhia, herë i ngroh dielli mbi detin që ndrin si pasqyrë. Në vitet ‘60 ai hyri në Urdhrin e Jezuitëve dhe jetoi më ashpër se ç’parashihnin rregullat e asketizmit. Për pasojë gjendja e tij shëndetësore u keqësua. Ai ishte i ashpër jo vetëm ndaj vetes, por po aq edhe ndaj burokracisë së OKB-së, e cila, sipas tij, në vend se të ndihmonte refugjatët në vatrat e krizës më shumë merrej me «menaxhim» të vuajtjes, me «koncepte», «anketa», «projekte», «evoluime», «seminare».

«Leben», jetë!

Këto situata absurde Rupert Neudeckut ia kujtonin një bashkëkombës gjuhëbrisk, autorin Kurt Tucholsky. Duke iu referuar burokracisë gjermane ai kishte shkruar: «Kur dy gjermanë çajnë dru në oborr, tre të tjerë rrinë përreth dhe merren me administrim». Rupert Neudeckun e pengonte jo vetëm burokracia, por edhe indiferenca e qeverive, edhe atyre gjermane, ndaj krizave të mëdha të botës. Ai nuk ulte kokën, por përzihej në debate, ishte jo vetëm aktivist, por edhe gazetar, ekspert për sqarimin e konflikteve dhe luftëtar për lirinë e popujve. Jepte intervista, shkruante në gazeta, merrte pjesë në debate televizive, demaskonte ata që konfliktet e botës i shpjegonin pa braktisur kurrë redaksitë e ngrohta. Është një fotografi e vitit 1999: aty Neudeck shihet duke folur për Kosovën – me gishtin tregues lart – para pjesëmarrësve në Kongresin e CDU-së, partisë konservatore. Në prapavijë një fjalë: «Leben». Jetë!

Një jetë e kaluar si nomad prej vatrës së krizës në zonën e ardhshme të konfliktit, nga kampi i refugjatëve në shkolla për fëmijët e refugjatëve, nga deti, ku shpëtonte refugjatë vietnamezë me anijen e tij «Cap Anamur», te refugjatët në Mesdhe, nga Afrika në Azi, para së gjithash në Afganistan. Një jetë në shërbim të njerëzve.

Nga Kukësi në Kosovë

Prej të gjitha përjetimeve Kosova mbetet përjetimi më intensiv në jetën e Rupert Neudeckut. Prej saj s’hoqi dorë deri në fund të jetës, nga e cila u nda të martën në moshën 77-vjeçare. Foli kudo ku e shihte shansin për t’i ndihmuar vendit. Te kosovarët ai shihte evropianët e tij të dashur. Kjo vërehej sapo ulej në tavolinë, porosiste një çaj a një kafe dhe fillonte të rrëfente për atë fshat apo këtë qytezë, ku kishte takuar një djalë të ri që fliste mirë gjermanisht, një bujk që i kishte treguar për hallet e tij dhe varfërinë mbytëse, por i cili prapë s’ishte penduar se në verën e vitit 1999 ishte kthyer nga Kukësi në Kosovë, në vatrën e tij të bërë shkrumb e hi. Neudecku, jezuiti që hoqi zhgunin për t’u bërë punëtor humanitar, i adhuronte kosovarët edhe për një arsye tjetër: shumica e tyre kanë një raport normal me islamin, nuk e shohin fenë e tyre në konkurrencë agresive me fetë e tjera, të cilat nuk perceptohen si rrezik apo kërcënim. Të tillë i kishte njohur kosovarët gjatë dhe pas luftës Neudecku.

Çfarë i bënte përshtypje Neudeckut ishte lidhja e shqiptarit kosovar me tokën e tij. Duke i parë shqiptarët që gjatë luftës qëndronin sa më afër Kosovës, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni, në pritje të momentit për t’u kthyer, Neudeck kishte shkruar se asnjë qeveri e Kosovës nuk duhet të ketë frikë se do t’i ikin qytetarët, siç ka ndodhur me Qeverinë e Tiranës.

Në odat e Kosovës

Kur në vitet 2014/15 rreth 100 mijë shqiptarë ikën nga Kosova, kësaj radhe jo të përndjekur nga regjimi serb, por të frikësuar se për shkak të varfërisë nuk kanë ardhmëri në vendin e tyre, Neudeck u trondit. Pas një udhëtimi në Kosovë para një viti, ai shkroi: «Edhe një eksod i tillë nga Kosova dhe shteti i themeluar më 2008 nga bashkësia ndërkombëtare do të japë shpirt. (…) Edhe një eksod i tillë dhe Serbia nuk do të lëshojë rastin për të ndihmuar ushtarakisht në shpërbërjen e Kosovës». Në vitin 1999 Neudeck kishte shpresë se partitë politike të Kosovës do ta kuptonin shansin historik për të ndërtuar një shtet funksional. Në fillim të vitit 2015, ndërsa shtegtonte nëpër Kosovë dhe zhvillonte biseda të gjata nëpër oda, ai e kuptoi se Kosova nuk ka më parti të mëdha, por vetëm ndërmarrje politike për të mbajtur pushtetin – me çdo kusht. Ai e dinte se shumë qeveri të pasluftës nuk përfaqësonin vullnetin e popullit, por ishin rezultat i vjedhjes së votave, i lojërave politike, i ndërhyrjeve arbitrare nga zyrat ndërkombëtare. Për këtë lloj demokracie me fasadë dhe pa substancë, Rupert Neudeck s’kishte kurrfarë respekti. Përvoja e gjatë në vatrat e krizës e kishte bërë skeptik ndaj premtimeve të mëdha.

Ai ishte njeri praktik dhe i guximshëm. Ende pa u tharë boja në dokumentin e nënshkruar nga gjeneralët e NATO-s dhe të Serbisë në Kumanovë në fillim të qershorit 1999, ku rregulloheshin kushtet e kapitullimit të Beogradit në Kosovë, Rupert Neudeck u nis nga Kukësi me plot refugjatë, duke injoruar paralajmërimet me ton alarmi të organizatave të ndryshme humanitare, sidomos të OKB-së, se kthimi në Kosovë ishte i rrezikshëm: minat, municioni i pashpërthyer, mungesa e sigurisë dhe mundësive për strehim, mungesa e ushqimit, ujit.

Ai u kthye në Kosovën e çliruar, pa kaosin, etjen e shumë njerëzve me armë për t’u pasuruar dhe zaptuar çfarë u kapte syri, pa indiferencën, strukjen dhe ikjen nga përgjegjësia të «partisë së Rugovës» dhe u shqetësua për këtë. Por nuk u dorëzua. Ndërtoi 6 mijë shtëpi, i bëri me kulm mbi kokë 6 mijë familje, solli kamionë për të hequr bërllokun, ndihmoi në mënyra të ndryshme shumë individë – me lot gëzimi e me shpresë së Kosova ka ardhmëri.

Më shumë shkolla gjermane në Kosovë

Në fund të shkurtit 2015, kur eksodi nga Kosova arriti kulmin, Neudeck (bashkë me gazetarin Michael Martens) shkruan një shkrim në «Frankfurter Allgemeine Zeitung», ku prezantonin imazhin e zbehtë të Kosovës: një vend me popullsinë më të re në Evropë dhe me 70 për qind të papunë në mesin e të rinjve. Këta të rinj joshen nga «Shteti Islamik» dhe nga imamët radikalë, andaj, shkruanin autorët, në këtë garë duhet të futet Gjermania dhe të bëjë ofertë më të mirë për të rinjtë e Kosovës. Neudeck ishte i bindur se oferta perëndimore është më e mirë se stili i jetës i kohës së gurit, të cilin e rekomandon «Shteti Islamik». «Nuk ka shtet tjetër me shumicë myslimane, ku islami luan rol aq periferik sa në Kosovë. Në qendër të Prishtinës para disa vjetësh është ndërtuar një Katedrale katolike. Asnjë politikani udhëheqës në Kosovë nuk do t’i shkonte mendja të kërkojë aplikimin e sheriatit apo marrëzi të ngjashme. Ai që do ta bënte këtë, s’do të kishte shans në zgjedhje», nënvizohej në tekst.

Çfarë të bëhet me të rinjtë e Kosovës? Neudeck kërkonte sa më shumë shkolla gjermane në Kosovë, të ngjashme me gjimnazin Loyola në Prizren, i themeluar nga një jezuit – «diçka që s’mund të merret me mend në një shtet tjetër mysliman». Duhet të ketë, sipas tij, edhe dy shkolla të ngjashme në Prishtinë, një në Pejë dhe një në Mitrovicë (për fëmijë shqiptarë dhe serbë). «Nuk duhet harruar: shqiptarët janë popull i vogël, pas tyre nuk qëndron një Erdoan, i cili mbush sallat në Gjermani dhe përpiqet t’i nxisë masat kundër demokracisë sonë dhe kundër idesë së integrimit». Rrjedhimisht, mendonte Neudeck, Gjermania duhet të hapet ndaj emigrantëve ekonomikë nga Kosova, sepse bëhet fjalë për njerëz ambiciozë, të cilët duan të ngjiten në shkallët sociale.

Njëfarë kryetari i Prizrenit…

Rupert Neudeckut nuk arritën t’ia mjegllojnë mendjen, as nuk ia dolën ta mashtronin misionarët e pushtetit të «partisë më të madhe» kosovare. Për Neudeckun, i cili kishte një instinkt të shëndoshë politik, «partia më e madhe» ishte një grup politikanësh të shkathtë për të manipuluar zgjedhjet, për të lejuar që «qyteti i dytë për nga madhësia në Kosovë, Prizreni, të udhëhiqet nga njëfarë kryetari Ramadan Muja, i cili në mars 2014 me akuzë të EULEX-it ishte dënuar me dy vjet burg me kusht» dhe prapë vazhdon të qëndrojë në pushtet, thua se s’ka ndodhur asgjë. Neudeck e shihte «partinë më të madhe» si një makinë për të lavdëruar arën e nepotizmit, për akomodimin e «70 mijë njerëzve të vet në poste shtetërore dhe qeveritare».

Rupert Neudeck ishte një fanar moral. Ai u mbeti besnik fjalëve që ia kishte thënë filozofi francez Jean-Paul Sartre: «Duhet të jetosh për vete dhe për të tjerët» (nga intervista e Neudeckut me Sartrin në revistën «Merkur», 1979). Mbi të gjitha ai i qëndroi besnik etikës politike të Jean-Paul Sartre dhe shkrimtarit Albert Camus – mbi këtë temë Neudeck ka shkruar edhe punimin e doktoratës. «Vendi ynë do t’ia kthejë vetes madhështinë nëse si delikte më të rënda i ndëshkon mungesën e nderit dhe përgjegjësisë». Këto fjalë janë të Albert Camus – dhe Rupert Neudeck e kishte parasysh këtë porosi gjatë gjithë jetës. Ai e dinte çfarë kishte bërë nazizmi dhe me jetën e tij prej humanisti dha një dëshmi se ekziston një Gjermani tjetër, solidare dhe e respektuar në botë. Individë si Neudeck dhanë kontribut të jashtëzakonshëm që kur përmendet fjala Gjermani njerëzve të mos u kujtohet menjëherë Adolf Hitleri.

«Ndyrësi gazetareske»

Në fund edhe një detaj: Rupert Neudeck nuk ndërtoi vetëm pullaze në Kosovë, ai u përpoq me vrull në zemër të thotë të vërtetën për Kosovën dhe të luftojë propagandistët. Një ndër betejat më të mëdha mediale që ka zhvilluar (bashkë me gazetarin e «Frankfurter Allgemeine Zeitung» Matthias Rüb) ka qenë në vitin 2001 kundër dokumentarit «Filloi me një rrenë» të televizionit gjerman WDR. Autorët e dokumentarit u përpoqën me metoda tejet të dyshimta publicistike të «dëshmojnë» se ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Rudolf Scharping, kishte mashtruar opinionin mbi masakrat serbe në Kosovë dhe kështu kishte «kontrabanduar» intervenimet e NATO-s kundër Serbisë më 1999. Neudeck i tregoi opinionit gjerman se çfarë kishte parë me sytë e tij në Kosovë, çfarë i kishin thënë refugjatët në Kukës dhe gjetiu, çfarë kishte parë pas luftës. Ai pas shfaqjes së emisionit në WDR bëri një udhëtim nëpër Kosovë dhe mbajti konferencë për shtyp në Prishtinë, i informoi disa deputetë gjermanë dhe ish-ministrin e Punës, Nobert Blüm, të cilët kundërshtuan dokumentarin. Për këtë film që reviziononte historinë u diskutua edhe në Parlamentin gjerman, ndërsa në vitin 2002 atë si «dëshmi» e përdori edhe Slobodan Milosheviqi gjatë procesit gjyqësor kundër tij në Hagë. Filmi pretendonte se dëbimi i kosovarëve kishte filluar tek pasi NATO-ja nisi bombardimet. Kjo tezë çonte ujë në mullirin e vozhdit serb. Politikani i CDU-së Norbert Blüm e kishte quajtur dokumentarin një «ndyrësi gazetareske». (Ndonëse në moshë të shtyrë Blüm sivjet erdhi në fshatin Idomeni në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe kaloi disa net me refugjatët, të cilët prisnin në tenda që policia maqedonase t’i lejonte të vazhdonin rrugën drejt Evropës Perëndimore). Neudeck nuk ishte në Idomeni për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, por shpirti i tij është aty afër, në Kosovë.