Kur këndon gjeli në Smirë dhe dëgjohet deri në Gjenevë

Të dielën qytetarët e Kosovës do të zgjedhin një parlament të ri. Të paktë janë ata që presin ndryshime të mëdha pozitive në vend. Shumë fshatra kosovare mbesin të varura nga ndihmat e diasporës. Një vizitë në fshatin Smirë të Vitisë, ku banorët më shumë se në drejtim të Prishtinës shikojnë në drejtim të Gjenevës.

Foto: Shutterstock



Kush vendos të shkojë në Smirë, atij i duhet durim. Së pari do të fundoset në kaosin e trafikut të Prishtinës, pastaj nuk e gjen hyrjen në autostradën e re. Përgjatë rrugës së vjetër, e cila lidh Kosovën me Maqedoninë, shpaloset tërë mrekullia e turbo-arkitekturës ballkanike. Ndërtimet pa asnjë kontroll kanë shkaktuar një zhvillim të egër urban. Si rruzare shtrihen njëra pas tjetrës pikat e karburantit, spitalet private, depot me material ndërtimor, motelet për eskapada seksuale ose romantike, sallonet e mobilieve. Nuk mungon në këtë pjesë të Prishtinës as një lagje e mbyllur: pasanikët e rinj dhe profiterët e pasluftës jetojnë me familjet e tyre në një «Gated Community» sipas modelit amerikan.

«Mirësevini në Smirë», thotë Tefik Salihu një orë më vonë. Ai është si të thuash i ngarkuari i posaçëm për informata i fshatit që gjendet në lindje të Kosovës mes kodrinave të bukura, fushave të gjera dhe livadheve të blerta. Dielli i mesditës djeg pullazet e shtëpive, në sheshin e fshatit shihen vetëm pak njerëz. Të dielën kosovarët do të zgjedhin një parlament të ri, por në Smirë duket se pak njerëz interesohen për politikë. Vetëm dy posterë ngjitur në murin e një shtëpie në qendër të fshatit ua kujtojnë votuesve se aktualisht po zhvillohet fushata elektorale.

Askush nuk pret ndryshime të mëdha pozitive në vend. Zhgënjimi para së gjithash me partitë e të ashtuquajturit krahu i luftës është shumë i madh. Ish-prijësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qëmoti e kanë zhbërë imazhin e tyre të çlirimtarëve dhe emrat e tyre përmenden vetëm në lidhje me aferat korruptive dhe intrigat e nëntokës. Para zgjedhjeve të së dielës ata janë bashkuar në një koalicion të madh për të marrë pushtetin e plotë. Është e mundshme se do të arrijnë një gjë të tillë, sepse ata kontrollojnë të gjitha resurset e shtetit dhe shumicën e mediave, të cilat ekzekutojnë çdo kritik apo rival politik.

«Për ne më e rëndësishme është që gjendja ekonomike e kantonit të Gjenevës të vazhdojë të jetë e mirë. Nga qeveria qendrore në Prishtinë njerëzit në Smirë nuk presin shumë», thotë Tefik Salihu me sarkazëm. Smira ka rreth 5000 banorë – dhe vlerësohet se rreth 2000 të tjerë jetojnë në botën e jashtme, shumë prej tyre në Gjenevë dhe rrethinë. Si bëri vaki kjo, mund të shpjegohet lehtë: në vitet ’60 firmat zvicerane rekrutuan mijëra punëtorë në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Burrat shqiptarë ndërtonin shtëpi në mërgim, milnin lopë ose punon në restorante. Ndërsa ekonomia helvetike lulëzonte, kërkesa për fuqi punëtore rritej. Rrjedhimisht, secili kosovar e joshte vëllain, dajën, axhën apo kushëririn në Zvicër. Njerëzit nga Smira e bënë kështu Gjenevën vatër të tyre në mërgim.

Edhe Tefik Salihu erdhi nga mesi i viteve ’90 në Gjenevë, por shpejt u kthye te familja e tij, kur në Kosovë kërcënonte lufta dhe së shpejti edhe shpërtheu. Gati dy dekada kanë kaluar që nga atëherë. Salihu ndërkohë punon në një institut të mikrofinancave dhe si spiker në një televizion lokal. Por detyra e tij parësore gjatë viteve të fundit duket se ka qenë kultivimi i kontakteve me bashkëkombësit në diasporë. Për këtë qëllim ai ka lansuar një portal me lajme nga fshati Smirë. Kështu bijat dhe bijtë e Smirës në Gjenevë e gjetiu në mërgim falë lajmeve nga portali janë në gjendje të mësojnë se kur këndon gjeli në Smirë, kush është i sëmurë, kush nuk ka kulm mbi kokë dhe urgjentisht ka nevojë për një shtëpi, cilat suksese i ka arritur grupi i folklorit apo ekipet sportive.

Së fundi Këshilli i Fshatit ka vendosur t’i ndërtohet një shtëpi një familjeje të varfër. Lajmin e ka publikuar Salihu në portal dhe në Gjenevë menjëherë kanë filluar të mbledhin paratë për materialin ndërtimor. Së shpejti familja do të bëhet me shtëpi. Para disa ditësh ka vdekur një burrë, ai la pas gruan dhe fëmijët – pa punë dhe pa perspektivë. «Enti ynë social në Gjenevë», kështu e quan Salihu diasporën kosovare, «reagoi menjëherë dhe i dërgoi para familjes së të vdekurit». Kur buxheti i komunës së Vitisë nuk mjafton për t’i asfaltuar rrugicat e Smirës, paratë vijnë nga Zvicra.

Idilin e fshatit e dominojnë shtëpitë e mëdha, të cilat janë ndërtuar nga shqiptarët e diasporës. Bari i kositur me kujdes në oborret e shtëpive është dëshmi se rendi zviceran ka arritur edhe në Smirë. Shumë shtëpi janë të zbrazëta në këtë kohë, por së shpejti edhe në Smirë – si në shumë vendbanime kosovare – do të marrë fund qetësia: në korrik dhe gusht vijnë shacat, kështu i quajnë vendorët bashkëkombësit e tyre, të cilët disi ia kanë dalë në botën e jashtme. Pa dërgesat e tyre financiare gjendja në Kosovë do të ishte edhe më e rëndë. Rreth 800 milionë euro rrjedhin në amvisëritë kosovare çdo vit nga diaspora, thotë Agron Demi nga instituti për analiza të çështjeve publike GAP. «Për fat të keq», shton Demi, «shumica e parave të diasporës harxohen për konsum dhe jo për investime». Në Smirë ka disa ferma dhe një ndërmarrje mobiliesh, e cila bart emrin Migros. Të gjithë shqiptarët e Zvicrës e dinë se Migrosi është rrjeti më i madh i dyqaneve me artikuj ushqimorë në Zvicër.

Mjerimi në Kosovë godet sidomos gjeneratën e re. Rreth 70 për qind e të rinjve nuk kanë vende të punës ose punojnë vetëm përkohësisht, mbi 50 për qind më me dëshirë do të emigronin në Europën perëndimore. Dy djem të Lulzim Ramadanit tashmë janë larguar nga Kosova, njëri para gjashtë vitesh, tjetri në janar 2015. Të dy kanë kërkuar azil në Francë. Jo larg kufirit me Zvicrën, në Saint-Julien-en-Genevois, ata punojnë në ndërtimtari dhe përkrahin financiarisht prindërit dhe vëllain e madh të mbetur në Smirë. Në tri vitet e fundit mbi 100 mijë kosovarë kanë braktisur atdheun e tyre. Ramadani qëmoti punon si taksist. Në vitet ’90 ai ndërtoi një shtëpi për familjen e tij pesëanëtarëshe, të ardhmen e tij e planifikonte në Kosovë. Në pranverën e vitit 1999 gjithçka ndryshoi: si qindra-mijëra kosovarë edhe familja Ramadani qe e detyruar të largohet nga Kosova e terrorizuar prej armatës serbe – së pari 14 anëtarët e kësaj familjeje gjetën strehim në kampin e refugjatëve në Stankovec të Maqedonisë, pastaj pak ditë para përfundimit të luftës ata u pranuan nga qeveria e Portugalisë.

Por, Lulzim Ramadani nuk qëndroi më shumë se tre muaj në Vila Real, një qytet në veri të Portugalisë. Kosova ishte çliruar ndërkohë nga NATO-ja, ushtria serbe ishte larguar dhe shqiptarët e Kosovës kishin plot shpresa. Që nga viti 2008 Kosova është e pavarur, por jo me të vërtetë e lirë. Republika e re mbahet peng nga të vetëquajturit heronj të luftës.
Zemërimi kundër kësaj elite me imazh të bodibilderave po rritet. Dhe nga ky zemërim po përfiton partia Vetëvendosje e rebelit majtist Albin Kurti, i cili kohëve të fundit ka filluar të distancohet nga planet fluturuese mbi krijimin e një shteti për të gjithë shqiptarët e Ballkanit. Che Guevara kosovar është i popullarizuar edhe në mesin e të rinjve shqiptarë të diasporës. Por, shumica prej tyre nuk mund të marrin pjesë në zgjedhje për shkak të pengesave të mëdha burokratike. Për shumë vëzhgues arsyet për këtë janë të dukshme: shumica e kosovarëve me banim në botën e jashtme simpatizojnë me partinë antiestablishment të Kurtit. Është e qartë se diaspora nuk mund të bëjë kthesën e madhe politike në Kosovë. «Duhet të jemi më aktivë dhe të tejkalojmë apatinë tonë», thotë Tefik Salihu në oborrin me hije të shtëpisë së tij në Smirë.

(Ky reportazh u botua në një version pak më të shkurtër në gazetën zvicerane «Tages Anzeiger»)