Kur punëdoret e hasjaneve ngatërroheshin me veprat e Picassos

Kur Monique de Fontanes ishte drejtoreshë e Departamentit të Evropës të Muzeut të Njeriut në Paris, atë do ta vizitonte aktorja e njohur italiane, Gina Lollobrigida. Tek pa një punim dore nga zona e Hasit mendoi se bëhej fjalë për vepër të Picassos. Ky është vetëm një shembull se sa unike janë këto punëdore, të cilat kanë mahnitur studiues të shumtë me ngjyrat dhe dekorin asimetrik. Por sot ka pak që e ruajnë këtë zanat




Një punim dore, këllëf dysheku, i prodhuar nga artizanet e Hasit të Prizrenit, shumë vjet më parë do ta mahniste aktoren me famë botërore, Gina Lollobrigida. Tablonë me punimin e dorës të varur në murin e zyrës së Monique de Fontanes, asokohe drejtoreshë e Departamentit të Evropës të Muzeut të Njeriut (Musse de L’Home) në Paris, aktorja, fotoreporterja e skulptorja italiane e kishte kujtuar për pikturë të Picassos.

Këtë fakt e ka bërë të ditur etnografja e njohur shqiptare, prof. dr. Afërdita Onuzi. Së voni ajo e ka takuar Monique de Fontanes, e cila ia ka kujtuar vizitën e artistes në zyrën e saj. Për të kjo është vetëm një pjesë e asaj që dëshmon se zona e Hasit si në Kosovë, por edhe në Shqipëri me veshjen tradicionale është ndër zonat më të veçanta në Evropë dhe në Ballkan.

Gina Llollobrigida përballë dyshekut të Hasit

«Kam kërkuar në muzetë më të njohura në Ballkan e Evropë, por nuk kam hasur askund dekor të tillë asimetrik, siç e ka zona e Hasit. Këmishët e kësaj zone janë dekoret më të realizuara dhe më të veçanta në të gjitha trevat mbarëshqiptare», thotë Onuzi. Madje ajo shprehet me entuziazëm kur përmend ngjyrat. «Piktorët bëjnë fjalë për të verdhën indiane, por unë si etnografe them se është e verdha hasjane (ngjyra lulëz), sot e verdha lule që e ka origjinën nga një lule në malin e Pashtrikut. Kjo ngjyrë mbizotëron në këmishët e kësaj zone dhe është e veçantë», thotë në vijim Onuzi para se ta kujtojë atë që ia kishte thënë Monique de Fontanes. Onuzi i referohet një bisede me ish – drejtoreshën e Departamentit të Evropës të Muzeut të Njeriut kur e kishte takuar aktoren Lollobrigida para se ajo të luante filmin «Katedralja e Parisit». Para se ajo të futej në rolin e ciganes në këtë film kishte shkuar në Muzeun e Njeriut, njëri ndër muzetë më të njohur etnografikë në botë, për të përzgjedhur kostumin me të cilin do të luante rolin e Esmeraldës në filmin francezo-italian të 1956-s me titull origjinal «Notre-Dame de Paris» i ribërë edhe më 1999.

Në zyrën e drejtoreshës ajo ishte përballur me një tablo për të cilën ka menduar se është e Picassos. Drejtoresha do t’ia shpjegonte aktores se kjo tablo ishte punim dore, këllëf dysheku, nga zona e Hasit të Prizrenit. Aktorja do t’i kërkonte sqarime se ku gjendej vendi që e ka prodhuar këtë punim, duke u shprehur e mahnitur. Njëherësh kishte shprehur dëshirën që një punim të tillë ta kishte edhe në shtëpinë e vet.

Duke u ndalur te prodhimi i punëdoreve në Has, Onuzi thotë se kjo është një thirrje e brendshme që u bëhet çifteve të reja për përdorimin e veshjeve tradicionale.

«Shumë çifte të reja veshjen kombëtare e kanë prezent në ditët e dasmave dhe të gëzimeve të tjera familjare. Ky fenomen ka nisur të vërehet dhe te fëmijët e vegjël në zonën e veriut», thotë Onuzi.

Ajo u rekomandon atyre që kanë nisur biznesin me veshjet kombëtare dhe gjithë përkrahësve të traditës që ta ruajnë me fanatizëm traditën dhe të fillojnë të bëjnë turizëm me elementet e duhura.

«Të fillojnë të prodhojnë çanta dhe tapete të vogla funksionale, në mënyrë të tillë që të gjithë të kenë në familjet e veta një copë nga tradita origjinale shqiptare. Jo vetëm kaq, por duhet edhe një përkrahje nga instancat shtetërore për të bërë të mundur mbështetjen e artizaneve dhe zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri», thotë Onuzi. Etnografja që ka si vend origjine Kukësin, thotë se krahas bukurive natyrore, vendi prej nga vjen dhe Hasi, kanë mundësi të ofrojnë shumë edhe në aspektin e trashëgimisë kulturore, kryesisht tekstilet, ku secila prej tyre ka specifiken e vet.

«Kukësi e Hasi veçohen si krahinat më të përmendura në Shqipëri me traditë të spikatur në fushën e tekstileve, prandaj kjo traditë duhet të zhvillohet, pasi do të sjellë të ardhura dhe do të zhvillojë turizmin kulturor në këto zona», thotë ajo.

Në kërkim të traditës së harruar

Por artizanet e Hasit tashmë janë vënë në kërkim të traditës së harruar. Një prej tyre është edhe Mane Cahani nga Kruma e Hasit. E rritur në një familje të varfër të zonës, ajo ka filluar ta ushtrojë zanatin e artizanes që në moshën 7-vjeçare për të vazhduar më pas për rreth 35 vjet me gjilpërë në dorë. Me gjithë temperaturat e lartë të gushtit, Mania bashkë me vajzat e saj, por edhe me disa gra e vajza të Krumës nuk e kanë ndërprerë për asnjë moment punën për qepjen e kostumeve popullore të zonës së Hasit, por edhe të Tropojës e Pukës, aq shumë të kërkuara në këtë periudhë të dasmash. Ka qenë në moshën 7-vjeçare ku vajza e Sylë Osmanit nga fshati Metaliaj i Hasit, e shtyrë nga varfëria, kishte filluar të ushtronte zanatin që e ka vazhduar pa ndërprerje deri më sot.

«Zanatin e artizanes dhe të mjeshtërisë së punës së dorës e kam zanat thuajse të lindur që jam detyruar ta mësoj nga vështirësitë e jetës. Kemi qenë familje e varfër dhe nuk kishim se me çfarë të visheshim. Në moshën 7 vjeçe kur u regjistrova në shkollë nuk kisha as çorape për të mbathur. Nana ime më tha se nëse doja të shkoja në shkollë duhej të shkoja zbathur, sepse nuk kishte kohë të m’i punoje çorapet. Në atë moshë, pra 7 vjeçe kam marrë dhe e kam tjerrë leshin, i kam ba çorapet dhe kam vazhduar shkollën, sepse se vinte turp me shku zbathur në shkollë», tregon Mania. Më pas ajo nuk e ka ndërprerë për asnjë çast punën e dorës. «Kam vazhduar të qep këmisha burrash me dorë. I punoja për vëllezërit, babën, ku edhe i qëndisja me dorë. Pasi jam rritë dhe kam mbaruar shkollën 7-vjeçare duke qenë se ishim të varfër nuk kam vazhduar më tej, por i jam kthyer zanatit të punës së dorës. Edhe pasi jam martuar në Krumë, e kam ushtruar këtë zanat në repartin e jorganave me porosi të Ndërmarrjes Komunale për rreth 15 vjet», thotë Mania.

Por pas ndryshimit të sistemit dhe hapjes së tregut, jorganët me porosi dolën jashtë loje si pasojë e konkurrencës, kështu që Mania kishte filluar të prodhonte qilima me hak për vajzat që martoheshin. Edhe ky proces pune nuk kishte vazhduar gjatë, kështu që artizania e njohur që nuk “i rrinë duart” kishte mbetur e papunë. Por kostumi kombëtar që vajza e saj e kishte veshur në një dasmë në zonën e Hasit ka qenë fatndjellës për Mane Cahanin. Që nga ajo kohë ajo nuk pushon së prodhuari kostume popullore. Me këtë punë ajo ka shkolluar me fakultet 6 vajzat dhe djalin e vetëm.

«I kam qepë vajzës së madhe një veshje kombëtare, më saktë veshjen e Hasit që e ka veshë në një dasem ku ja kanë pa shoqet. Një i aferm i burrit të vajzës më ka porositë një veshje të tillë për të fejuarën e tij. Po unë duke ditur vështirësitë që ka një veshje për t’u punuar i kam ofruar një çmim që besoja se nuk do ta përballonte dhe do të tërhiqej nga kjo kërkesë. Por ai iu përgjigj çmimit të lartë, kështu që une u detyrova që t’ja bëj veshjen. Duke u nisur edhe nga çmimi e punova me shumë merak. Doli një veshje model», thotë ajo. Prej asaj kohe nuk është ndalur së punuari veshje të ndryshme të krahinave të veriut.

«Në fillim kam ba veshjen e kuqe të krahinës së Malziut dhe Pukës. Më pas kam vazhduar me veshjet e Hasit. Sot e asaj dite unë punoj të gjitha llojet e veshjeve. Kam punuar dhe kam pasë rezultate», thotë kjo artizane. Lëndën e parë për prodhimin e veshjeve ajo e përgatit vetë në tezgjah, ndërsa pjesët e tjera ndihmëse i blen në treg. Në prodhimin e veshjeve Mania bazohet gjithnjë në traditën e veshjes që porositet. Ajo ka të varur në mur një katalog të veshjeve të Hasit të para 100 vjetëve.

 Kriteret strikte të artizanes

«Në prodhimin e veshjeve jam bazuar në traditën. Po nuk e pashë origjinalen nuk e prodhoj veshjen. Gjatë punimit mund të bëj ndryshime që lejohen, por gjithnjë pa prekur autoktoninë e veshjes, pra pa dalë nga origjinali. Nëse dikush e kërkon ndryshe unë nuk e pranoj porosinë. Mund të ndryshosh një diçka të vogël, por ngjyrën kurrsesi. Pra e zeza dhe e verdha nuk mund të ndryshohet në veshjet e Hasit, ashtu siç nuk mund të ndryshohet ngjyra rozë në veshjet e Lumës», sqaron Mania.

Por këto veshje kërkojnë precizitet dhe cilësi të lartë. Për të arritur këto, kujdesi fillon që nga përzgjedhja e lëndës së parë, pra leshit dhe pambukut që duhet të jenë cilësore. Në gjetjen e lëndës së parë, bojërave dhe punimit të leshit, mjeshtrja e punimeve të dorës ka hasur në mjaft vështirësi.

«Kam problem në përpunimin e leshit. Fillimisht i fus punëtoret të punojnë leshin, si pastrimi dhe larja me dorë. Ndërsa për të punuar leshin më duhet të shkoj në Pejë, pasi në të gjithë zonën tonë, por edhe më gjerë tashmë nuk ekziston asnjë makineri për përpunimin e leshit”, thotë ajo duke shtuar se ky është një proces i vështirë që edhe vajzat e reja e kanë zor ta mësojnë. “Ekzistojnë të gjitha mundësitë që të vendoset një makinë leshi edhe në Has që të punohet leshi i papërzier me lëndë të huaja. Kostumet që prodhoj unë nuk lejojnë asnjë përzierje», thotë ajo.

Vështirësi ka e dhe në ngjyrosjen dhe sigurimin e bojërave, pasi nuk gjenden ato cilësoret. «Sigurimi e bojërave cilësore është vështirësia më e madhe që unë kam hasur. Pra përpunimi i fillit të perit 100 për qind lesh pa asnjë lëndë të huaj dhe ngjyrosja, janë vështirësitë më të mëdha. Kurse proceset tjera janë krejt normale ku çdo gjë që e punoj origjinale. Pra, siç e kam marrë unë trashëgim nga nana ime, ashtu dua t’ia transmetoj edhe vajzave të mia dhe brezit të ri», thotë Mane Cahani.

Por ndryshe ndodh me gjetjen e tregut ku Mane Cahani thotë se nuk ka aspak vështirësi, madje nuk i përballon kërkesat dhe kjo ka ardhur për shkak të cilësisë. «Nuk u përballoj dot porosive për veshje kombëtare. Si pasojë e porosive të shumta kostumi mund të vonohet edhe një vit. Kam shumë porosi, pasi cilësia e fiton punën. Do ta martoj djalin sivjet dhe gjashtë vajzat e mia do të vishen të gjitha me veshjen e Hasit. Dua të kem kujtim këto veshje në foto, kamera…», thotë kjo artizane. Cahani e ka të qartë se çfarë rëndësie ka puna e saj.

«Po nuk e pate kulturën popullore, apo të largohemi nga tradita do të humbin edhe identitetin kombëtar. Kërkesa të shumta ka edhe nga emigrantë të Hasit që punojnë e jetojnë në Angli. Ata vijnë në verë me pushime dhe kërkojnë veshje të Hasit, por unë nuk kam mundësinë që t’ua realizoj kërkesat», thotë Mania. Me gjithë kërkesat e shumta Mane Cahani nuk ka mundur të zgjerojë aktivitetin për shkak të mungesës së punonjëseve të kualifikuara dhe talenteve në këtë fushë. «Ka një problem këtu që në prodhimin e veshjeve kërkohet shumë cilësi. Nëse unë punësoj vajza të pakualifikuara, puna e tyre do të shkojë kot për shkak të moskualifikimit, kështu që kjo është e pamundur. Në ndonjë rast kam punësuar edhe deri në 10 vajza, por më ka rezultuar pa sukses, pasi kam humbur shumë kohë duke u qëndruar te koka», thotë ajo në punëtorinë e saj në objektin që shërben edhe si Qendër Informacioni për Turizmin dhe vizitohet nga jo pak të huaj. «Vijnë turistët dhe mahniten me prodhimet tona. Ndërkohë që na thonë se pse ankohemi se nuk kemi punë, pasi mundësitë e punësimit ekzistojnë edhe duke punuar këto prodhime artizanale», thotë Cahani.

Artizania e njohur është mjaft e shqetësuar për ushtrimin e kësaj zeje. Të rinjtë janë pak të interesuar dhe ky profesion mund të shkojë edhe drejt zhdukjes. Ka pak rëndësi nëse e ka dëgjuar rrëfimin me aktoren e njohur italiane që ishte mahnitur me veshjet e punuara nga koleget e saj. Por për një gjë është e sigurt.

«Edhe po të kisha para me thes nuk do të hiqja dorë nga ky zanat. Paraja shkon e vjen, por kultura mbetet kulturë», thotë Cahani.