Kur Richard von Weizsäcker tha: Kosova duhet të jetë e pavarur

Sot është ditëlindja e Richard von Weizsäcker, president i Gjermanisë mes viteve 1984-1994. Si anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Ballkanit ai në prill të vitit 2005 nënvizoi tri gjëra: Kosova duhet të jetë e pavarur, të gjitha funksionet që i ushtrojnë UNMIK-u dhe KFOR-i duhet t’i transferohen qeverisë së Kosovës dhe ndarja e Kosovës nuk guxon të ndodhë. Ëndrra e tij ishte që Ballkanit të hyjë në BE në vitin 2014. Apeli i tij ishte: «Nuk duhet të sillemi sikur Ballkani nuk na intereson. Ne atë e kemi të varur në qafë, deshëm apo jo».

Richard von Weizsäcker.



Karriera e Richard von Weizsäcker është një karrierë e një aristokrati gjerman në shekullin e ’20. Kjo domethënë: një karrierë në luftë dhe në paqe. Richard von Weizsäcker u lind më 15 prill 1920 në Stuttgart, por pjesën më të madhe të shkollës së mesme e kreu në Bernë, në kryeqytetin e Zvicrës, ku i ati i tij në vitet ’30 ishte ambasador i Gjermanisë së Adolf Hitlerit. Nga viti 1938 Ernst Freiherr von Weizsäcker ishte sekretar shteti në ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Kur pas Luftës së Dytë Botërore ai doli para gjyqit dhe u dënua me 5 vjet burg për shkak të krimeve kundër njerëzimit, avokat i tij ishte i biri i tij Richard von Weizsäcker, i cili kishte studiuar drejtësi në Oxford dhe Grenoble.

Mes viteve 1938-1945 Richard von Weizsäcker ishte në shërbimin ushtarak. Si ushtar i këmbësorisë ai luftoi në Poloni dhe mori pjesë në frontin para Moskës dhe në bllokadën e Leningradit. Autobiografinë e tij të botuar më 1997 ai e ka quajtur «Katër stinët» – këto stinë përfshijnë katër periudha të shekullit gjerman, dëshmitar i të cilave ka qenë Richard von Weizsäcker: Republika e Vajmarit (Weimar), Rajhu i Tretë (Das Dritte Reich), Republika Federale e Gjermanisë dhe Gjermania e bashkuar.

Duke qenë edhe vetë protagonist i anëve të errëta të historisë gjermane, Richard von Weizsäcker si politikan, si anëtar i partisë konservatore CDU, si kryetar i Berlinit dhe si kryetar i Gjermanisë mes viteve 1984-1994 gjeti forcën morale së pari të thotë se gjenerata e tij nuk ka qenë e guximshme sa duhet kundër Hitlerit dhe së dyti ai pa asnjë kompromis dënoi krimet gjermane para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Richard von Weizsäcker ka hyrë në historinë gjermane me fjalimin e tij të mbajtur më 8 maj 1985 para parlamentit gjerman me rastin e 40-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ky fjalim konsiderohet si shembull i ballafaqimit me të kaluarën. Shumë gjermanë 8 majin e vitit 1945 e quanin ditë të kapitullimit, ditë të humbjes. Richard von Weizsäcker e quajti ditë të çlirimit edhe për gjermanët duke thënë: «Përnjëmend nuk ka arsye që ne të marrim pjesë në festat e fitores. Por kemi njëqind arsye që datën 8 maj 1945 ta shohim si përfundim të lajthitjes në historinë gjermane, ta shohim si përfundim që t’i hedhim farat e shpresës për një të ardhme më të mirë. 8 maji është ditë përkujtimi. Përkujtimi do të thotë kujtim i ngjarjeve me ndershmëri dhe pa sherr, me qëllim që kujtimi të bëhet pjesë e jona, e qenieve njerëzore.

Kjo kërkon që gjërat t’i themi troç. Ne sot i përkujtojmë të gjithë të vrarët e luftës dhe të tiranisë. Në mënyrë të veçantë përkujtojmë gjashtë milionë hebrenjtë, që u vranë në kampet gjermane të përqendrimit. Përkujtojmë të gjithë popujt që vuajtën në luftë, veçanërisht qytetarë të panumërt të Bashkimit Sovjetik dhe të Polonisë, që e humbën jetën. Si gjermanë, nderojmë bashkatdhetarët që u zhdukën si ushtarë, gjatë aksioneve të bastisjes në vendlindje, rrëmbimit ose dëbimit.

Përkujtojmë romët, homoseksualët dhe të sëmurët mendorë, që u vranë, si dhe njerëzit që vdiqën për bindjet e tyre politike dhe fetare. Përkujtojmë pengjet që u ekzekutuan. Përkujtojmë viktimat e lëvizjeve të rezistencës në të gjitha vendet e pushtuara prej nesh. Si gjermanë, nderojmë viktimat e rezistencës gjermane – në mesin e administratës shtetërore, ushtrisë, kishave, punëtorët, anëtarët e sindikatave tregtare dhe komunistët».
Fjalimin e tij Richard von Weizsäcker e përfundoi me këto fjalë: «Ajo çfarë kërkohet prej rinisë sot është kjo: mos e lejoni veten të nxiteni drejt armiqësive dhe urrejtjes ndaj popujve të tjerë, rusëve a amerikanëve, hebrenjve a turqve, alternativëve a konservatorëve, zezakëve a të bardhëve. Mësohuni të jetoni së bashku, e jo në kundërshtim me njëri-tjetrin.

Edhe ne si politikanë të zgjedhur në mënyrë demokratike duhet të bëjmë veshët katër kësaj herë dhe përsëri të japim shembull të mirë. Le ta nderojmë lirinë. Le të punojmë në paqe. Le ta respektojmë sundimin e ligjit. Le të jemi pa hile në raport me konceptin e drejtësisë. Në këtë 8 maj, le të përballemi edhe me të vërtetën».

Ky fjalim Richard von Weizsäcker-in e bëri instancë morale në politikën gjermane dhe ndërkombëtare. Në këtë cilësi ai është prononcuar edhe ndaj problemeve të Ballkanit dhe sidomos perspektivës së Kosovës. Në një intervistë për gazetën «Süddeutsche Zeitung» në vitin 2005 ai tha se ka qenë e drejtë të intervenohet në Ballkan në vitet ’90. Richard von Weizsäcker ishte anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Ballkanit, i cili në prill të vitit 2005 publikoi një raport mbi të ardhmen e Kosovës. Ky politikan i famshëm gjerman nënvizoi tri gjëra: Kosova duhet të jetë e pavarur, të gjitha funksionet që i ushtrojnë UNMIK-u dhe KFOR-i duhet t’i transferohen qeverisë së Kosovës dhe ndarja e Kosovës nuk guxon të ndodhë. Komisioni Ndërkombëtar i Ballkanit kryesohej nga ish-kryeministri italian Guliano Amato dhe nga politikanët Richard von Weizsäcker, Carl Bildt, Jean-Luc Dehaene, Kemal Dervish, Mircea Geoana, Kiro Gligorov, Ilir Meta, Janez Potoçnik, Goran Svillanoviq.

Von Weizsäcker theksonte se deri në vitin 2014 të gjitha vendet e Ballkanit do të duhej të anëtarësoheshin në BE. Por që atëherë ai e dinte: kjo është një shpresë pa garanci. Megjithatë, von Weizsäcker apelonte: «Nuk duhet të sillemi sikur Ballkani nuk na intereson. Ne atë e kemi të varur në qafë, deshëm apo jo». BE, sipas Richard von Weizsäcker, duhet të jetë unike në pranimin e Kosovës si shtet. Kjo kërkesë, fatkeqësisht, mbeti vetëm dëshirë e politikanit gjerman për shkak se pesë shtete të BE-së (Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania) ende refuzojnë të njohin shtetësinë e Kosovës. Në një intervistë Richard von Weizsäcker theksonte: «Këshilla ime është që morali e pragmatizmi të mos përdoren kundër njëra-tjetrës. Politika mund të jetë e arsyeshme vetëm kur arrin t’i dëshmojë bazat e saj morale. Morali shndërrohet në ideologji nëse nuk iu qaset rreziqeve konkrete politike».

Richard von Weizsäcker kishte humor. Në vitin 2001 ai mori pjesë në promovimin e librit të gjeneralit Klaus Reinhardt «KFOR – forcat ushtarake për paqe. Shënime ditari të një komandanti gjerman në Kosovë» që u mbajt në Panairin e Librit në Frankfurt. Me atë rast Richard von Weizsäcker tha se përkundër nderit që kishte të lexonte këtë libër, jo përherë kishte qenë lehtë të kalohet nëpër këtë «copë druri» prej 600 faqesh. Megjithatë, Richard von Weizsäcker e lavdëroi librin e gjeneralit Reinhardt si kontribut të mirë për kuptimin e luftës dhe pasluftës së Kosovës.

Në ditarin e tij, Reinhardt shkruan se «është jashtëzakonisht vështirë të kuptosh se çfarë mendojnë me të vërtetë këta njerëz (komandantët e UÇK-së) dhe ku i fusin gjithkund gishtat. Figura e dyshimtë e Odisesë mund të jetë model i politikanëve dhe figurave të tjera përgjegjëse të këtushme. Duket se vendimtar është vetëm rezultati i arritur, jo rruga se si të arrihet aty. Çdo dredhi shihet si e arsyeshme. Të kesh besim në deklaratat e tyre mund të jetë gjë e mirë, por kjo këtu është kryesisht gabim. Përherë duhet të pyesësh veten se çfarë mendime të fshehura mund të jenë të ndërlidhura me këtë. Konsiderohet e rëndomtë nëse tjetrin e mashtroni – pa marrë parasysh me çfarë metodash».

Gjatë promovimit të librit në Frankfurt Richard von Weizsäcker e pyeti Klaus Reinhardt-in se cila ka qenë arsyeja e dështimit gjerman në betejën kundër Rusisë në Luftën e Dytë Botërore. Pyetja ishte pak me sherr. Në rininë e tij Reinhardt ka doktoruar mbi këtë temë. Dhe ai menjëherë nxori nga çanta disertacionin e tij dhe ia dhuroi ish-presidentit gjerman. Richard von Weizsäcker duke pranuar këtë dhuratë tha: «Po unë aty kam qenë». Richard von Weizsäcker vdiq më 31 janar 2015.