Kur rrahin tupanat e emergjencës

Nji ditë në QKUK, aty ku shihet «liria» jonë, njollat e gjakut të thame, infermiere agresive dhe mjekë që pacientes e cila nën lot thotë: «m’ka mshu kerri», i përgjigjen kështu: «Ani mos kajë, shyqyr paske pshtu, hajt se s’asht kurrgjë».

Foto: Shutterstock



Sado keq që e paramendoni gjendjen në QKUK, gjendja reale asht dhjetëfish ma keq, së paku. Përveç kushteve, për të cilat asht përgjegjës shteti, ose duhej të ishte, sikur të ekzistonte, gjendjes në QKUK i shtohet mjerimi edhe për shkak të mjekëve e motrave e teknikëve e çka di unë çka ka tjetër aty, që janë – jo pak prej tyne – idiotë. Për shembull: mos me pasë dorëza higjienike asht nji çashtje, por ato që i ke me i gjujtë plot gjak në tokë pas përdorimit në nji dhomë ku «trajtohen» pesëdhjetë njerëz përnjiherë, s’ka të bajë ma me mungesë të shportës, por me mungesë të mendve e kulturës. Por edhe për këtë kur e mendoj mirë qenka përgjegjës shteti, ose duhej me qenë sikur të ekzistonte. Kjo asht nji prej ditëve kur unë dola me shëtitë nji qen të vockël dhe dhjetë minuta ma vonë pa pritë e pa kujtu, si dëshmitare e nji aksidenti në vendkalim të njanit prej rrethrrotullimeve në Prishtinë ku bahet lomsh nji popull i tanë, e gjeta vetën shëndosh e mirë, në dhomën numër katër të emergjencës në QKUK në asistencë të viktimës.

Mjekët aty silleshin e mbështilleshin; kishe po ju ndihmon nji motër medicinale, e cila sa qëndrova unë aty, rreth nji orë, nuk e preki nji njeri me dorë, as s’u afru me pyet najkënd pse gjindej aty. Bile dikur u ul në nji karrige me nji qosh e hallakatke në Facebook. Lirisht, mundeni me hy nëpër dhoma për aq sa ju ndalë najkush. Veç tregoni me gisht nga ndonji pacient nëse vjen polici me ju pyet çka asht puna e juej, i vetmi që interesohet, ndërkohë që mjekët shumë shpejtë të shkepin detyra me i kry për ta, s’ju intereson hiç kush je. Me shku me gjetë karrocë asht njana, dhe kjo detyrë të jipet sipas stilit: ishalla ke fat. Qaq. Me shku me thirrë mjekë tjerë asht tjetra, dhe kjo detyrë të jipet pa u përfundu fjalia e nisun, e cila zor që asht edhe fjali. Tingëllon kështu përafërsisht: këqyr qaty, thirre atë, heeej, a po shkon, hajde këtu!!! Kurrë nuk e din a asht tue folë me ty a jo. Me shku me marrë forma në zyrën numër kaq, asht detyra ma e shpeshtë sa mujta me dallue pas nji vlerësimi sipërfaqësor. Dhe ti nisesh me shku te zyrja numër kaq, tek e cila kur të afrohesh të bërtasin pse po guxon aty me lypë çka po lypë, kur ajo që po e lypë gjindet në zyrën numër kaq e aq.

Kur të afrohesh në zyrën numër kaq e aq, të cilën e gjen djathtas edhe pse t’kanë urdhnue me e lypë majtas, nji njeri që të doket ty si vëlla medicinal, idiot, ama medicinal, por atij i duket vetja si mjek, asht tue ba muhabet me zojën e mrroltë dhe të idhnume me krejt botën, e cila asht njifarë bosi në atë zyre. Pse asht e mrroltë mujë veç me supozu, e për arsye që kush e di, prej asaj që nashta s’i ka nxanë turshia mirë deri te ajo që thjeshtë i urren njerëzit, mundet me kenë gjithçka, dhe ndërkohë që ti pret i dëgjon këta të dy që janë tue ba muhabet privat dhe praninë tande e vrejnë po nuk iu len përshtypje hiç. Bile mos ta vrejshin hiç. Sa ma pak nënçmuese kishte me qenë. Por puna e përshtypjes ndryshon, në momentin kur ti nxjerr telefonin tand të mençëm, i cili në fund të ditës asht veç aq i mençëm sa je ti vet, dhe i fotografon e pastaj i inçizon. Atëherë kcen zoja e mrroltë e ta ban: çka po don? Un i them nji doktor më tha me ardhë me marrë filan formën. «Cili doktor?» më bërtet edhe ma fortë e që m’ban mue me e kuptue që e ka si duket nji urrejtje t’veten t’rezervume edhe kundër doktorave të këtij vendi, për arsyet e veta me siguri (po vjen era komplekse), jo të mijat, e unë pa fije sherri i them: nuk e di cili doktor.

Njani prej pesëmbëdhjetë njerëzve me mantil të bardhë, burra të gjithë, në dhomën numër katër, prej të cilëve pesë hyjnë e dalin, hyjnë e dalin e un s’e marr vesh as pse as prej kah po vijnë kur po hynë, e as kah po shkojnë kur po dalin, pesë të tjerë sillen e mbështillen, e sillen e mbështillen në afërsi të nji tavoline të improvizume, ku janë stacionue pesë doktora krejt tjerë që duhet me kenë pak ma të naltë se në dallim prej tjerëve këta kanë kimika nëpër xhepa të mantilave dhe shkrujnë me to nëpër letra që ua lëshojnë pastaj në dorë pacientave me kambë të sakatume e me gjendje të randë që ua kufizon mundësinë me ecë a me ndejtë në kamë, more edhe me ndejtë shtritë se le ma në kambë, të paluem dyfish prej dhimbjeve e traumave edhe u thojnë: shko në katin e dytë me i bo këto kontrolla. Dhe mos harro mungesën e karrocave. Dhe çka shkrujnë nuk e di se që nji orë jam dëshmitare që pacientat po hyjnë e po dalin, përfshi pacientja për të cilën unë jam këtu, nji grue komplet e panjoftun për mue, së cilës iu gjeta në nji moment traumatik se isha në vendin e ngjarjes në momentin e duhun, e që sa që po presim kurrkush nuk e pyeti as ku po të dhem, se jo ma me e prek me dorë.

Veç njani kështu kalimthi, hiç s’di a ke mjek, a çka, por e pat nji mantil të bardhë të veshun edhe nji maicë të kaltër përfundi e cila i bijke e vogël barkut të tij të madh, e pyeti: çka t’ka ndodhë? Kjo po i thot nën lot prej dhimbjes e traumatizimit: m’ka mshu kerri, e aj po ia ban: ani mos kajë, shyqyr paske pshtu, hajt se s’asht kurrgja. Sa i përket mjekut që m’tha me ardhë me marrë këtë formë a të ndihmon nëse t’kallxoj që kishte mjekër, e pyeti kur e mbaroj fjalë për fjalë raportimin që ia jap mrrolajkës, pa e ditë ajo, por tue shpresu që helbete ia rrokë, me qëllimin me i tregu që në këtë xhungëll ti zojë që i ke shtri kamët para qasaj nxemse je e fundit që ke të drejtë me u mrrolë.

Ajo e nxjerr nji formë tue i fry buzët si kali i tërbuem, edhe ma ban «qysh e ka emnin?» Kush? i them un. Pacientja, ma kthen. Ia jap emnin. E mbiemnin?, më pyet. Nuk e di, i them sinqerisht, se nuk e njoh aq gjatë. Nuk më pyet për sqarim, as tërbueshëm as lutshëm, por më këqyr shtremt me nji përbuzje që fjalorëve të pesë gjuhëve të hueja që i flas, plus shqipes që e kam të nanës e të babës i mungojnë fjalët me e përshkrue, saqë për herë të parë në jetën tem të thinjëzume me dashninë e kotë për këtë vend, e gjej veten në buzë të shkambit ku përfundon njeriu brenda meje e ngjallet nji kafshë e egër. Për ca sekonda përjetoj bile ndoshta diçka spirituale e e shoh krejt qenien tem tue më dalë prej trupit e gatshme me e ba nji krim e mos me u përly me asnji mëkat që trupi jem asht i gatshëm me e ba. Ajo e shkreta nuk e dijti që nji frymë e thellë e jemja e shpëtoi prej kafshës brenda meje.

Jo që kisha mujtë me e hangër përnime, por me provue kesh e gatshme dhe për mue si njeri krimi fillon qaty. Sepse, nuk më duhej mbytja e saj fizike, për me rregullu këtë botë, mjaftojke veç nji shkëndijë pushteti simbolik, për me pshtu njeriun brenda meje tue u ba kafshë, veç nji herë, pa ndje asnji pendim. Ma në fund ma dha formën, të cilën ia dërgova mjekut, njanit prej atyne me kimik, atij me mjekër dhe ai bani çka bani me të, pa e pyet asnjisend pacientën, dhe u afru te unë, hala tue e injorue pacientën, e më tha: në katin e dytë shkon i ban qeto kontrolla. Pikë. Unë isha përskej pacientës, të cilën ndërkohë sa isha unë në ballafaqim me mrrolajkën, e kishin detyru me e liru karrocën, sepse iu ka dashtë dikund tjetër i kishte thanë motra medicinale, e vetmja në ato treva, pardon, tue e theksue që s’kishin tjetër dhe e kish detyru me u ulë në nji shtrat që pak me prek lëvizke e nuk mujshe me ia frenu kurrqysh rrotat.

Natyrisht shtrati ishte pa mbulesë dhe mbi e nën të i zbukuruem me njolla gjaku të vjetra e të thame që kush e di sa vjet, mbi të cilat ato e të fresktat krijonin nji mozaik historie të krejt civilizimit njerëzor, e as mos të flasim për kush e di sa mikrobe e të zeza që nuk shihen me sy. Gjak kishte edhe në disa vegla që gjindeshin të vendosuna krejtësisht pakujdeshëm gjithandej, në qoshe të këtij qoshi të dhomës; dorëza në tokë me gjak; qebe në tokë me gjak; fasha me gjak; kimik në parmak të dritares me gjak; letra me shënime të pacientave nëpër rafte e në parmak të dritares me gjak, gjithashtu.

Fotografova çka mujta, jo aq shumë sa dashta, sepse dhoma vlojke prej pacientëve e gardianëve të tyne familjarë dhe nuk dojsha me i shqetësu natyrisht tue ba fotografi e jo se jo me i fotografu edhe ata. Bana qato pak fotografi, deri sa katër prej pesëmbëdhjetë mjekëve filluen me më këqyr shtremt, po këta bile më shifshin. Ndërkohë hyni në dhomën numër katër, nji grue që s’e di çka ishte, a motër medicinale a mjeke, por definitivisht idiot dhe më urdhnoi me za në kupë të qiellës në dhomën numër katër të stërmbushun me pacienta, me fshi foton që ia bana në hymje të emergjencës ku ajo pijke cigare e njerëzit s’dijshin as qysh as ku me i bartë pacientat që i kishin pru urgjentisht aty për me ua pshtu jetën, ndërkohë që ajo me nji kolegë të sajin veç këqyrshin seri e le që nuk ndihmojshin por edhe e pengonin hyrjen.

Udhëzimet orientuese i jepke nji polic që po punojke më duket në spital dhe prej sa pashë unë e edhe sa fola pak me të, ke i vetmi njeri normal që e kryejke nji detyrë sa ma mirë që mujke në shërbim të njerëzve prej të cilëve paguhet. Për nji moment bërtima e kësaj zojës, bërtima histerike e saja më erdh e lezetshme se i mbizani krejt klithjet e pacientave prej dhimbjeve e frikës. Tani iu përgjegja: Foton nuk e kam fshi. As nuk e kam ndërmend me e fshi. Kam me e publiku. Jo pse besoj që ndryshon najsen prej kësaj. Por, sepse shpresoj! Më duhet për me mujtë unë me besu që ndryshimi asht i mundshëm. «Fshije se ta thirri policinë, s’ke drejt me fotografu, kush je ti, çka po ta ninë ty çka baj unë e qysh e baj punën tem?

Dhe përveç asaj un t’kallxova me gisht me shku me marrë qat karrocën në qosh që ke? Un t’nimova!», ulëriti ajo tue u mundu me më bind që asht qaq e zoja saqë detyrën e vet e ka kry me nji gisht, thue se e ka gishtin magjik. Bërtitke qaq shum, me nji arrogancë që do njerëz e hutojnë për konfidencë, saqë e trimnoj nji mjek burrnor aty pari e s’priti shumë aj me iu bashkangjitë korit: fshije menjiherë! Bërtiti edhe aj. Dhe këtu tragjedia u ba komedi. Ia nisa me keshë, butë e sjellshëm, e pavetëdijshme kah më erdh butësia, por po get krejt kafsha brenda meje kishte nxjerr veten spiritualisht në zyrën kaq e aq pak ma parë, e pastaj u thash: nuk e kam ndërmend me e fshi foton. Kjo foto asht në interes publik. Dhe ju lutem mos bërtitni se i shashtrisët pacientat. Keni pak mëshirë, nëse kurrgja tjetër. Nëse mendoni që keni të drejtë thirrne policinë. Përndryshe unë nuk e fshijë foton. Unë e publikoj. E nëse ju keni ankesa, reagoni pastaj ndaj publikimit. Prej gjyqit deri te grevat para emergjencës krejt mundësitë i keni. E keni ba ma herët, udhën e keni të shtrume.

Bani çka s’mundeni pa e ba. Bani çka ashtu kështu dini ma së miri. Por ky debat përfundon këtu dhe mundet me vazhdu veç publikisht. Sjellshëm e butë por ama zanin e ngrita pak sa me më ndi pacientat e tjerë, me shpresë që nashta kjo i trimnon pak ata e familjarët e tyne që mos me e pranu nënshtrimin që ishin tue e pranue në vend të ilaçeve. Ajo zoja, çkado që ke, mi lëshoj do ofendime para se me dalë, saqë ma ndreqën disponimin se ma konfirmuen bindjen që ajo ishte nji idiote qysh e kisha diagnostifikue qysh në fillim, dhe në anën tjetër që ndoshta ky vend ka shpresa nëse dikush tutet kaq shum prej nji fotografije e cila dokumenton diçka që «qenka krejt në rregull».

Populli jem i dashtun, që luftoj çdo ditë me ju dashtë, para se me dalë nesër me votu, shkoni deri në «emergjencë». Shëtitni nëpër korridore. Kurrkush nuk ju ndalë. E nëse po, pretendoni që jeni pacient, sepse pacientat aty vetë duhet me ngajtë poshtë e nalt, kurrkush nuk ka me dyshue që s’jeni. Dhe nëse për kurrgjo tjetër shkoni veç për me kriju nji hartë mentale të ku çka ndodhet në rast që ju duhet najherë. Kurrë nuk e dini kur mundet me iu dashtë. Asht mirë me dijtë me u gjind para se me ju ardhë zori me e mësue prej zorit. Emergjenca gjindet te rruga dhe ulica «emergjenca». Jo larg prej aty në anën e djathtë asht (nëse je tue qëndru përballë me emergjencën) morgu.

Shkoni edhe deri ty. Veç për me u familjarizu me nji vend, ku unë ndërkohë jam e sigurt që shumë njerëz kanë përfundu në frizat e tij, që sot kishin mujtë me kenë gjallë, mos t’i kishim mjekët idiota e kushtimisht edhe sikur mos t’ishim në «mëshirën» e ministrave të shëndetësisë që i kanë nji kallabllëk zavendsa e sot e tetëmdhetë vjet jo që kanë ndreq najsen, por e kanë prishë me rrajë krejt sistemin shëndetsor. Dhe nëse nuk më besoni që nji përkujtim i shkurtë: Ferid Agani dhe rasti «Stenta» nëse kam nevojë me shtu këtu najsen, ti lirisht harroje edhe alfabetin se s’ka çka të duhet; Imet Rrahmani dhe thirrjet e tij: «Qe numri jem personal, më lajmroni për çdo padrejtësi në QKUK», ndërkohë që krimet që bahen ndaj njerëzve në QKUK ishin e janë të shtrune me njolla gjaku veç me shku me i pa, dhe ky i riu tash: që s’du me u lodhë as me ia mësu emnin e që i ka garant nja pesë zavendësa dhe që mendon se llomi i shërbimeve shëndetësore, tash po flasim për ato të shëndetit mendor, rregullohet tue ftu nji grusht psikologa për «me marrë mendime e këshilla» prej tyne rreth gjendjes, në takime jozyrtare gjatë vikendit. Pa protokoll, natyrisht.

Unë përshkrova veç nji ditë temen. Ndërkohë që na u kanë ba të tilla tetëmdhetë vjet «liri» e zero paqe. Kjo asht Kosova në të cilën ju keni me e i dhanë nesër konfirmimin që ekziston, demokracisë dhe lirisë për të cilën vdiqën shumë njerëz; u përdhunuen me mija gra; u vranë qindra fëmijë; u shuen familje të tana; u vranë të tjerë në liri, e banën vetëvrasje shumë të tjerë të cilët i varrosem prej marres pa folë kurrë për traumat e tyne.

Kam pa luftë për ku njerëzit nisen si kenë tue shku në dasëm, se e dojnë atdheun e tyne dhe lirinë dhe demokracinë. Por s’kam pa dasëm ku tupanat bien aq dhimbshëm si në Kosovë. Çdo festë në Kosovë, tue fillue prej atyne të «fitoreve të partive», festat zyrtare e deri te dasmet private për të cilat rrasemi deri në fyt me borxhe, asht nji dhimbje që e meritojna, nëse të drejtën tonë për demokraci e kuptojmë si nënshtrim ndaj rregullave të cilat i kanë ba mafiozët.