Kur problemet e Rahovecit «zbulohen» në Izrael

Si shumë qyteza të tjera kosovare edhe Rahoveci ka nevojë për menaxherë të mirë në politikë. Jo për pallavraxhinj provincialë.



Si të mos kishte halle të tjera, Kosova këto ditë është gjendur në vorbullën e një «debati» mbi antisemitizmin pas disa mendimeve absurde dhe të paparanueshme të një politikani lokal të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka ambicie e dëshirë të bëhet kryetar i Rahovecit. Ky «debat» ka gjasa të jetë aq i dobishëm sa «debati» që para nja 25 vitesh ishte provokuar nga një shkrimtar kosovar, i cili në urrejtjen e tij ndaj turqve shkoi aq larg, saqë shkroi se turqit i mbushin sarmat me mut.

Kompetentë për të dhënë mendime për Izraelin, historinë, antisemitizmin, shtetin hebraik e çka jo tjetër kanë filluar të ndihen edhe ata që nuk e gjejnë Izraelin në hartë. Po aq kompetentë për të folur për Palestinën e konsiderojnë veten ata që mezi e nxjerrin kokën nga llumi ku jetojnë, por kanë kohë të demonstrojnë një solidaritet të rrejshëm ndaj palestinezëve. Të shtyrë nga motivet fanatike këta njerëz çështjen palestineze e shohin gabimisht si çështje fund e krye islamike dhe jo çështje të lirisë së një populli, i cili ishte përkrahur sidomos nga dy presidentët e fundit demokratë të SHBA-ve: Bill Clinton dhe Barack Obama. Etja e të marrëve të Kosovës dhe mërgatës për protagonizëm është e madhe. Sidomos kur kanë një profil në Facebook.

Mbrojtës të Izraelit bëhen edhe ata që çdo ditë vjellin racizëm kundër turqve apo arabëve. Sepse në ambientin tonë të ndotur publik mund të marrë hyxhym çdokush dhe popullaritetin në botën digjitale e ka të garantuar. Sa më i çjerrë zëri, aq më e zhurmshme muzika. Kur opinioni «zbavitet» me ditë të tëra me deklarata idiotike të ndonjë pseudoimami, atëherë përse jo edhe me tema më të mëdha si puna e Izraelit e Palestinës. Sidomos kur konflikti i përhershëm në Lindjen e Afërt mund të «integrohet» në betejat e pista politike, ku nuk zgjidhet asnjë mjet për të njollosur tjetrin.

Problemet e Rahovecit nuk janë në Izrael. Si shumë qyteza të tjera kosovare edhe Rahoveci ka nevojë për menaxherë të mirë në politikë. Jo për pallavraxhinj provincialë. Në muajin gusht u dha lajmi se në Rahovec paskësh filluar faza e parë e ndriçimit publik. Në vitin 2017 në qytezat e Kosovës ende flitet për ndriçim publik, ende qytetarët luftojnë për dritë. Ndërsa opozitarët flasin për Izraelin, pushtetarët e Rahovecit mendojnë për tenderët. Në qershor u njoftua se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur shumë shkelje në Komunën e Rahovecit. Gjatë auditimeve të pasqyrave financiare auditori, sipas një raporti të gazetës «Zëri», ka gjetur se në projektin «Blerja e instrumentit gjeodezik» Komuna kishte lidhur kontratë me kompaninë me çmimin më të lartë, edhe pse sipas Komisionit për Vlerësimin e Ofertave operatori me çmimin më të ulët i kishte përmbushur kriteret. Kontrata ishte lidhur në vlerë prej 11,978 euro, ndërsa çmimi i ofruar nga operatori ekonomik konkurrent ishte 9,250 euro.

Në vend të debatit për Izraelin do të duhej të flitej për instrumentin gjeodezik. Sepse nëse janë keqpërdorur gati 3 mijë euro për një instrument të tillë, mund të merret me mend se çfarë bëhet kur pushtetarët shohin shansin të fusin dorën më thellë në arkën e komunës. Para afërsisht dhjetë vitesh në Rahovec ka filluar të ndërtohet një palestër sportive. Kanë ardhur e shkuar kryetarë të komunës, kanë ardhur e kanë shkuar qeveri e ministra dhe palestra ende nuk ka përfunduar. Thuhet se sivjet janë ndarë mjetet e fundit të nevojshme dhe se ky projekt do të përmbyllet disi. Paramendojeni: një komunë nuk arrin të ndërtojë një palestër 10 vjet! Dështon edhe shteti të merret me këtë çështje. 10 vjet!

Më lehtë është të flitet për Izraelin. Ose të tregohen pallavara nga pushteti i deritanishëm se Rahovecin e pret një ardhme e ndritur. Në këtë të ardhme të ndritur me gjasë përfshihet edhe arrestimi i vrasësve të Elvis Pistës. Ndonjë lexuesi mund t’i kujtohet parada e krerëve të PDK-së në këtë qytet, pjesëmarrja në varrim, përbetimet se kriminelët do të arrestohen – dhe Rahoveci do të jetë Toskana e Kosovës.

Ndërkohë vazhdon «debati» për Izraelin dhe jo për varfërinë në Rahovec dhe në qytete e fshatra të Kosovës, vazhdon «debati» për antisemitizmin dhe jo për viktimat e luftës sidomos në komunën e Rahovecit, vazhdon «debati» për cilësinë e verës izraelite nga Judaean Hills dhe jo për investime në vreshta në komunën e Rahovecit, vazhdon «debati» për hallet e izraelitëve dhe jo për papunësinë në Rahovec dhe gjetiu në Kosovë, vazhdon «debati» për portokajtë nga Jaffa dhe jo për pacientët e gjorë që po vdesin njëri pas tjetrit pothuaj çdo ditë në spitalin më të madh të Kosovës në Prishtinë.