Kur ideja e lirisë vjen nga deti

Ditari i Adriatikut (10): Mbi detin slloven, ngatërrimin e toponimit dhe historinë.

Pamje nga qyteti i Piranit, Slloveni. Foto: Shutterstock

«Dikush vendosë të vizatojë botën. Gjatë rrjedhës së viteve ai mbush një dhomë me pamje të krahinave, mbretërive, kodrave, gjinjve të detit, anijeve, ishujve, peshqve, dhomave, instrumenteve, yjeve, kuajve dhe njerëzve. Pak para se të vdesë ai zbulon se ky labirint i durueshëm prej vijash pasqyron pamjen e fytyrës së tij».
Jorge Lius Borges, shkrimtar argjentinas

«Bota është ajo që e perceptojmë».
Maurice Merleau-Ponty, filozof francez

Tomazh Shalamun, njëri prej poetëve më të njohur slloven, ka një poezi e cila nuk u pëlqen bashkëkombësve të tij. Aty gjyshja, ndërsa udhëton nga Vjena në Venedik, i këshillon nipat dhe mbesat të flenë lirisht sepse deri në Trieste nuk ka asgjë për të parë. Diku përtej Vjenës dhe para Venedikut gjendet një vend i quajtur Slloveni. George W. Bush kishte thënë: «Gjëja e vetme që di për Sllovakinë është çfarë kam mësuar nga dora e parë prej ministrit tuaj të Jashtëm i cili ka ardhur në Texas». Në të vërtetë Bush kishte takuar ministrin e Jashtëm të Sllovenisë, jo Sllovakisë. Në një konferencë për shtyp në Romë kryeministri i Italisë Silvio Berlusconi e kishte prezantuar kryeministrin e Sllovenisë Anton Rop me këto fjalë: «Jam shumë i lumtur që sot jam këtu me kryeministrin e Sllovakisë». Bushit dhe Berlusconit mund t’u falen këto gabime, asnjëri nuk do të hyjnë në histori si njohës seriozë të gjeografisë.

Sllovenët janë shpesh të dëshpëruar që të huajt nuk e ngatërrojnë vetëm toponimin e vendit të tyre me atë të Sllovakisë. Për të qenë hutia më e madhe edhe flamujt e dy shteteve janë gati të ngjashëm. Të dy flamujt kanë tri ngjyra (bardh, kaltër, kuq) të cilat shtrihen horizontalisht. Në anën e majtë të tyre qëndron një simbol. Flamuri slloven paraqet tri maje alpine, tre yje dhe valë të kaltra. Mesazhi është i qartë: Sllovenia është edhe vend mesdhetar me rreth 30 kilometra vijë bregdetare. Në flamurin sllovak shihet një kryq i dyfishtë i cili qëndron në tri kodra. Bëhet fjalë për kodrat e famshme sllovake Tatra, Matra dhe Fatra. Në Slloveni ka pasur ide që të ndërrohet flamuri në mënyrë që të mos ngatërrohet me atë të Slovakisë. Por qytetarët në anketa janë shprehur se nuk duan të heqin dorë nga simboli kombëtar i cili është mbi 150 vjet i vjetër.

«Slloveni, Sllovaki, Sllavoni – për ju të gjitha janë të njëjta», thonë sllovenët me humor kur takojnë ndonjë të huaj. Me atë rast ata tregojnë një anekdotë, sipas të cilës kur zoti krijoi botën, pasi i shpërndau me kujdes dhe koprraci të gjitha bukuritë, në grusht i mbetën disa margaritarë natyrorë të cilët i shpërndau në Slloveni. Por shkrimtari Drago Jançar shkruan se është e dyshimtë që krijuesi i botës deshi t’ua jepte këtë vend sllovenëve nga zanafilla: «Sepse së pari erdhën ilirët dhe keltët, pastaj romakët – ata ndërtuan qytete të rëndësishme si Emona (Lubjana), Celeia (Cele) dhe Petovia (Ptuj); në Istër janë ruajtur monumente të kulturës bizantine. Tek në shekullin e ‘6 paraardhësit e sllovenëve të sotëm u vendosën në trevën më të bukur dhe në shekullin e ‘7 themeluan shtetin e parë sllav – Karatanien -, qendra e të cilit ishte Korushka (Kärnten, Austria e sotme)».

Për shkak të etikës ndaj punës sllovenët në Jugosllavinë socialiste të Titos janë quajtur shvabë, demek gjermanë. Nëse është e vërtetë se kulturën e punës sllovenët e kanë marrë nga fiset gjermane, e saktë është se idetë e lirisë atyre u kanë ardhur nga deti Adriatik. Në shekullin e ’16 predikuesi nga Korushka Primozh Trubar (1508-1586) zbuloi në Trieste humanizmin, protestantizmin dhe përfundimisht edhe kombin slloven. «Moji lubi Slovenci» («Sllovenët e mi të dashur») e quante Trubar popullin e tij. Këto fjalë konsiderohen si akt konstituiv i kombit slloven. Më 1551 ai botoi dy libra në sllovenisht: një katekizëm dhe një libër shkollor. Nën presionin e kundërshtarëve të protestantizmit Trubar iku në Tübingen të Gjermanisë. Në Urach, në krahinën e Württembergut, ai më 1561 themeloi shtypshkronjën e parë sllovene, ndërkohë që nga atdheu i tij u përzunë shumë ithtarë të protestantizmit. «Atëbotë në vendin tonë gjysma e njerëzve të ndershëm u vra dhe gjysma tjetër u dëbua. Këtu mbeti vetëm llumi i qelbur. Dhe ne jemi nipat e gjyshërve tanë», shkroi shkrimtari i madh slloven Ivan Cankar në fillim të shekullit ’20.

Natyrisht Cankar ka dashur të provokojë pak. Në Slloveni ende jetojnë njerëz të mirë – nga alpet në Adriatik. Qytete si Kopri, Izola, Pirani, Portorozhi shitrihen si primadona në det. Gati kudo vërehet ndikimi venedikas. Nga shekulli i ’13 deri në shekullin e ’18 këto qytete kanë qenë pjesë e Republikës së Venedikut, pastaj, më 1797, këndej erdhi Perandoria e Habsburgëve. Të kaluarën e kujton statuja e bronztë e Giuseppe Tartinit, i lindur më 1692 në Piran. Tartini, bir i një drejtori të mullinjve për bluarjen e kripës, konsiderohet si njëri prej violinistëve, kompozitorëve dhe teorikëve më të njohur italianë. Në Kopër promovuesit e turizmit me qejf tregojnë se dikur në këtë qytet ka qenë shkrimtari francez Stendhal dhe ka pirë kafe në «Café Loggia». Por Kopri sot më tepër është i njohur si qytet industrial, me portin që i bën konkurrencë Triestës në Itali dhe Rijekës në Kroaci. Gjiri i Piranit prej vitesh është mollë sherri mes Sllovenisë dhe Kroacisë të cilat nuk janë marrë vesh ende, një çerekshekull pas pavarësisë, mbi vijën kufitare. Kroacia ka pesë mijë kilometra plazh, një vijë bregdetare prej 1200 kilometra dhe katër mijë kilometra të tjera nëse numërohen edhe mbi një mijë ishuj të saj, por nuk është e gatshme të lëshojë pe në Gjirin e Piranit për disa metra. Sidomos në vitet para se Sllovenia të hynte në BE në Gjirin e Piranit mes anijeve sllovene dhe atyre kroate zhvillohej një garë e rrezikshme në detin e hapur. Peshkatarët e krahasonin këtë groteskë me filmin vizatimor «Tommy and Jerry».

Kur vera dhe vjeshta i thonë lamtumirë bregdetit slloven, banorët si kudo në këtë vend fillojnë të interesohen jo për filma vizatimorë, por për sportet dimërore. Ndërsa në Kosovë heroinë konsiderohet Majlina Kelmendi, në Slloveni e tillë është skiatorja Tina Maze. Me sukseset e saj në pistë Maze zgjon xhelozinë e austriakëve dhe zviceranëve, dy kombe që besojnë se e kanë shpikur rrëshqitjen me ski. Por sllovenët janë të mençur: edhe skitë i prodhojnë vetë. Në lokalitetin Begunje gjendet fabrika Elan e cila që nga koha e Luftës së Dytë Botërore prodhon, mes tjerash, ski. Themeluesi i firmës Rudi Finzgar ishte një skiator sypatrembur, kur iu bashkua lëvizjes partizane. Shpejt ai vërejti se luftëtarët ishin të pajisur dobët dhe me disa miq filloi të prodhojë ski prej druri për partizanët. Kështu disi Sllovenia u bë komb skiatorësh me qasje në det.