Kur ne të dy u ndamë

Lord George Gordon Byron



Kur ne të dy u ndamë
Veç heshtje dhe lot;
Për disa vjet, ne s’thamë,
Se bashkë s’do ishim dot.
Por buza puthjen gënjeu,
E ftohtë si e huaj,
Sikur e parandjeu
Dhimbjen që tash vuaj.

Vesa e agimit
Ma ka ftohur ballin,
Si balsam trishtimit
Ma lehtësonte mallin.
Por ti premtimet shkele,
Një nam mbi vete hodhe,
Emrin tënd tundin si zhele,
Mbi dashurinë që vodhe.

Kujtimi yt në shpirtin tim:
Kambanë e përzishme;
Dergjet e s’gjen ngushëllim,
Thua ishe kaq e magjishme?
Brenga që më gërryen
E më pret si teh;
Zemrën mban mbërthyer,
Por me gojë se shpreh.

Të takoja në këtë vend,
Që tash shiu veç e lag,
Por zemra jote nuk mban mend,
Shpirti s’të ndalet në një prag.
Nëse një ditë të shoh sërish,
Pas kaq vitesh, ndonjë mot,
Do të të pres, ta them ta dish:
Në heshtje dhe me lot.

Përktheu: Rudi Bobrati