Kur valët e detit sjellin shpresë për shqiptarët e dëshpëruar

Për shumë shqiptarë stacioni i fundit i mjerimit është porti i qytetit Dieppe në Francë. Rreth 150 njerëz nga Shqipëria dhe Kosova kanë krijuar këtu një kamp dhe çdo natë provojnë të largohen në drejtim të Anglisë, madje nganjëherë duke u futur nën kamionë. Këta janë shqiptarët e harruar nga mediat dhe qeveritë e tyre. «Bukën çdo natë e sjell Aliu», thotë njëri nga shqiptarët. Aliu është një afarist me origjinë turke që jeton në këtë qytet dhe është aktivist i një grupi bamirës të qytetit. Një reportazh nga Dieppe për dialogplus.

Pamje nga Dieppe, Francë. Foto: Shutterstock

Newhaven është një qytezë e vogël që gjendet në bregdetin e pjesës jugore të Anglisë dhe ka diku rreth 12 mijë banorë. Kur Britania e Madhe ishte Perandori, kjo qytezë ka qenë e rëndësishme. Newhaven mund të merret si një shembull i mirë që ilustron rënien e Perandorisë britanike. Sot, ky vend i vogël gjallëron nën një qetësi që do t’ia kishte lakmi Londra. Megjithatë, qetësia për qytete nuk është gjithmonë shenjë e mirë. «Newhaven është vend i vdekur», thotë një burrë duke u shëtitur me gruan e tij e cila mban një qen përdore. Gruaja, me një lëvizje pohuese të kokës, e vërteton  thënien e burrit të saj. «Këtu nuk ka as refugjatë», thotë ajo. «Sikur të kishte, kjo do të ishte një shenjë që do të tregonte se ka punë», është mendimi i burrit të saj.

Newhaven varet shumë nga porti detar, i cili duket se nuk është sanuar që nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar. Nga ky port, brenda një dite, nisen për në Francë dhe kthehen nga atje tri anije të mëdha. Matanë detit, pas tri orë udhëtimi, anijet ankorohen në Dieppe, një port që, krahasuar me atë në Calais, është i vogël. Megjithatë, Dieppe është një qytet elegant dhe së paku tri herë më i madh se Newhaven, i cili gjendet përballë, matanë detit.

Dieppe ka hyrë në histori si qytet i rëndësishëm. Në vitin 1066 nga këtu është nisur Uliem Pushtuesi ose «William the Conqueror», siç e njohin anglezët prijësin e normandëve, për ta mposhtur ushtrinë angleze në Hastings dhe pastaj për të vënë tërë Anglinë nën sundim të tij. Së voni, në Angli, Dieppe është popullarizuar sërish. Nga ky qytet, pas 10 shekujve, Anglisë përsëri i kërcënohet një «invazion«» i ri. Kësaj radhe, sipas tabloideve anlgeze, «invaduesit» janë shqiptarët.

Jo larg rrethojave të portit të Dieppe, diku rreth 150 shqiptarë, kanë krijuar një kamp ku kanë vendosur tendat dhe nga aty çdo natë provojnë të largohen në drejtim të Anglisë. Tabloidet britanike e kanë vizituar kampin dhe kanë botuar shkrime dhe fotografi për ta ushqyer propagandën anti-Europë para referendumit që u mbajtë ditë më parë. Siç u pa, kjo propagandë pati sukses.

Kampi ka zënë fill para disa muajve nga refugjatët që u detyruan të largohen pas intervenimit të policisë franceze për përzënien e refugjatëve të shumtë nga kampi i portit Calais. Kampi është vendi që tërheqë ata që nuk kanë para. Ata që kanë, nuk lajmërohen aty pasi që me një shumë prej 7000 apo 8000 euro gjejnë mundësi të udhëtimit dhe hyrjes komode në Angli. Në kamp jetohet në kushte të vështira. Gjatë fillimit të qershorit, në mënyrë që të përmirësohen kushtet, shoqata e njohur bëmirëse Médecins Sans Frontières ka sjellë 17 tenda të reja, dyshekë dhe shtrojë e mbulojë themelore. Megjithatë, kampi mbetet pa asnjë kusht sanitar pasi që mungojnë tualetet dhe vendet për pastrim.

Kryetari i komunës së Dieppe është Yvon Lapierre i cili në këtë post është zgjedhur vitin e kaluar dhe vjen nga rradhët e grupeve komuniste. Lapierre nuk ka treguar asnjë fije solidariteti ndaj këtyre njerëzve që kanë nevojë për ndihmë. Madje, ai ka konsideruar se këta njerëz janë duke i dhënë pamje të rëndë qytetit dhe u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të  mos u ofrojnë asnjë ndihmë. Disa pronarë të kafeneve, restauranteve dhe lokaleve tjera i janë përgjigjur thirrjes së kryetarit të tyre komunist dhe ua kanë ndaluar hyrjen shqiptarëve në lokalet e tyre. Megjithatë, në shumicën e lokaleve, këta shqiptarë janë të mirëseardhur.

«Quai Henri IV» është ndër rrugët kryesore dhe dominohet nga lokalet e shumta elegante nga ku shihet deti që fillon matanë trotuarit të gjërë që shërben edhe si shëtitore. Nën strehën e njërit nga këto lokale një grup i shqiptarëve, diku rreth 10 veta, kanë zënë vend afër televizorit. Televizori duket se është vënë aty ditëve të fundit për të tërhequr dashamirët e futbollit që kanë dëshirë të përcjellin ndeshjet e «Euro2016».

Është ditë e shtunë e 11 qershorit, disa minuta pas orës 3. Ndeshja Shqipër- Zvicër sapo ka filluar. Grupi i shikuesve shqiptarë duket sikur dëshiron të ngjitet për televizori të cilit i ofrohen sa herë që ekipi «Kuq e zi» ka raste shënimi. Veprojnë sikur të gjithë simpatisuesit e një ekipi të futbollit kudo në botë. Shpresojnë, ngritin zërin, heshtin, ofshajnë, ndezin dhe fikin cigaret me shpejtësi. Në fund, largohen të dëshpruar duke e komentuar lojën dhe rezultatin e pavolitshëm.

Grupi që përkrahë kombëtaren e saj nga Dieppe është i veçantë. Dallon shumë nga mijëra përkrahësit e tjerë që janë mbledhur në Lens, diku rreth 200 kilometra larg nga Dieppe. Në Dieppe janë mbledhur shqiptarët që nuk i do Franca e as vendi i tyre – Shqipëria dhe Kosova. Këta janë shqiptarët e harruar nga mediat dhe qeveritë e tyre. Ditët e qershorit në Francë i kalojnë nën hijen Kampionatit Europian të futbollit. Ata ecin rrugëve të Dieppe nën vëzhgimin e shikimeve urrejtëse, keqardhëse, kurreshtare dhe indiferente të vendasve. Janë njerëz të padëshiruar dhe këtë e kanë të qartë edhe ata vetë. Prandaj, dëshirojnë të largohen nga aty sa më shpejtë për në Angli ku mendojnë dhe shpresojnë për një ardhmëri më të mirë.

Gjatë ditës, në grupe por edhe individualisht, marrin rrugën në drejtim të stacionit të trenit. Afër stacionit është një ndërtesë e vjetër që dikur ka qenë banjë publike. Me iniciativën e Anette, një gruaje fisnike në moshë të shtyrë, kjo banjë është kthyer sërish në përdorim për «shqiptarët e kampit të refugjatëve», siç i quajnë vendasit. Aty «refugjatët» lahen, rruhen dhe veshin rroba të pastra të cilat ua siguron çdo ditë Anette.

«Quai de la Marne» është një lloj shetitore dhe parking veturash që gjendet në mes të bregut të detit dhe rrugës që vjen nga qendra e qytetit për të vazhduar në drejtim të portit. Në mbrëmje aty mblidhen shqiptarët për darkë. «Bukën çdo natë e sjell Aliu», thotë njëri nga shqiptarët. Aliu është një afarist me origjinë turke që jeton në këtë qytet dhe është aktivist i një grupi bamirës të qytetit. Ai vjen në kohë të iftarit me një «Land Rover» i cili shkëlqen dhe duket që sapo ka dalë nga prodhimi. Pas tij vijnë disa vetura të tjera të mbushura me ushqime. Disa gra dhe vajza të reja fillojnë ta shpërndajnë darkën. Gratë janë vullnetare të shoqatës bamirëse dhe ndjehen të turpëruara për qëndrimin e kryetarit të qytetit të tyre. Kur vjen koha e darkës, shqiptarët i afrohen murit që ngritet nga deti dhe që shërben edhe si rrethojë. Mbi 100 veta ulen mbi murin e gjërë dhe presin darkën me shpinë të kthyer nga ndërtesa e komunës që gjendet matanë kanalit, ku janë zyret e kryetarit Lapierre. Gratë dhe vajzat e reja franceze fillojnë t’ju shërbejnë shqiptarëve me një respekt sikur të ishin mysafirë të veçantë. Menyja e darkës së asaj nate është: kus-kus me perime dhe mish të pulës.

Darka vazhdon në një atmosferë shoqërore. Të gjithë janë të disponuar. Duket sikur që është duke darkuar një familje e madhe që dikur ka gjallëruar ndër shqiptarët. Darka është edhe momenti kur të gjithë bashkohen në një vend dhe ndërrojnë llafe. Të gjithë dëshirojnë të flasin për arsyen që gjenden në Dieppe. Por askush nuk pranon të flas me emër të vërtetë ose të fotografohet. Shumica janë të moshës 18 deri 25 vjeçare dhe ndjehen të turpëruar nga gjendja në të cilën kanë rënë pa fajin e tyre. E kanë lëshuar vendin e tyre pasi që nuk kanë punë dhe nuk dëshirojnë të jetojnë në varfëri. Kjo është arsyeja që për qeveritë e tyre ata kanë vetëm fjalë mallkimi dhe sharje.

Të gjithë janë të veshur bukur pasi që shpresojnë se çdo natë është rasti i tyre për të udhëtuar. Prandaj, dëshirojnë të duken mirë për udhëtimin i cili duket se nuk u vjen kurrë. Shumica e tyre, në lajthitje, kanë krijuar bindjen për Anglinë si një vend ideal. Janë të pavetëdijshëm për faktin që Anglia fare lehtë i shëndërron emigrantë të dështuar ose punëtorë të varfër që i shohim në realitet dhe që i gjejmë të përshkruar nga George Orwell në «Road to Wigan Pier». Disa e kanë shijuar «kënaqësinë» e Anglisë dhe dëshirojnë të kthehen sërish përkundër faktit se njëherë janë deportuar për shkak se janë zënë duke kryer krime të vogla ose duke punuar ilegalisht.

Pas darkës të gjithë i drejtojnë sytë nga deti. Është koha kur valët e detit sjellin shpresë. Reth orës 10 nga Anglia vjen anija «Seven Sisters» (Shtatë motrat), e cila kthehet për në Newhaven në mesnatë. Kur bie terri, të gjithë, në grupe ose individualisht, i afrohen portit si diversantë të stërvitur dhe fillojnë të provojnë për të hyrë brenda. Pastaj, mundohen të fshihen nën kamionat e ngarkuar me mallëra që presin për të hyrë në anije. Nëse ia dalin që të mos zbulohen, janë të lumtur pasi që ekziston mundësia e shkuarjes në Angli. Vargu i tyre të çon në një gyrëthyes dhe klasifikues rëre nga oborri i së cilës tentojnë ta kalojnë rrethojën e portit që është më e lartë se 3 metra. Para disa netësh, në pjesën e epërme të rrethojës i kanë larguar telat e mprehtë. Kjo nuk është punë pa rrezik. Në duart dhe trupin e shumë prej tyre shihen shenjat nga prerja në tehun e mprehtë brisk të telave. Një natë më parë njëri e ka thyer këmbën pasi që nuk ka arritur të mbahet për teli kur është lëshuar në tokë.

Megjithatë, të gjithë e kalojnë rrethojën, punë të cilën e kanë bërë qindra herë. Brenda i presin rojet e portit me dy-tre qenë që i mbajnë përdore për të penguar hyrjen ilegale në hapësirat e portit. I kapin «ilegalët» dhe në grupe i nxjerrin jashtë nga një derë e vogël afër hyrjes kryesore të portit. Ata ktehen sërish për të hyrë brenda por kapen përsëri. Rojet nuk përdorin dhunë ndonëse bërtasin shumë duke vrapuar pas «ilegalëve». Qeshin dhe bisedojnë me «ilegalët» që i kapin ose u bërtasin në shenjë vërejtjeje që të mos hyjnë më brenda, por nuk i dëgjon kush. Kjo rutinë përsëritet disa herë dhe vazhdon deri sa të kryhet ngarkimi i anijes me kamionë. Skena e krijuar në platonë e portit dhe rreth kamionëve të parkuar, që ka protagonistë dy grupe, i përngjanë lojës së fëmijëve «kapi maca miun». Duket se kështu të dy palët e kalojnë natën më lehtë.

Atë natë askush nuk pati fat. Një javë më parë 5 veta kanë arritur të largohen në këtë mënyrë. Kjo është mestarja e numrit të atyre që ia dalin të shkojnë në Angli brenda një jave. Kur mbyllen dyert e anijes ata largohen në drejtim të kampit me hapa të rëndë dhe pa lëshuar asnjë zë. Të kërrysur nga dëshprimi ata ecin si hije që përngjajnë në personazhet e romanit «Të mjerët» të Victor Hugos. Janë të shpronësuar, të injoruar, të padëshiruar, por të pamposhtur. Tëhiqen për t’u barrikaduar pas tendave ku planifikojnë «sulmin» për natën e ardshme.

Në mes të tendave kanë ndezur një zjarr të cilin nuk e shuajnë asnjehërë. Zjarri i vazhdueshëm përngjanë në shpresën e tyre që nuk fiket. Flaka e zjarrit u bënë dritë gjatë natës dhe ju shërben për zierje ose pjekje të ushqimit e disave edhe për terje të veshëmbathjeve që i kanë larë në det. Dikur vonë, të molisur hyjnë në tendat e tyre për të fjetur, për t’u lutur dhe për të ëndërruar që sa më shpejt të largohen nga ky vend.

Të nesërmen zgjohen vonë. Nën ushtimën e valëve të detit dhe klithmës së pulëbardhave përsërisin rutinën e ditës së djeshme. Shpresojnë se mbrëmja e ardhshme u sjell fat. Por, fati duket se i ka harruar këta njerëz.

(Ky reportazh u shkrua pas një hulumtimi për ITV)