Kundër qeverisë së Kosovës të themeluar nga Vuçiqi do të dalin në rrugë së paku gjysmë milioni shqiptarë

Një gjë duhet ta kenë të qartë panistët dhe panelistët e tyre të shitur: shumica kritike e shqiptarëve të Kosovës nuk pranon më qeveri të themeluar në bashkëpunim me Beogradin. 11 qershori ishte kthesë dhe mesazh. Ky ortek politik nuk ndalet më.

Foto: Shutterstock



Kush e bën qeverinë e Kosovës? Mund ta bëjë koalicioni pa vota. Koalicioni që u krijua pak para mesnatës, koalicioni i territ dhe i qindra të zezave që ia ka shkaktuar Kosovës. Krerët e këtij koalicioni – Haradinaj dhe Veseli dhe shefi i tyre Thaçi – po përpiqen prej 11 qershorit të gjejnë një dalje nga qorrsokaku politik. Për çdo ditë thonë se «i kemi votat» – dhe vërtet me ndihmën e partisë serbe të Republika Sërpskës të «Kosovës dhe Metohisë», me përkrahjen e Vuçiqit dhe Bërnabiqit, me mbështetjen e ndonjë diplomati cinik, i cili në emër të stabilitetit preferon edhe një mandat të një regjimi autokratik, bajraktarët e PAN-it në panik e sipër mund të krijojnë një qeveri sa për të thënë. Me gjasë në Kosovë nuk është vështirë të gjenden (lexo: të blihen) dy-tre deputetë, sepse paratë nuk mungojnë. Një votë – një milion euro. Pazari politik në Kosovë prej vitesh ka rënë në këtë nivel.

Mund të bëhen bashkë me PAN-in e panikut këngëtarë e fyelltarë të turbofolkut, hutaqe të pagoja, argatë të shërbimeve sekrete serbe e sovjetike, pinjollë udbashësh, krijesa pa dinjitet personal dhe publik – dhe kështu bëhet disi edhe qeveria. Një qeveri kundër vullnetit të 11 qershorit – një vullnet për ndryshim radikal të politikës në Kosovë. Një politikë që e ka futur Kosovën në qorrsokak, pa zhvillim të ekonomisë, pa gjasa për kapërcim të izolimit shumëvjeçar, pa perspektivë për të rinjtë, pa plan për të modernizuar arsimin, pa ide për të funksionalizuar administratën dhe ndërtuar një infrastrukturë në dobi të të gjithë qytetarëve.

Një gjë duhet ta kenë të qartë panistët dhe panelistët e tyre të shitur: shumica kritike e shqiptarëve të Kosovës nuk pranon më qeveri të themeluar në bashkëpunim me Beogradin. Shumica kritike ka folur më 11 qershor. Rreth 400 mijë vota janë dhënë për ndryshim. Kundër qeverisë së Kosovës të themeluar nga Vuçiqi do të dalin në rrugë së paku gjysmë milioni shqiptarë. Sepse shumica shqiptare e Kosovës nuk i duron më intrigat, dredhitë e mashtrimet, aferat e korrupsionit, privatizimet skandaloze, nuk e pranon më shumica shqiptare mentalitetin e cubit që plaçkitjen synon ta prezantojë si shërbim në të mirë të vendit.

11 qershori ka qenë mesazh dhe kthesë politike. Ky ortek politik nuk ndalet më. Këtë duhet ta kenë parasysh sidomos ata që mendojnë apo tashmë kanë bërë pazare me votën e tyre. Një gjeneratë tjetër, kritike, por edhe e zemëruar me të drejtë dëshiron të drejtojë këtë vend në një rrugë tjetër, një rrugë që synon t’i jap fund trendit negativ. Dhe trendi negativ ka qenë ky: oligarkët dhe «kumanirat» palosin miliona euro nga pasuria e grabitur publike, ndërsa njerëzit vdesin në shkallët e spitaleve pa kujdes shëndetësor, pa sigurim shëndetësor, të frikësuar për të ardhmen e tyre, pa vende pune, pa perspektivë, gjithnjë duke pritur një ditë të ndritur.

Qeveria stabile nuk mund të krijohet me marrëveshje të lidhur nëpër qymeze të Prishtinës apo në vila milionerësh autoritarë. Qeveria stabile nuk bëhet me ndihmë nga Shumadia. Qeveria stabile mund të bëhet vetëm duke marrë parasysh vullnetin politik të 11 qershorit. Atë vullnet nuk e përfaqësojnë ata që kanë halle personale dhe janë të frikësuar nga drejtësia – qoftë për shkak të krimeve të luftës që mund të kenë kryer apo dallavereve korruptive. Kosova nuk i ka borxh asnjërit udhëheqës të koalicionit të panikës. Dhe borxhet e tyre nuk janë borxhe të Kosovës. Për këtë arsye është e domosdoshme që kjo klasë politike bajraktarësh të papërgjegjshëm dhe të etur për pushtet edhe me çmim të trazirave të privohet nga mundësia e mbajtjes peng të vendit. Me një fjalë: dashakeqësit e korruptuar duhet të pengohen në dëmtimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës dhe bastardimin e vetë idesë së lirisë e pavarësisë.