Kundër mikpritjes shqiptare për kuçedrat ortodokse

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse Kirili I nuk do të duhej të mirëpritej në Shqipëri – jo vetëm për shkak të kundërshtimit të rreptë që i bënte çlirimit të Kosovës. Nuk duhet toleruar as sjelljet shpeshherë antishqiptare të kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare, shtetasit grek Janullatos. Vladimir Mihaileviq Gundjajev (Kirili I), i cili gjen dyert e mbyllura me shtatë dryna kudo në Europë për mbështetjen që i jep Vladimir Putinit, nuk bën më të gjejë livadh në Shqipëri. Pritja që i bëri kryeortodoksit rus presidenti i Shqipërisë është skandaloze dhe për këtë do duhej hetuar Ilir Meta për abuzim të detyrës zyrtare.

Kirili I në Tiranë.



Që Ilir Meta, një i pandehur për krim ekonomik i cili sot shërben si president i shtetit shqiptar, nuk është lulja e intelektit, këtë e dinim të gjithë. Por se ai vuan nga varfëria e gjykimit dhe mungesë e plotë e dinjitetit njerëzor, deri atje sa të presë e të gostisë klerikë të shprehur si armiq të hidhur të shqiptarëve, këtë nuk ma merrte mendja.

Vladimir Mihaileviq Gundjajev, si quhet në të vërtetë kreu i kishës ruse, ka kryer vetëm filloren 9-vjeçare jashtë kurseve e seminareve të kishës. Ai ka punuar me kadastra e gjeodezi në katundet rreth Shën Peterburgut, derisa i erdhi ideja lukrative të merret me fe. Edhe kreu i ortodoksëve shqiptarë Anastas Janullatos ka të njëjtin gjysmëndërtim, vetëm gjimnaz jashtëfetar, e «doktorata» me thasë në teologji nga seminare të kishës. Si dihet, një doktoratë në teologji është goxha shpesh baraz me doktoratë në kuçedrologji, ku studiohen luspat e kthetrat e kuçedrave. Do theksuar se «akademitë» fetare, përkundër emrave pompozë, as nuk numërohen fare në krahasimet e rregullta ndërkombëtare të selive shkencore, shkaku i mangësive – do të donim të thoshim mangësive shkencore, por aty shkenca hyn veç si hyzmeqare e fesë, ndaj s’po e përmend fare. Këta dy fallco janë, pra, klerikët që priti e gostiti Ilir Meta, president i hetuar për ryshfet e krime ekonomike.

Dorën në zemër, kanë të njëjtin nivel të tre, e u shkon të rrinë bashkë. Problemi është, se i pandehuri për krime ekonomike, Ilir Meta, rastis të jetë president i Shqipërisë; ndërsa ata dy bashibozukët fetarë që ai priti e gostiti në këtë cilësi, pra si president shqiptar, janë shprehur hapur si armiq të shqiptarëve. Gjeodezisti i kadastrave Gundjajev, i bërë kreu i ortodoksëve rusë, ka kthyer kishën në mashë qorre të pushtetit. Gundjajev ka përkrahur pushtimet ruse në Ukrainë, ka kritikuar Europën për sekularizëm e të drejta të tepruara, e është bërë i njohur për lëvdatat e veta makabre për regjimin sovjetik. Ai është shprehur disa herë kundër pavarësisë së Kosovës. «Ne mbështetim vijën serbe në Kosovë», thotë ai në një shkrim të tijin në vitin 2017, thënie kjo që e gjen në plot tjera shkrime të mëhershme të tij.

Jo fort ndryshe prej tij është shprehur dhe Janullatosi, ta zëmë për sekularizmin. Dhe më 1999, kur demokracitë sekulariste ndërhynë për të ndihmuar shqiptarët në Kosovë, Janullatosi u mblodh me fallcot tjerë ortodoksë e nënshkroi – në cilësinë e kreut të kishës shqiptare! – një thirrje për të reshtur ndërhyrjen. Thirrja «kristiane» erdhi në momentet kur 1 milion shqiptarë ishin dëbuar nga Kosova: them se nuk do fort shkollë, bile mjafton me teologji, për të kuptuar se çfarë do të ndodhte me Kosovën dhe me Shqipërinë, sikur demokracitë sekulariste të kishin reshtur luftën ashtu si donte Janullatosi me shokë. (Dhe mos u gënje se Janullatosi vepron ashtu pse qenka parimor, e dashka paqen e Zotit. Se ai nuk bën as gëk as mëk për paqe kur klerikët serbë thërrasin çdo vidovdan për luftë në Kosovë. Nuk kërkon paqe kur Rusia sulmon një pas një fqinjët e vet, azerët, gjeorgjianet, a ukrainasit. Dhe nuk i shkon ndërmend të kërkojë nga atdheu i vet, Greqia, as heqje të gjendjes së luftës me Shqipërinë, as ulje të shpenzimeve ushtarake.)

Edhe fakti që Janullatosi ftoi e organizoi vizitën e Gundjajevit në Shqipëri nuk mund të interpetohet ndryshe veç si thikë tinëzare në shpinë të shtetit shqiptar. Janullatosi e di fort mirë që Gundjajev është non grata në BE, shkaku i mbështetjes që i ka dhënë e vazhdon t’i japë Vladimir Putinit. Vizita e Gundjajevit në Bullgari, ta zëmë, shkaktoi probleme të rënda për qeverinë e atjeshme. Vetë Greqia, atdheu i Janullatosit, nuk e ka ftuar Gundjajevin për vizitë.

Duke njohur fort mirë injorancën dhe, sinqerisht, tradhëtinë latente që gëlon në radhët e klerit, etërit e shtetit shqiptar u kujdesën që në krye të herës për të sajuar një shtet laik sipas modelit francez, ku shteti në një anë, e kleri dhe feja në anën tjetër, qëndrojnë ndaras. Klerikët e huaj le t’i ftojnë klerikët tanë dhe anasjelltas – detyrë e shtetit është vetëm të lëshojë vizën, ose jo. Kaq. Dhe Gundjajevit askush me dy fije mend në kokë nuk do t’i lëshonte vizë.

Por kur ke politikanë të poshtër e të korruptuar si në Tiranë, ata ta bëjnë edhe shtetin kishë. Domethënë qerthull debilash injorantë që nuk shohin më larg se hunda vetjake. Gundjajev, i cili gjen dyert e mbyllura me shtatë dryna kudo në Europë për mbështetjen që i jep Putinit, nuk bën më të gjejë livadh në Shqipëri. Vendi ynë nuk bën të shndërrohet në kryeurë të ndikimit rus në Ballkan shkaku i qorrllëkut të politikës. Ilir Meta në çdo vend normal në botë do të hetohej sot për abuzim të rolit të vet kushtetues. Hapni sytë katër, e mbrojeni laicizmin e shtetit! Ndryshe pasojat do t’i vuajmë të gjithë në shtatë breza.