«Kur të çlirohet Kosova unë do t’ua kthej paratë nga xhepi im»

Një letër e Hasan Prishtinës nga vjeshta e vitit 1914 dërguar autoriteteve austriake, ku ai i informonte ato për financat dhe shpërndarjen e tyre para se të fillonte kryengritja kundër serbëve pushtues.

Përmendorja e Hasan Prishtinës para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.



«Letër private e Hasan Bej Prishtinës.

Deri më tani nga ju kam marrë 650 napolona, njëherë nga zoti kolonel kam marrë 100 napolona, njëherë tjetër për të birin e Riza Beut 10 napolona dhe në fund mora edhe 20 napolona, pra gjithsejtë 130 napolona. Kur zoti prokuror erdhi në Lumë, ai më kishte premtuar se do të më jepte 700 franga. Unë i pata thënë se, po qe nevoja, do t’i merrja. Nëse s’kam nevojë për to, nuk dua t’i marrë. Shuma që kam marrë deri më tani është 780 napolona. Prej tyre rreth 30 ia kam dhënë Halim Beut; 30 napolona ia dhashë Selim Agës; rreth 40 napolona kajmekamit të Lumës; 40 napolona Kjasim (Qazim) Likës; më shumë se 50 napolona ua dhashë për 4 kuaj njerëzve, të cilët kishin transportuar sendet. Gjithsejtë bëjnë 290 napolona. Përveç kësaj mirditorëve për transport ua kam dhënë disave 10, disave 5, disa 2 napolona dhe kështu i kam harxhuar të gjitha paratë; përndryshe kanë mbetur edhe 60-70 lira turke borxh. Po ashtu sjellësit të letrës Ali Efendiut ia kam borxh 30 lira dhe 19 napolona. Që ta them të vërtetën unë nuk pata guxim të kërkojë para prej jush, pasi që ende nuk ka ndodhur asgjë. Çka të bëjmë, në aksione kaq të mëdha lehtë mund të ketë vështirësi. Unë edhe dikur më herët pata thënë se të gjitha këto para duhet të kthehen; sepse e tëra po shkon në llogari të Shqipërisë. Kur të çlirohet Kosova unë do t’ua kthej paratë nga xhepi im, nëse askush tjetër nuk ua jep. Kajmekami i Lumës sërish ka kërkuar para, ai ka të drejtë, sepse i ka 180 xhandarë. Esadi i ka ftuar që t’ua paguajë këto shuma, që ende nuk janë paguar; por ata nuk shkuan te ai. Sidoqoftë, tash ne duhet t’ua japim këto para. Pasi u angazhova në këtë çështje, nuk do të heq dorë, edhe nëse ju nuk më dërgoni para. Sepse këtë çështje e konsideroj obligim patriotik dhe punë nderi. Ju e dini që unë nuk jam lakmitar i parasë; por nëse dërgoni para, atëherë ju lutem jo 100-200, por një shumë të madhe përkatëse dhe si kredi. Përgjigjen që ia kam dërguar Ahmet Beut po ua dërgoj juve përmes Ali Efendiut.

Po ashtu i kam premtuar Ahmet Beut se sapo të hyjmë në Prizren do t’ia jap 750 napolona, në mënyrë që ai t’ua shpërndaj krerëve të tij; natyrisht këto para do t’i paguajë populli.

Këtë të premte do të takohem me Ahmet Beun në Liaz(?); nëse ai është i pajtimit, atëherë ne e kemi ndërmend që të hënë t’ia nisim luftës kundër serbëve.

Burimi: Arkivi Shtetëror i Austrisë
Përktheu nga gjermanishtja: Enver ROBELLI
Copyright për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus. Ndalohet botimi nga çdo medium tjetër.