«Kur shqiptarët janë në pushime, Zvicra më duket e zbrazur»

Prej mbi 20 vitesh Roland Wiprechtiger merret me shqiptarët. I njohu rastësisht, tani nuk mundet pa ta. Ai ka ide për bashkëjetesën në Zvicër dhe se si duhet parë njëri-tjetrin.




z. Wiprächtiger, si dhe kur erdhi te kontakti juaj i parë me kulturën shqiptare?

Rastësisht e zura Radio Shkupin, ishte kënga «Musa i vogël» nga Gonxhe Manaku. Isha shumë i prekur. U mrekullova aq shumë, sa më dolën lotë. U zhyta në mendime dhe kisha dëshirën t’i njihja trevat shqiptare, pa e ditur se ku gjindeshin ato. Mendova se vendi ku ishin krijuar ato këngë duhej të ishte magjik. As nuk e dija që ajo këngë ishte shqip. E morra vesh më pastaj. Ajo muzikë u bë vendimtare që unë të interesohesha për Ballkanin. Atëherë mendova se ai që ka një muzikë kaq të bukur dhe të pikëlluar, duhet të jetë shumë i përvuajtur. Ato këngë më bënë të mejtoja: Çfarë duhet të kenë hequr këta njerëz që kanë një muzikë kaq të zymtë? Më pas u interesova për atë rajon dhe ato male. Ishte një ndjenjë shumë e mirë. E kisha shumë të qartë që një ditë do t’i vizitoja ato vise. Atëherë, më 1982-shin, e njoha një shqiptar nga Kosova, me të cilin ende sot jemi miq të ngushtë. Kurse ato këngë i ndëgjoj me ëndje edhe sot e kësaj dite.

Në në atë kohë filluat ta mësoni gjuhën shqipe?

Nga fillimi i viteve të ’90-ta kisha një mësuese private të gjuhës shqipe, por jo gjatë kohë. Miku im më fliste në dialektin e Kosovës, dhe për mua nuk ishte aspak e thjeshtë ta kuptoja se çfarë thoshte. Shqipja ime e ka marrë veten viteve të fundit. Ndërkohë atë e kuptoj dhe e lexoj fort mirë. Unë lexoj rregullisht në shqip. Duke qenë se jam interesuar për gjuhën dhe kulturën shqiptare, kam takuar vazhdimisht shqiptarë dhe kam mësuar gjithnjë e më shumë për fatin e tyre.

Nga fillimi i të ’80-tave në Zvicër erdhën shumë të përndjekur politik shqiptarë nga Kosova dhe vise të tjera të ish Jugosllavisë. Kjo bëri që të njihesha gjithnjë e më tepër me historinë e tyre. Gjendja politike ka lënë gjurmë te shumë shqiptarë në Zvicër. Në profesionin tim si avokat dhe më pas si gjykatës kantonal kam mundur të informohem akoma më mirë për këtë rreth kulturor.

Tani i shijoj edhe takimet me shqiptarët e rinj. Ata nuk e kanë përjetuar historinë e dhimbshme të prindërve të tyre, si burgun dhe luftën. Kjo edhe e bën më të lehtë komunikimin me ata. Ata janë më realistë. Realisht edhe ata janë të lidhur me vendlindjen, por janë ndoshta diçka më të hapur kundrejt të tjerëve. Jam shumë me fat që kam shoqëri me kësi njerëzish.

Shqiptarët kanë emër të keq në Zvicër. Cili është komenti juaj për këtë?

Unë jam i bindur që pas dhjetë a njëzet vitesh nuk do të flitet më kështu për shqiptarët. Mua më kujtohet që në fillim kështu klishesh dëgjoheshin për italianët, pastaj për tamilët – tani janë shqiptarët, për të cilët flitet në këtë mënyrë. Edhe shtypi ka ndryshuar një çik në krahasim me përpara. Ai është më thumbues. Në televizion dhe gazetat bulevardeske dhuna luan në përgjithësi një rol të madh. Për mua është dritëshkurtër ta kualifikosh një grup të tërë etnik si të dhunshëm, sikurse po bëhet momentalisht me shqiptarët.

Çfarë kanë të përbashkët zviceranët dhe shqiptarët?

Mes shqiptarëve dhe zviceranëve unë shoh shumë të përbashkëta. Sikurse zviceranët më parë, shumë shqiptarë janë rritur në vende malore dhe pjesërisht kanë përjetuar një socializacion të ngjashëm.

Çfarë duhet të dinë zviceranët për emigrantët dhe anasjelltas?

Zvicëranët duhet të mësojnë ta çmojnë hisen e të huajve, sepse ata kanë dhënë një kontribut të madh për atë që në Zvicër është kaq mirë. Emigrantët vijnë nga vende të ndryshme dhe iu duhet një kohë deri sa të mësojnë të gjinden në Zvicër. Ata duhet të mësojnë që zviceranë kanë një lloj raporti të distancuar me të huajt. Zviceranët janë të tërhequr kundrejt tjetrit si i tillë, jo vetëm ndaj emigrantëve.

Si mund t’u ndihmohet emigrantëve të integrohen më mirë në Zvicër?

Shoqëria duhet të tregojë më shumë akceptancë për emigrantët. Shumica e zviceranëve edhe sot e kësaj dite emigrantët i sheh si pjesë të vendit. Emigrantët duhet ta kenë të drejtën e votës dhe jetën e tyre ta ndërtojnë këtu. Por dëshiroj të jem realist, sepse kjo nuk arrihet aq lehtë. Nga historia e dimë që ne aq vonë e kemi futur të drejtën e votës për gratë. Ishte një rrugë e gjatë. Edhe për të drejtën e votës për emigrantët do të duhet kohë.

Si mund të integrohen shqiptarët më mirë në Zvicër?

Shkollim, shkollim, shkollim. Nuk mund ta përsëris mjaftueshëm. Prindërit duhet t’i përkrahin fëmijët e tyre më shumë në shkollë. Me kohë do të ketë gjithmonë e më shumë shqiptarë në pozita të mira – avokatë, mjekë… Ata duhet të jenë më të organizuar. «Kuvendi» është një mundësi e mirë, por duhet të punohet më shumë për pranimin e këtij këshilli në Zvicër – kjo është detyra kryesore. Shqiptarët duhet të mësojnë ta përkrahin një organizatë, t’i japin asaj një shans dhe të mos e refuzojnë nga fillimi. Por ai duhet t’i përfaqësojë edhe interesat e shqiptarëve të Zvicrës para institucioneve të vendeve të prejardhjes së tyre. Diaspora nuk duhet të shihet si «lopë për t’u mjelur», mërgimtarëve duhet t’u dhurohet respekti që meritojnë për atë që kanë bërë jashtë.

Çfarë mund të mësojnë zviceranët nga shqiptarët?

Respektin e ndërsjellë dhe sigurisht mund të mësojnë edhe diçka nga afërsia njerëzore dhe mikpritja e tyre.

Ju udhëtoni shpesh në viset shqiptare, çfarë ju ka bërë përshtypje në këto vizita?

Atje është shumë bukur. Më pëlqejnë natyra dhe njerëzit. Viteve të fundit shihet që atje, sidomos në Kosovë, po ndërtohet gjithandej pa plan dhe me këtë po prishet shumë tokë bujqësore.

Cili është bilanci juaj, çfarë ju ka sjellë interesimi për kulturën shqiptare?

Zor se kalon ndonjë ditë këto 20 vitet e fundit që unë nuk mendoj së paku dy herë për shqiptarët. Jeta ime do të kishte qenë më pak interesante sikur të mos i kisha njohur këta njerëz. Verës, kur shumë prej ty janë në shtëpi,  Zvicra më duket më e zbrazur. Shqiptarët më mungojnë dhe i gëzohem kthimit të tyre.