Kundër paragjykimeve – jo vetëm në plazhin e Sarandës

Ditari i Sarandës (6)

Një flamur dhe një ujë mineral: pamje nga qendra e Sarandës, gusht 2016. Foto: E.R.

Ky debati se po fole në gegnisht në Shqipëri, sidomos në jug, s’të kuptojnë – ah, ky debat ta shpif. Me folë si Martin Camaj të kuptojnë gjithkund në trevat shqiptare. Me folë me këtë sllengun e garazheve të Prishtinës, siç e praktikojnë disa të rinj, herë si shenjë proteste, herë si pasojë paditurie, s’do të kuptojnë as në Pejë, as në Gjilan. Kur i ke parasysh dallimet ekstreme mes dialekteve të hapësirës gjermanishtfolëse, atëherë dialektet shqiptare duken si pipa të një dege. Flisni, kosovarë e kosovare, lirisht me paskajore – s’do e zemëroni kënd në Shqipëri, përveç ndoshta Emil Lafes, i cili mendon se të thuash: me punue, me jetue, me notue, me lexue janë fjalë të huaja, ndoshta moldave. Sepse, dorën në zemër, me paskajore në përditshmëri flet më shumë se gjysma e Shqipërisë.

Mos u hidhëroni nëse shqiptarët e Sarandës nuk dinë çdo detaj të politikës në Kosovë. Sepse edhe kosovarët në të shumtën e rasteve nuk kanë fare informacion se çfarë ngjan në Shqipëri. Sezoni turistik është rast i mirë për të zhdukur paragjykimet, të cilat janë normale për çdo komb e vend. Ka shumë paragjykime mes banorëve të Bavarisë e Hamburgut, edhe më të mëdha janë paragjykimet mes austriakëve dhe zviceranëve gjermanishtfolës – andaj s’duhet të jetë asfare befasie që ka paragjykime edhe në të mes shqiptarëve, aq më tepër që këta të fundit realisht njihen qe më pak se dy dekada.

Në sytë e shumë shqiptareve të Shqipërisë burrat kosovarë janë si hamshorë të shfrenuar – pasi kanë lënë në shtëpi haremin me dhjetë gra vijnë të mashtrojnë edhe dhjetë të tjera në Shqipëri. Është paragjykim i tmerrshëm, i ngulitur thellë në kujtesën e një pjese të shoqërisë shqiptare në fillim të viteve ’90, kur me siguri kishte gomarë shqiptarë nga Kosova e Maqedonia shqiptare (dhe sidomos nga diaspora) që vinin me një dëng marka e franga në Tiranë jo vetëm për «fast food», por edhe për «fast sex». Siç e ka thënë gazetarja amerikane Suzanne Fields «seksi i shpejtë, si ushqimi i shpejtë, nuk kushton, por nuk e ushqen as trupin, as shpirtin». Do të ketë përherë njerëz që nuk e kuptojnë këtë, për shembull ka zviceranë, gjermanë, holandezë, anglezë që për turizëm seksual shkojnë në Tajlandë apo në vende të tjera. Por askush në Shqipëri nuk ka paragjykime ndaj tyre. Ndaj kosovarëve në vitet ’90 s’kishte vetëm paragjykime, por edhe racizëm.

Të kësaj kategorie të ulët janë edhe paragjykimet e një pjese të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare ndaj shqiptarëve të Shqipërisë. Sjellja e tyre prej kapadaiu sapo të futen në Shqipëri, arroganca, mendimi idiot se shqiptarët e Shqipërisë janë vetëm mashtrues, trafikantë, kusarë, bindja se çdo njeri që qëndron pranë rrugës potencialisht është vartës i Zani Çaushit, i gatshëm t’ia falë Shqipërinë Greqisë dhe ta plaçkit kosovarin apo tetovarin, kanë bërë të betonohen disa paragjykime. Disa kosovarë madje deri vonë mendonin se pak përtej Tiranës fillon Greqia.

Për fat të mirë numri i kosovarëve të tillë – ndërkohë – është i shpërfillshëm, po aq sa numri i atyre shqiptarëve të Shqipërisë, të cilët, ndonëse nuk kanë qenë kurrë në Kosovë, mendimin për kosovarin imagjinar e kanë sa të qartë po aq të gabueshëm. Saranda nuk i ka nxirë vetëm lëkurat e shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por i ka nxirë e zhdukur edhe shumë paragjykime.

Në kohërat e globalizimit shqiptarët duhet të pajtohen me mendimin e shkrimtarit gjerman me origjinë turke Zafer Șenocak, i cili thotë: «Atdheu i vërtetë i një njeriu është bota e tij e brendshme. Kufijtë e tij nuk përkojnë doemos me kufijtë e vendit të tij». Ka diçka më të madhe – ajo shpeshherë është bota liberale perëndimore, prej së cilës kemi përfituar pa masë si shoqëri shqiptare në çerekshekullin e fundit. Por ka edhe diçka që quhet botë shqiptare, që na i ngroh zemrat jo duke urryer të tjerët, por duke shquar vlerat tona të përbashkëta: gjuha, mikpritja, toleranca (jo vetëm fetare), pragmatizmi sa i përket dallimeve – gjithnjë sipas motos: jeto dhe lëre tjetrin të jetojnë si do vetë, me kusht që nuk e cenon lirinë tënde.

Kristo Floqi, avokati dhe publicisti patriot nga Korça, i cili ishte bashkëthemelues i Vatrës në Amerikë dhe botues i gazetës Dielli, ka shkruar një prozë poetike («Atdheu juaj»), e cila, në fakt, do të duhej të vendosej si pllakë në ndonjë institucion publik në Tiranë dhe Prishtinë. Po e sjellim të plotë këtu, si rezyme të këtij teksti:

«Po kush është atdheu juaj, o djelm! Atdheu juaj nuk është fusha ose kodra e katundit tuaj, xhamia ose kisha e fshatit, minaretë ose kambanoret kryepërpjeta, oxhaqet e shtëpive, ose kasollet tuaja. Atdheu juaj është Shkodra për Korçarin, Korça për kosovarin, Kosova për Kolonjarin, Kolonja për Hotasin dhe Grudasin, Hoti e Gruda e Plava e Gusia për Devollasin e Danglliasin, Devolli e Dangllia për Bregdetasin e për Çamin dhe Çamëria e Himara për Dibranin dhe Lumjanin. Atdheu juaj është gjithë toka shqiptare brenda e jashtë e përtej detevet e kudo, ku ka shqiptarë e ku flitet gjuha e lehtë e e bukur, gjuha tingëllore e Shqipërisë. Atdheu është gjaku ynë, i prindëvet, e i të parvet tanë, ai gjak i vlertë që është derdhur mbi altarin e Atdheut për shpëtimin e tij.

Është bashkimi ynë dhe dëshira për një rrojtje të lirë e të panjolltë; është qielli i bukur e i kaltër që mbulon Shqipërinë, është Dielli i flakët e i ëmbël që ndriçon Shqipërinë, është deti i blertë me tallazet e valët e tij që përlag zallet e Shqipërisë, janë fusha e malet e kodrat e bregoret e pllajat e rripat e liqenjt e lumenjt’ e kulluar të Shqipërisë! Atdheu është Kombi ynë i prirë prej flamurit tonë kuq e të zi dykrenor, që duhet ta duam me mish e me shpirt e ta adhurojmë e ta mbrojmë me gjakun tonë. Ky është, djelm, Atdheu juaj!»