Kur numrat janë të parëndësishëm

14 intervista, 61 raporte, spote publicitare, transmetime të drejtpërdrejta: televizioni publik bëri sa mundi për ta popullarizuar kryetarin e PDK-së. Kjo s’bëri punë. Tani kanë filluar disa lojëra me drejtësinë. Pal Lekajt befas i është hequr aktakuza, kundër Mimoza Kusari Lilës kanë nisur hetime – dhe kandidati për kryeministër takon Ukë Rugovën, të akuzuar për vepra të rënda penale. A duhen dëshmi më të neveritshme për të parë se si bëhet politika në Kosovë?

Foto: Shutterstock



Secili politikan në Kosovë duhet ta ketë pasur zili kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, për praninë e shpeshtë në media – si në formë interviste apo edhe në lajme dite, ku në të shumtën e rasteve lajmi ishte vetë ai. Në një kohë rekord prej më pak se 4 muajsh vetëm transmetuesi publik i Kosovës transmetoi 14 intervista me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin. Këtu nuk hyjnë spotet publicitare të kreut të PDK-së që i shiteshin publikut si të rëndësishme, duke u radhitur në mesin e lajmeve të para. Nuk hyjnë as konventat e PDK-së që transmetoheshin live si të ishin festivale apo ceremoni të festave kombëtare.

Për të dhe aktivitetet e tij, herë si kryetar parlamenti, herë si kryetar partie e herë duke e parë në rolin e kryeministrit, televizioni publik ka raportuar vetëm deri në periudhën e caktimit të zgjedhjeve më shumë se 61 herë, i përkthyer në vota në Kuvend ky numër vështirë të sigurohet.

Turi i dëgjimit si një fushatë false e Partisë Demokratike të Kosovës për t’ia kthyer vetes imazhin e rrënuar ndër vite, ka marrë vëmendjen jo vetëm të mediave. Mjekë, profesorë, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, studentë e artistë për dy muaj sa zgjati turi i dëgjimit, u gjunjëzuan vullnetarisht para përpjekjes së dështuar të PDK-së për të rimarrë pushtetin pas një dekade qeverisjeje të keqe me Kosovën. Por, Kadri Veseli dhe ekipi i tij para se gjithash kishin për qëllim pastrimin e figurës së tij, e përlyer shumë kohë para se ai të angazhohet hapur në jetën publike në Kosovë.

Për ta arritur këtë, Veseli duhej të ishte kudo dhe kurdo duke mos i shmangur kështu as emisionet më banale edhe në Shqipëri. Ishte nga ata politikanët që duan famë e hapësirë me çdo kusht. Në një video të shpërndarë nga vetë Veseli në Facebook, ai portretizohet si njeri i amerikanëve, politikan i shquar i armës dhe i penës. Ai thotë se e ka kuptuar që ekzistojnë alienët pasi i është futur politikës, por dështon në parashikimin se PDK-ja do ta shënoje fitoren më të thellë që ka pasur ndonjëherë, e kishte fjalën për zgjedhjet e 11 qershorit. Krahas turit të dëgjimit disa personalitete të jetës publike në Kosovë, të rëndësishme e të parëndësishme, iu bashkuan PDK-së. Dikush e portretizoi Veselin si njeriun që ofron hapësirë, e dikush tjetër si njeriun e duhur për ta drejtuar Kosovën në katër vitet e ardhshme. Veseli ishte i nominuari i PDK-së për kryeministër të Kosovës dhe qytetarët e kishin në mesin e katër alternativave për të cilën ata do të vendosnin në ditën e zgjedhjeve.

Loja me dosjet dhe niveli i 50-të i balenës blue

I janë dashur vetëm dy ditë Gjykatës Themelore të Gjakovës, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PDK-se, AAK-së dhe Nismës, që ta hedhë poshtë aktakuzën e Prokurorisë Speciale kundër Pal Lekajt, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte kryetar i Komunës së Gjakovës. Vendimi erdhi për mungesë provash, në një ditë të bukur të 19 majit, vetëm dy ditë pas marrëveshjes PDK- AAK-NISMA, kur e gjithë vëmendja e opinionit publik ishte te koalicionet parazgjedhore. Kështu Pal Lekaj, mbi të cilin deri dje rëndonte aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, po i futej garës për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, si politikan me duar të pastra.

Në rastin më të drejtë ky mund të jetë një veprim i bukur në favor të AAK-së nëse vërtet ishte i tillë. Nëse niveli i 50-të në lojën Balena Blue është vetëvrasja, për politikanët në Kosovë niveli i 50-të është kur ndaj tyre ngrihet aktakuze për vepra penale, vetëvrasje politike. Në fakt çdo ditë e më shumë po bëhet e vështirë të takosh politikanë që nuk i frikësohen një momenti të tillë. Disa prej tyre janë të sigurt se nuk janë të përfshirë në krime, por hapur i frikësohen montimeve e shantazhit, ose të paktën ky është diskursi që ndjekin.

Këto ditë shohim lajme për hetime të reja ndaj deputetes se zgjedhur, Mimoza Kusari Lila, për kohën sa ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Ajo ka shfaqur dyshime se ky hetim po zhvillohet për të bërë presion në kohen kur koalicioni PDK-AAK–Nisma nuk i ka numrat për formimin e qeverise. «Kjo te unë nuk ju pinë ujë», citohet të ketë thënë Kusari Lila për portalin Insajderi. Pal Lekaj në zgjedhjet e qershorit i fitoi 10’282 vota. Por kjo dhe as rezultati përfundimtar prej 245 mijë votave nuk e ndihmoi koalicionin PDK–AAK–Nisma ta ketë shumicën e nevojshme të votave për t’i krijuar institucionet pa ndihmën e subjekteve të tjera. Nuk i ndihmoi as Ramush Haradinajt ta jetësojë ëndrrën për t’u bërë kryeministër, ndonëse ai zgjodhi të pi kade me të akuzuarin për krim të organizuar, Ukë Rugovën. Kjo tregon më së miri se në çfarë gjendje është katandisur sistemi i politikëbërjes në Kosovë dhe tatëpjetën që mund ta marrë sistemi i drejtësisë në qeverisjen e Haradinajt dhe të tjerëve.

Qytetarët e Kosovës këtë herë nuk votuan për pazare të reja, në kurriz të së ardhmes së tyre. Këtë nuk e ndryshoi as përpjekja e Kadri Veselit për ndryshim dhe as mediat për ta shfaqur këtë ndryshim si real. Në këtë pikë Kosova përbën rast unik.