Kur pranvera vonohet

Mbi një çerekshekull izolim: Bashkimi Europian po ndëshkon qytetarët e Kosovës me politikat e ashpra të vizave. Ky diskriminim duhet të marrë fund. Më 2017.

Foto: Shutterstock



I madh ishte gëzimi në maj të këtij viti, kur kishte paralajmërime se së shpejti do të hiqeshin vizat për vendet e Schengenit për qytetarët e Kosovës. Më në fund do të rrëzohej muri i vizave, më në fund kosovarët do të mund të lëviznin të lirë – pas më shumë se 25 vjet izolimi. 25 vjet janë një çerekshekull. Janë mbi dy dekada. Gjenerata të tëra janë rritur me ëndrrën për të qenë të lira – jo vetëm nga terrori serb, por edhe nga regjimi i vizave. Gjenerata të tëra janë rritur duke pritur për vizë – herë para ambasadave të Beograd, më vonë në Shkup dhe që nga viti 1999 para zyrave (dhe nga viti 2008) para Ambasadave të shteteve perëndimore në Prishtinë. Të marrësh një «termin» në Ambasadën gjermane, për shembull, është si të fitosh në loto. Te sigurosh një vizë është realizim i një ëndrre. Në atë çast harrohen të gjitha mundimet e tmerrshme, pritjet në radhët e gjata, shpenzimet.

Në fund të këtij viti i madh është zhgënjimi i qytetarëve të Kosovës për shkak se heqja e vizave nuk po shihet askund në horizont. Muri i Schengenit nuk ka rënë ende, ndërkohë që në Mitrovicë po betonohet një mur i ri – simbol i çmendurisë ballkanike të provokimit, lojës me zjarr, nxitjes së urrejtjes.

Përgjegjësinë për izolimin e Kosovës në radhë të parë e bartin politikanët që sundojnë në Prishtinë që nga viti 1999. Edhe dashamirësit më të mëdhenj të Kosovës nuk mund të injorojnë faktin se korrupsioni dhe krimi i organizuar në Kosovë janë probleme tejet të mëdha. Tregtia me drogë vazhdon të jetë shqetësuese. Krerë të nëntokës, të lidhur me politikanë, vazhdojnë të kontrollojnë rrjetet e kontrabandës në vijën Turqi, Maqedoni, Kosovë – dhe tutje në drejtim të Europës perëndimore. Rruga ballkanike e drogës nuk është shpikje e armiqve të Kosovës. Në këtë rrugë shqiptarët nuk janë të vetmit, por ashiqare luajnë një rol të rëndësishëm dhe të dëmshëm për vendin. Policia e Kosovës dhe autoritetet e drejtësisë nuk janë ende funksionale siç do të duhej të ishin. Numërimi i skandaleve të këtyre institucioneve do të shpërthente kornizën e këtij teksti. Por mjafton mbase të përmendet vetëm afera me pasaportat biometrike dhe dënimet me burg për korrupsion të disa figurave kryesisht jopolitike. Si në raste të tjera përgjegjësit politikë rrudhën supet përballë aferës dhe shpëtuan pa therë në këmbë.

Përtej fajit që bartin politikanët e Kosovës për dështimin e procesit të liberalizimit të vizave, në fund të këtij viti mbetet një shije tejet e keqe për shkak të politikave të ashpra dhe shpeshherë të padrejta të Bashkimit Europian. Si kusht për liberalizimin e vizave është imponuar edhe demarkacioni i famshëm me Malin e Zi – një kusht ky me të cilin nuk janë ballafaquar shtetet e tjera të Ballkanit. Sllovenia ka hyrë në BE me konflikt të hapur kufitar me Kroacinë. Kroacia është pranuar në BE pa e zgjidhur kontestin kufitar me Slloveninë. Mes Kroacisë dhe Serbisë ende ka konteste kufitare.

Edhe Serbisë i janë hequr vizat pa e pranuar kufirin me shtetin e Kosovës. Përdorimi i demarkacionit me Malin e Zi si kusht ndaj Kosovës s’mund të shihet ndryshe përveç se si ndëshkim. Kjo politikë e ashpër e BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës vetëm mund të rrisë zhgënjimin në mesin e qytetarëve, që në historinë më të re të Kosovës shpeshherë ka marrë drejtim të padëshiruar: më 2004 shpërthyen trazira me gati 20 të vdekur (shqiptarë dhe serbë), në dy-tri vitet e fundit mbi 100 mijë shqiptarë i thanë lamtumirë vendit të tyre për shkak se nuk shihnin më asnjë shpresë. Këta njerëz gjetën rrugë për të shkuar në vendet e BE-së – duke u bërë barrë e sistemit social kryesisht të taksapaguesve në Gjermani.