Kur dielli s’lind më

«Sjellësi i fatkeqësisë» – Tregimet osmane të Ismail Kadaresë dëshmojnë mjeshtërinë e tij që s’vjetërsohet kurrë, shkruan gazeta zvicerane «Neue Zürcher Zeitung».




Shumë, shumë ujë ka rrjedhur Drinës teposhtë prej se Ivo Andriqi në vitin 1945 botoi romanin e tij epokal mbi urën e gurtë të Vishegradit, për të cilin ai më 1961 mori Çmimin Nobel për Letërsi. Dhe natyrisht më vonë erdhi koha kur lumi në kufirin mes Bosnjës dhe Serbisë bartte gjak dhe kufoma – si shpeshherë në shekujt e mëparshëm, kur ky objekt me nëntë harqe paraqiste lidhshmërinë mes Lindjes dhe Perëndimit, mes botës islamike dhe asaj të krishterë. Me shikim empatik për fatin e njerëzve ky libër rrëfen gëzimin dhe tmerrin, pushtetin dhe çmendurinë. Ura si metaforë qendrore bëhet metronom i ngritjes dhe rënies së perandorive. Janë botë të perënduara, të cilat Andriqi i bën të shkëlqejnë si mit në mënyrë episodike në kronikën e tij madhështore.

Duket sikur Andriqi atëbotë, me mënyrën e tij përrallore-fabuliste të të rrëfyerit, ka gjetur një nxënës të zellshëm. Që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë neve na vijnë lajme nga bota në jug të Drinës nga pena e shqiptarit Ismail Kadare. Nga Mesjeta te pushtimi osman dhe nga kombformimi deri te komunizmi vepra e Kadaresë përshkruan mes realizmit dhe fantastikes, historisë dhe legjendës ëndrrat dhe ankthet e atdheut të tij të vetmuar, me ç’rast struktura e ngjashme me parabolën e rrëfimeve të tij vazhdimisht synon ta komentojë në mënyrë kritike edhe të tashmen.

Por Kadare tepër gjatë ka qarkulluar në rrethin e rrezatimit dhe të favorizimit nga ana e diktatorit Enver Hoxha për të mbetur i padëmtuar nga koha e terrorit stalinist. Ai jo vetëm që dështoi të marrë udhëheqjen morale gjatë kthesës politike të vitit 1989, por edhe më vonë nuk arriti kurrë ta bëjë tamam transparente rolin e tij në shtetin e dhunshëm. Ky dështim – dhe njëfarë prirje për nacionalizëm – mbase autorit tani 79-vjeçar do t’i kushtojë me Çmimin Nobel. Nuk mund të ketë dyshim se arti i tij mbresëlënës letrar do ta meritonte këtë mirënjohje më të lartë.

Raca njerëzore e ndarë në dysh

Shtëpisë botuese S.-Fischer i bën nder që besnikërisht është duke vazhduar botimin e veprave të Ismail Kadaresë të filluar nga (botuesi zviceran) Egon Ammann. Me tregimet «Sjellësi i fatkeqësisë» kjo shtëpi botuese ofron një vëllim të përkthyer për mrekulli nga Joachim Röhm – vëllim ky që për herë të parë e pa dritën e gjuhës gjermane më 1987 në Republikën Demokratike të Gjermanisë. Më shumë se tridhjetë vjet janë të vjetra këto copëza mbi fatin e Shqipërisë nën sundimin osman deri më 1912, dhe gjëja më e habitshme në to është se nuk kanë zënë aspak lëmyshk. Sidomos tregimi që i jep edhe titullin veprës, shkruar më 1983 dhe që merret me dekretin nga shekulli i 15-të që të gjitha gratë në Ballkanin e sapo pushtuar duhet të mbulohen me qëllim të islamizimit, lexohet si një koment therës dhe ironik mbi debatet notorike mbi kuptimin dhe tmerrin, lirinë e zgjedhjes dhe detyrimin, militantizmin dhe pafajësinë e mbulesës së femrave myslimane në shoqëritë moderne perëndimore.

Derisa shporrja e erotikës femërore nga publiku në Bosfor është aq e vetëkuptueshme sa ekzistenca e natës ndaj ditës, për prijësin e sprovuar të karvanëve dhe nëpunësin krenar Haxhi Miletin në Shqipëri shpaloset një realitet krejt tjetër. Ai është ngarkuar me detyrën që me një karvan mushkash t’i dhurojë në Ballkan gjysmë milioni «shami për fytyrë e trup për mbulimin e grave», të gjitha të zeza dhe të mbështjella në bohçe. Popullit pëshpëritës në kryeqytetin osman gjithsesi i konvenon të vuajnë «zonjat deri më tani të pambuluara europiane», të cilat deri më tani i përqeshnin «shoqet e tyre në Lindje» – sipas porosisë së Allahut se «raca njerëzore [përbëhet] prej dy pjesëve: një e mbuluar dhe një e pambuluar». «Monumentale, një ceremoni pikëlluese si një varrim» është mbledhja e kabinetit kur shpallet dekreti se tani e tutje greket, bullgaret, shqiptaret, boshnjaket dhe hungarezet duhet të mbrohen «nga djalli i tyre».

Për «terra incognitan» e Ballkanit Haxhi Mileti gëzon mbrojtje nga truprojat, por prapëseprapë ai nga fillimi ka një ndjenjë të pakëndshme, sepse e di se furnizimi është mision. Pas një udhëtimi njëditor atë e mundon pagjumësia në pikën e kontrollit Orman Çiftlig, ku janë të detyruar të flenë të gjithë që udhëtojnë në botën e jashtme. Por pastaj atij i jep hov «drita shkumëzore» e Perëndimit dhe e habit pamja e kishave (fatmirësisht ai sheh edhe minare), dhe së shpejti në një krua përballet me zbulimin e asaj që s’mund ta marrë me mend: «sy grash në pikë të ditës«, «vajza dhe gra me modele të ndryshme flokësh, qafë dhe këmbë të pambuluara, por para së gjithash me fytyra të pambuluara«. Befas asgjë nuk është si ishte: «Bota kishte ndryshuar. Ishte thua se zgjohesh në mëngjes nën dritën e dy diejve… Ai s’mund të largonte fare shikimin. Ja, pra, këto qenkan ballkanaset. Mërmëritja e frikshme e mijëra grave ezmere të vendit të tij u shfaq në kujtesën e tij si një re e zezë».

Tani e tutje Haxhi Mileti është me dy mendje – mes ekzistencës dhe asaj që duhet të bëjë, dijes dhe besimit, dëshirës dhe dëgjueshmërisë. Ai rishtas është dashuruar në jetë dhe në botën e re, por në fund mbizotëron obligimi i zyrtarit, që «karvani i shpëtimit» (!) të marrë epilog të mirë. Kur sërish braktis Shqipërinë me kokëfortësinë e të drejtit dhe me pikëllimin e të përulurit, ai tashmë vëren se si dekreti për mbulim i Portës së Lartë, «fermani i ferexhesë», ka sjellë shkreti në vend. Në rrugë pothuaj nuk shihen gra, gjithçka duket e ngrirë nën mallkim. Mbi «errësirën e madhe» të re tregtari e humb kontrollin dhe mendjen. Haxhi Miletin e merr në qafë «zvetënimi i grave» kur trazimi i tij gjatë natës zgjon dyshim – pasojat janë vdekjeprurëse.

Perversiteti i pushtetit

Me fuqi mbresëlënëse fjalësh dhe ilustrimesh, me dije të thellë historike dhe me sens për tragjiken, por edhe për komiken e thellë sa gremina mbi zhvillimet Ismail Kadare e bën të ndriçojë një episod të harruar nga brendësia e fatkeqësisë së përjetshme shqiptare, me ç’rast kritika politike krahas qëndrimit kritik ndaj islamit godet çdo lloj sistemi, sundimi i të cilit bazohet në paranojë dhe frikë, oportunizëm dhe denoncim, survejim dhe dhunë. Sa i përket përshkrimit të djallëzisë së sistemeve komuniste arti i Kadaresë ende gati është i vetmuar – ndoshta për shkak se forma e hapur e domethënies së parabolës përshtatet shkëlqyeshëm për të përthekuar anën surrealiste të një bote të formësuar në mënyrë totalitare, në të cilën askush nuk e di me siguri nëse mund t’i besojë tjetrit apo jo.

Se Kadare është mjeshtër i tensionit e dëshmon tregimi «Komisioni i festës» nga viti 1977, bazë e të cilit është një ndodhi e vërtetë. Pasi në fillim të shekullit të 19-të në Shqipëri dhe në treva të tjera të Ballkanit kishin ndodhur disa kryengritje kundër sundimit osman, Sulltani u bë sikur u pajtua me një kurs paqësor. Më 1830 ai i ftoi në Manastir në Maqedoninë e sotme 1000 dinjitarë shqiptarë me pretekstin se dëshironte të organizonte një banket të madh pajtues – dhe sapo ata zunë vend në trinë u masakruan bestialisht.

Këtë tmerr lexuesi nuk e parandien fare kur në fillim mëson për qarkoren patetike, butësisht despotike të Sulltani Mahmutit të II-të, sipas të cilës Shqipëria na qenkësh «një pjesë e çmueshme e shtetit tonë, një xhevahir në kurorën perandorake osmane» dhe merituaka respektin përkatës. Andaj kërkohet që në mënyrë ceremoniale të vuloset «paqja e ëmbël», gjë që e bën shumë aktive burokracinë perandorake dhe entin perandorak të protokollit jo vetëm për shkak të organizimit kompleks, por edhe në luftë kundër bizantinizmit vetjak. Këtu rrëfehet nga qendra e aparatit të pushtetit, ku shihen zelli e marrëzia, verbëria dhe vaniteti, banaliteti dhe djallëzia – me ironi gazmore dhe shaka absurde. Lufta mes kryetarëve të ndryshëm të komisioneve të ndryshme dhe nënkomisioneve, euforia mbi rëndësinë e vetvetes dhe obsesioni për t’i kryer detyrat përhapet aq shumë, saqë askush nuk dyshon. Buja e zyrtarëve të rangut më të ulët ishte pjesë e planit, andaj këta nuk tronditen më pak se lexuesi mbi kthesën e papritur të fatit.

Pastaj vjen «Breznitë e Hankonatëve», një roman në miniaturë që duket paksa i përmbledhur, i cili në një hark imazhesh që përthekon 200 vjet rrëfen në mënyrë lakonike-melankolike historinë e një familjeje nga Gjirokastra, qyteti i lindjes i Kadaresë, në ekzistencën e së cilës është thurur «peri i marrëzisë». Nga njerëzit e përbuzur që në fillim nuk dinë të orientohen, prijësi i fisit të të cilëve ka përvetësuar tokë e prona përmes një beje të rrejshme, në fund krijohet një fis i ndershëm, gjë që pasqyrohet në numrin e varreve të tij në varreza. Ajo që te Kadareja luan rol përherë është vallja e vdekjes. Askush nuk i shpëton asaj, as i pushtetshmi, as i paralizuari – ndaj tyre triumfon vetëm arti./ -lli

Ismail Kadare: Sjellësi i fatkeqësisë. Tregime. Nga shqipja Joachim Röhm. S.-Fischer-Verlag, Frankfurt, 2015. 208 faqe.