Kur një qytet sillet rreth një bire

Në një park të Sarajevës është hapur një gropë, një birë – papritmas dhe vetvetiu. Kjo ka ndodhur në dhjetor. Dhe ende pushteti nuk ka arritur ta mbyllë këtë vrimë. Po bëhen matje, çmatje, hulumtime, gjurmime, supozime, organizime, shpime, koordinime. Nganjëherë realiteti në Bosnjë e tejkalon edhe humorin e zi.

Gropa në Parkun e Madh të Sarajevës.



Kush kalon këto ditë nëpër Parkun e Madh (Veliki park) në Sarajevë, nuk mund t’i shmanget kësaj pamjeje: një gropë e gjerë një metër dhe e thellë shtatë metra, e rrethuar me shirit të verdhë si paralajmërim për këmbësorët që të kenë kujdes. Gropa është hapur në fillim të dhjetorit. Papritmas. Vetvetiu. Që nga atëherë një qytet me komplet burokracinë e tij po sillet rreth kësaj grope pa ia dalë ta mbyllë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë politikanë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekspertë të ndryshëm. Në vendin e ngjarjes kanë dalë gazetarë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë kureshtarë. Fëmijë e të rritur, burra, gra e vajza. Turistë nga Arabia dhe Britania. Janë themeluar ekipe që do të koordinojnë punën për mbylljen e gropës. Janë bërë matje e çmatje.

Komuna e Qendrës së Sarajevës ka filluar sanimin e gropës. Pastaj në këtë mësymje është kyçur edhe Enti Kantonal për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Historike dhe Natyrore. Ndërsa tash punimet i ka ndërprerë Ministria e Ekonomisë e Kantonit të Sarajevës. Një zyrtar ka thënë se ekzistojnë probleme me hulumtimin gjeologjik. Janë angazhuar ekspertë të Fakultetit të Ndërtimtarisë për të gjurmuar se si bëri vaki kjo hata, si u hap kjo vrimë. «Po na trajtojnë thua se po kërkojmë naftë», tha zyrtari nga Ministria e Ekonomisë e Kantonit të Sarajevës.

Përfaqësuesit e firmës gjeodezike «Angermeier» kanë shkruar një elaborat për birën e Sarajevës dhe mënyrat se si të mbyllet ajo. Por ngadalë: elaborati, thonë ekspertët e firmës «Angermeier», është vetëm bazë për përpilimin e projektit kryesor. Pushteti komunal ka ndarë 50 mijë marka konvertibile (rreth 25 mijë euro) për mbylljen e gropës në Parkun e Madh.

Një gazetë e Sarajevës shkruan se një gropë, një vrimë, një birë i ka sjellë institucionet shtetërore në një situatë pa shtegdalje. Nuk dihet se kur do të marrë fund kjo dramë. Një qytet po sillet rreth një bire pa ia gjetur çarenë. Kështu realiteti në Bosnjë nganjëherë e tejkalon edhe humorin e zi. Kjo gropë është kalimi magjik përmes të cilit të gjithë njerëzit fatkëqij dhe të shkolluar të Bosnjë-Hercegovinës shkojnë direkt në Gjermani, shkruan një portal satirik nga Sarajeva. Boshnjaku entuziast Emir Bavarska (Bavaria, land gjerman) tha se hapja e këtij kalimi nga i madhi zot ka lehtësuar shkuarjen e njerëzve në tokën e premtuar.

Aty ku sot është Parku i Madh i Sarajevës gjatë periudhës osmane kanë qenë varrezat e qytetit. Kur administrata austro-hungareze mori administrimin e qytetit në fund të shekullit të ’19, varrimet në qendër të qytetit u ndaluan për arsye higjienike. Mes viteve 1885-1886 kjo pjesë e qytetit u bë park sipas modelit të kopshteve angleze. Në park ende shihen disa gurë të varreve nga koha osmane. Ndoshta një ditë njëri nga të vdekurit në shekullin e ’16 do të marrë përgjegjësinë për hapjen e gropës së famshme të Sarajevës.