Kundërkorrupsioni i rekomandon Prizrenit anulimin e tenderit për Shtëpinë e Malorëve

Agjencia Kundër Korrupsionit përmes një opinioni ka rekomanduar Komunën e Prizrenit që të anulojë tenderin për rinovimin e Shtëpisë së Malorëve në Kopanavodë, për shkak të shkeljeve ligjore.




Kjo agjenci ka konsideruar se shkeljet e bëra nuk duhet lejuar në procedura të prokurimit, prandaj dhe duhet të shmangen dhe të mos përsëriten më, shkruan sot «Koha Ditore».

«Agjencia Kundër Korrupsionit ofron këtë opinion, me të cilin kërkohet nga ju si autoritet kontraktues që t’i ndërmerrni të gjitha veprimet e nevojshme për evitimin e shkeljeve të evidencuara në lidhje me tenderin me titull: Renovimi i Shtëpisë së Malorëve në Kopanavodë, faza e dytë, në mënyrë që të respektohen procedurat përkatëse të ligjit…», thuhet në shkresën që drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, ua ka dërguar drejtuesit të Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, dhe kryetarit Ramadan Muja.

Aty AKK-ja ka sqaruar se ka identifikuar këtë aktivitet të prokurimit si lëndë për trajtim dhe në dosjen e tenderit ka hasur në kritere që janë në kundërshtim me ligjin në fuqi për prokurimin publik.

«Në njoftimin për kontratë, tek pika II.2) Sasia apo Fushëveprimi i Kontratës, është kërkuar: *Vërejtje të gjitha materialet e përdorura duhet të jenë prej të njëjtit prodhues (KNAUF), në një pozicion në rubrikën e njëjtë është kërkuar: Furnizimi, transportimi dhe montimi i dyerve prej drurit te hapësirat e brendshme prodhim slloven, po ashtu në pozicionin e radhës kërkohet: furnizimi, transportimi dhe montimi i dritareve prej drurit apo PVC, të ngjyrosur, të elaksuar prodhim slloven me strukturë druri. Këto kërkesa janë edhe në paramasë dhe parallogari. Në paramasë dhe parallogari të dosjes së tenderit tek ndriçuesit janë kërkuar: a) PA-15 me poqe të zakonshme 60W-40W dhe c) Drita akumuluese FSN 100-16LP16W prodh. Maribor.

Të gjithë këta artikuj të lartpërmendur janë kërkuar llojet e produkteve dhe vendi i origjinës. Autoriteti kontraktues nuk duhet të përpilojë specifikimet teknike që i referohen një artikulli ose burimi të veçantë, ose një procesi të hollësishëm, ose ndonjë shenje dalluese, lloji ose origjine të veçantë, ose ndonjë prodhimi», thuhet në opinionin e AKK-së.