Kur ikën miku i mirë – humbim drejtpeshimin!

Edhe në lëngatë, i madh ishte Ganimet Klaiqi! Një kujtim për gazetarin dhe mikun tonë të mirë. Nga Halil Matoshi dhe Bekim Kupina.

Ganimet Klaiqi.



Nga Halil MATOSHI

«Të nderuar miq, profesorë, gazetarë, familjarët e mi të dashur, vëllezër e motra, që më rrini pranë në këto ditë të vështira për shërimin tim. Lajmet nga shoqëria po vinë si bombë e kurdisur, pa rrugëdalje, për shkak të mendësisë del të jetë primitive, sepse sulmet ndaj mendimit të lirë janë sulme ndaj vetë historisë njerëzore. Edhe në organizimet më të vjetra lirija e shprehjes ishte dhe mbeti bosht i demokracisë. Mos i sulmoni gazetarët për bindjen e lirë, ata mund të jenë shtyllat që i japin hov luftës kundër korrupcionit dhe krimit të organizuar! Janë tanët dhe ashtu i duam!» – ky ishte amaneti i Ganimet Klaiqit.
Së fundi Ganimet Klaiqi u përball me brejtës misteriozë e t’papamë – që ia gërryen shpirtin e ia rrënuan shëndetin shpejt e pa mëshirshëm.
Për sëmundjen asnjë konsideratë. Vuajtja është njerëzore!
I shkuem në shtëpi kur kuptuam se ishte në lëngatë, me Hysen Gashin dhe ai mbahej fort.
Ende nuk i ishte tretë buzëqeshja që e shquante në jetë.
U takuam edhe nëjherë tek festa e 20-vjetëshit të Kohës Ditore, gazetës ku së bashku kishim punuar, bërë gjëra.
Të mira besoj!
Ndonëse pa qef atë e shquante humori i tij i lehtë, përzie me sarkzëm.
Ishim bashkë me kolegët dhe miqt tanë Bekim Kupina, Granit Kurti  dhe Rexhep Maloku!
Ai derisa po e përcillnim gala-koncertin e sopranove, po më thoshte: «Lueje kryet ngapak kishe po e përjeton (dhe kupton!?) muzikën klasike, që të mos e marrin vesh publiku që je katunar p’ej Gmice!»
E lamë të ikte më herët. Shëndetin e kishte të rrënuem…
Luftoi betejën e tij.
Shok e mik imi – njeriu ynë – jeta është një sfidë që të tanë na duhet me e përballue.
Porse i thashë do fjalë në postimin e një nate më përpara, kur miku e kolegu ynë po bëhej gati ta linte këtë botëfundit.
«Dije se të kemi dashtë e respektu gjithmonë, dije se të respektojmë shumë, te duem shumë dhe jemi pranë teje, sepse e dijmë se na ke dashtë, na do e na respekton shumë…
Edhe pse je pak pa qef po jep mesazhe të sinqerta ashtu qysh të njoh – të sinqert e shoq fort t’mirë – po e mbron fjalën e lirë edhe tash qysh e ke mbrojtë tanë jetën;
Po i mbron gazetarët dhe kolegët ashtu qysh t’ka hije…
E sot po ma ka andja i dashtun Ganimet, me u ul e me këndu me ty siç bënim shpesh…
Buzëqeshi jetës, familjes dhe miqve…
Na ke mësue gjithmonë me na dhanë vetëm buzëqeshje…
Ganimet i dashtun!
Sigurisht i shokuem nga lajmi për sulmin mbi kolegen Arbana Xharra, ky ishte amaneti i Ganimet Klaiqit, i cili me fuqitë e mbrama fizike po e mbante anën e jetës. Lirisë dhe të vërtetës…
Ai luftoi betejen e tij dhe vajti andej – midisdisit – qysh thojke Lasgbushi ynë, mes tokës dhe qiellit, sepse «poetikisht banon njeriu». (Martin Heidegger)
Lamtumirë koleg i dashtun!
E sot?
Sot duhet me u përballë me praninë e mungesës.
Mbramë m’zu ankthi, por s’me kish lanë ende shpresa – kam qa nji copë herë t’mirë – e sot s’kam ma as lot!
Na la kolegu ynë i mirë dhe i drejtë – profesionisti i zoti – të cilin e kam njoftë përgjjate tanë jetes se Tina, që herët bashkë e morëm anën e lirisë – e kam punue me të në KOHA Ditore plot shtatë vjet!
M’la dosti i jem me t’cilin kemi ba udhë, kemi folë e debatue ashpër, tuj e gjurmue të vërtetën.
I dinjitetshem dhe i virtytshem – gjithnjë i buizëqeshun – ia kemi thanë shpesh edhe kangës sëbashku. Kurrë s’kam me e harrue njat za pushkë të malësorit që kapte majat si një tenor për me u matë me Majën e Kitkës rrëzë së cilës asht le!
Ky njeri shpirtmadh, vetëm disa orë para se me ndrrue jetë – me forcën e vdekjes – kishte marrë anën e jetës dhe po e mbronte të drejtën me e thanë të vërtetën, po e mbronte lirinë e fjales, kolegët e tij…
Ishte koleg shembullor por edhe mësues i urtë që di të falë – ishte mësuesi i parë i Artianas në gazetari – për të cilën m’pati thanë se «fjalia e saj asht me palcë dhe e formësueme aq mirë si me pas punue me dekada» – e unë për vajzen teme hala s’e kisha ditë që di me shkrue për gazetë!?
«Një prej njerëzve kryesor që më kanë ba kjo që jam sot. Më kë msu shumë e më ke duru shumë. Njeriu ma pozitiv që unë e kom njohtë ndonjëherë. Ky mik që lë zbrazëti të madhe në shoqni. Të jam mirënjohëse përjetësisht», – shkruen Artiana.
Kam pas qef me t’mbajtë mend t’ri e t’hjeshëm dhe mbi t’gjitha t’buzëqeshun mik, se na pate mësue keq: Tanë jetën na ke dhanë vetëm kurajë e buzëqeshje!
«Ku je djalë, që po ta harroj emnin…?», – na thojshe.
Po jo, Klajë (kështu të thërrisnim të gjithë, më të rinjtë dhe ne më të vjetrit), ti je shegarë shpesh, ama unë tash nuk jam n’qef për hokat tua dhe nuk kam me ta harrue emnin kurrë!
Të betohem!
Ngushëllime nanës, familjes dhe zojës Klaiqi e sidomos fëmijëve po edhe farefisit të gjanë e miqve!
U thom me krejt forcën e qenies sime: të jeni të sigurt që Ganimeti u ka lanë emën t’mirë e krenohuni me të!
Ai është i pranishëm tek ne si mungesa! Dhemb porse dëshmon një ligjësi të padrejtë!
Hiri i Perëndisë raftë mbi të e i lehtë i qoftë dheu i atdheut!
Na i këpute dyja kambët Ganimet!
Lamtumirë i dashtun!
Pak biografi.
Pas një sëmundje të rëndë është ndarë nga jeta gazetari i njohur, profesori universitar, Ganimet Klaiqi.
I ndjeri prej vitesh ka punuar në të përditshmen «Koha Ditore».
Viteve të fundit gazetari Klaiqi ishte i angazhuar si professor gjuhe në kolegjin UBT në Prishtinë.
Ai është lindur më 26 janar 1965 në Poliçkë të Kamenicës. Shkollën fillore e ka mbaruar në vendlindje, të mesmen në Dardanë, fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë si edhe studimet master i ka mbaruar po ashtu në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës «Hasan Prishtina».
Klaiqi gjatë vitit shkollor 1993/1994 ka punuar si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, në shkollën fillore «Abdullah Krashnica» në Preshevë. Më 1997 kishte nisur punën si korrespondent në të përditshmen «Koha Ditore».
Pas përfundimit të luftës, në institucionet e përkohshme ka punuar një vit si shef i Zyrës së Informacionit në Kamenicë. Gjatë kësaj kohe është marrë me shkrime të ndryshme, në prozë e poezi. Në vitin 2000 i është rikthyer gazetarisë ku ka vazhduar deri më 2015.

Për lajmëtarin që iku

(Kolegut e dostit tim të çmuar Ganimet Klaiqi- Klaja)

Nga Bekim KUPINA

Trim,
një kafe na mbeti peng mua e ty. Tri javë më parë një kolege jotja nga UBT-ja ma kishte lënë një mesazh në Facebook për një kafe, por s’e pimë kurrë!
E di që prej një viti e ke pas randë!
Afër dy dekada bëre lajme për të tjerët, sot u bëre lajm vetë. Për të mbramen herë!
Serioz, profesional, bashkëpunëtor dhe mbi të gjitha njerëzor!
Përshëndetje djalë!
I buzëqeshur, me reflektim pozitiv të gjithëkohshëm. Kjo ishte hyrja e zakonshme e Klajës në desk.
Ritualit të kafesë së mëngjesit në bufe, i jepte sharm. Prej aspekteve politike e deri te problemet gjuhësore dhe intertekstualiteti, u bënë pjesë e debateve tona të çdoditshme e ku dominonte insistimi yt i përhershëm se në këtë vend do të bahet mirë.
Klajë, e rëndë qenka tepër që sot në të njëjtin vend ku unë e ti për nja 15 vjet çdo ditë bëmë gazetë, të radhisë një përkushtim mortor!
Eu, djalë bre!
Ka çka me kallxu shumë nga rrugëtimi ynë edhe kur pinim verë e ia thonim kangës, edhe kur e projektonim në muhabet të ardhmen e këtij vendi.
Axha Ganimet ma nuk është. Por, jemi na. Kolegët, që siç porositi ai në mesazhin e fundit, do të vazhdojmë insistimin për fjalë të lirë e shoqni ma të mirë!
E di Klajë që të ka mbetë peng me pa këtë vend siç ke dashtë. «Do të bahet», e ka pas refrenin e zakonshëm. Gjithsesi, ndonjë ditë!
Por, në këtë kilometrin e fundit të jetës disi na shkoi ters. E le «Kohën» për të vazhduar me karrierën akademike. Shiheshim rrallë! E lamë dhe pijen…!
Por në ndarje të premtoj, një gotë për ty do ta ngre, për shpirtin tënd të bardhë, me dëshirën ma të mirë që të pushosh në paqe!
Djalë, nuk do të frikësohemi e as nuk do të na frikësojë kush. Beso! Veç do ta kemi një lajmëtar më pak!
Lamtumirë, Trim!