Kur shqiptari Sami Osmakaç planifikonte sulme ndaj homoseksualëve në SHBA

Derisa në SHBA po zhvillohen debate mes politikanësh nëse motivet e Omar Mir Seddique Mateen për të kryer vrasje të shumëfishtë në klubin e natës «Pulse» në Orlando, Florida, ishin të bazuara në ekstremizmin islamik apo në urrejtjen ndaj homoseksualëve, të dy motivet duken të sjellin në kujtesë një rast të ngjashëm të zbuluar nga FBI katër vjet më parë në Tampa, Florida.

Shtatorin e vitit 2011, FBI-ja kishte pranuar një informatë se Sami Osmakaç, një qytetar amerikan i natyralizuar i cili kishte lindur në Kosovë, po planifikonte sulme të dhunshme në zonën Tampa. Asokohe ekstremisti mysliman i radikalizuar 25-vjeç ishte takuar me një punonjës sekret të FBI-së për të diskutuar blerjen e një arme AK-47, armë të tjera Uzi, karikatorë të mëdhenj, granata e rripa me eksplozivë.

Osmakaç ia përshkruante agjentit të FBI-së planet e tij për sulm duke deklaruar se dëshironte të rezervonte një dhomë hoteli. Më pas të parkonte veturën me një bombë në të jashtë «MacDinton’s», një klub irlandez në zonën South Howard të Tampas të cilën ai e konsideronte «terren i zakonshëm i mëkatarëve dhe homoseksualëve», raportonte «Tampa Bay Times».

Osmakaç planifikonte më pas të largohej nga zona; të shpërthente veturën bombë dhe t’i merrte armët e eksplozivët nga dhoma e hotelit për të marr pengje në Seminole Hard Rock Hotel & Casino. Osmakaç në fund planifikonte ta hidhte veten në erë me një rrip vetëvrasës pasi të rrethohej nga policia.

Osmakaç u arrestua më 2012 dhe u dënua me 40 vjet burgim për tentim të shfrytëzimit të armëve të shkatërrimit në masë dhe përdorim të armës së paregjistruar.

Gjatë seancës ku ai u shpall fajtor, gjykata tha: «… i dyshuari synonte një sulm jashtëzakonisht shumë të dhunshëm në këtë rast, dhe në shumë raste ka shfaqur dëshirë të madhe për ta kryer atë. Tutje, i pandehuri ka përmendur disa caqe tjera dhe plane që dëshironte t’i realizonte, përfshi edhe persona tjerë. , thoshte ai».