Kur ta lexoni këtë titull…



Prej kohësh autorët po ankohen për rënien e lexueshmërisë. Para së gjithash, ka rënë leximi i librave dhe revistave, por edhe i gazetave të shtypura. Dhe, si një prej arsyeve për shpjegimin e këtij trendi përmendet edhe interneti. Sikur njerëzit janë të lumtur me ofertën e portaleve dhe nuk kanë mjaft prej tyre.

Kjo mbase qëndron për shoqëri të tjera. Por, nuk të krijojnë të njëjtën përshtypje edhe portalet shqiptare. Para së gjithash, kur i sheh se ato, varësisht nga blloku qeveritar apo opzitar, përtypin të njëjtat raporte. Sidomos kur i sheh se ato e kanë fiks të njëjtin ndërtim: politikë dhe erotikë. Për të mos thënë pornografi. Ato, sipas të gjitha gjasave, nëpërmjet këtij këndi, që është një kënd i gjerë, e financojnë pjesën politike. Me një fjalë, kështu e financojnë ekzistencën e tyre. Një lloj prostitucioni.

Dhe, sado skandaloze, sado fantastike, sado…, nuk duket se edhe ky bllok zgjon vazhdimisht ndonjë interes të madh. Punëtorët e këtyre rubrikave mobilizojnë gjithë dinakërinë e tyre, gjithë imoralitetin për t’i joshur lexuesit. Shihni titujt e kësaj rubrike, ata nuk janë intrigues, nuk janë kreativë; janë ndjellës, joshës, vardisës: «Ja me se merret filanja», «Ja çfarë ndodh nëse…», «Kur ta lexoni, nuk do ta besoni», «Do të përloteni kur ta lexoni», «Pasi ta lexoni…», «…përgjigjja do t’ju lërë pa mend», «Arsyeja do t’ju habisë», «..do të ngelni pa gjumë»… Vërtitje të të njëjtave fjalë. Antigazetari. Po si mos të të vardisen, aty shpeshherë flitet për recetën e shërimit të kancerit në afat ditësh?! Aty në tre rreshta janë zbuluar sekretet e të gjitha kauzaliteteve! Fyerje e lexuesit. Poshtërsi.

Më keq se puna e atyre dyqaneve që njihen sidomos nëpër stacionet e pushimit nëpër autostradat italiane, për të cilat shkruan Umberto Eco, të cilat janë konstruktuar asisoj që të duhet ta përshkosh gjithë lokalin për të dalë jashtë. Që ta njohësh gjithë ofertën e tyre. Që të blesh patjetër diçka.

Paramendoni sa lexohen portalet, kur lexuesin duhet ta tërheqin për xhakete, akoma më keq: për hunde. Dhe, ky është blloku më i frekuentuar i portaleve. Kur jemi te kjo rubrikë, te shou-bizi, te yjet, t’i shpenzojmë nja dy-tri fjalë sesa të mjerë janë ata që serviren si ajka e shoqërisë, jeta e të cilëve qenkësh kulmi i lumturisë. Këto yje janë njerëzit më të dështuar, më të mërzitur. Atyre s’u pëlqen as fytyra e tyre, prandaj bëjnë gjithë ato operacione plastike sa nuk e njohin veten e vet. Nuk u pëlqen trupi që kanë, as i shëndoshë, as i hollë. Nuk u pëlqen vetja e tyre. Përse t’u pëlqejnë të tjerëve këto vajza e djem, gra e burra që njëri-tjetrin dhe të tjerët i quajnë femra dhe meshkuj, sepse mendësia e tyre operon vetëm me kategori bilogjike?

Portalet thonë megjithatë se kanë kaq e aq klikime. I gëzofshin ato klikime! T’i kujtojmë se edhe çingiet më të regjura të muzikës e kanë tifozerinë më të madhe. E kanë pasur gjithmonë. Po askush s’i ka mbajtur gjatë në mend. Fytyrën si këngët e tyre. Aq më pak tani nga shfytyrimet e operacioneve plastike. Gjithsesi nuk i kujton askush për të mirë. Me nderim. Ato nuk janë yje, që i sheh me shekuj, me mijëvjeçarë e përjetë në të njëjtin kënd. Që ta ndriçojnë natën dhe ta rrëfejnë rrugën. Por janë re, tani atje, pastaj këtu, mandej tëhu e askund. E shumta të sjellin një rrebesh dhe s’mbeten, shpartallohen e treten në qiellin e pafund. As nam, as nishan. Po u rreke të orientohesh pas reve, je i humbur. Sot e mot. Ky është shërbimi që të ofrojnë portalet shqiptare.

Dikur, jo shumë larg, ankoheshin se publiku e ka braktisur teatrin. Derisa dikujt iu kujtua se nuk ka shfaqje që zgjon interesimin e publikut. Ishte një shpjegim, pa pretenduar se e ka ezauruar fenomenin. E njëjta, ndoshta në një masë, vlen edhe për leximin. Janë arratisur lexuesit dhe po kërkojnë vlera. Ata kanë edhe nevojën e kritikës që mungon. Në mjerimin ku është katandisur shoqëria shqiptare, nuk çudit që njerëzit as nuk e kanë përqëndrimin e duhur për të lexuar. Ata shpeshherë kanë probleme ekzistenciale. Nuk kanë lekë as për librat e shkollës së fëmijëve, e bibliotekat shihen si një luks.

Edhe njëherë për artikujt mashtrues. Si të sillemi me ta? Umberto Eco apelon që produktet që të imponohen, si ato përmes reklamava në televizion, të cilat ta prishin kënaqësinë e një skene filmi, të bojkotohen. Kur të të duhet bli një tjetër, vetëm atë jo. Për inat! Edhe këta artikuj që të vardisen, mos i hapni fare. Nëse të shfaqen në kronikën e rrjeteve sociale ku frekuenton, bëj mbase një «dislike», zgjidh ikonën e vajtimit, por pa i lexuar, sepse ata vajmedet janë.