Kur të jesh mërzitur shumë

Foto: Olena Z / shutterstock



Këtu s‘ do të jem, do jem larguar;
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do me shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do të rrije i heshtur
Një qiparis si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh ateherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe, kur në xham të fryje erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do të jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas nje rrëkeje.