Kundërkandidati numëron tri shkelje në zgjedhjen e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare

Zgjedhjen e Fazli Gajrakut drejtor të bibliotekës kombëtare të Kosovës «Pjetër Bogdani», njëri nga kundërkandidatët e tij e cilëson si proces me tri shkelje.




Izet Abdyli, njëri nga gjashtë kandidatët për drejtor, pretendon se ka pasur shkelje procedurale, ligjore e konflikt interesi. Për këtë Abdyli i është drejtuar me ankesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si institucion që ka hapur konkursin për pozitën e kreut të BKK-së, shkruan sot «Koha Ditore».

«Testi me shkrim është mbajtur pa praninë e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, e që është në kundërshtim me Rregulloren për rregullat dhe procedurat e vëzhgimit për emërimin e nëpunësve civilë të nivelit drejtues», ka shkruar Abdyli në pikën e parë të ankesës. Në pikën e dytë të ankesës, Abdyli pretendon se janë shkelur edhe kriteret e konkursit. «Kandidati i përzgjedhur ka vetëm 17 muaj përvojë pune si udhëheqës departamenti e jo katër vjet siç kërkohet me konkurs», shkruhet në ankesë.

Tutje në pikën e tretë të ankesës Abdyli ka shkruar se ka edhe konflikte interesi. Në momentin e hapjes së konkursit, Gajraku ka qenë pjesë e Këshillit Drejtues të BKK-së, gjë që, sipas ankuesit, i bie që Gajraku t’ia ketë hapur konkursin vetes për drejtor.

Sipas zyrtarëve të MKRS-së, ankesa do të shqyrtohet ashtu siç e përcakton ligji.

Krejt procedurat e përzgjedhjes së drejtorit të BKK-së janë kryer derisa Ministria e Kulturës ka një rast të hapur në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me çështjen e ish-drejtorit, Bedri Zyberaj, i cili gjatë vitit të kaluar dy herë ishte emëruar në këtë pozitë me konkurse që u vlerësuan të jashtëligjshme.