Kundër keqpërdorimit të ramazanit në fushatën elektorale

Shumë kandidatë për Kuvendin e Kosovës po përpiqen të tregohen tepër besimtarë këto ditë të para të ramazanit. Mos u besoni. Sepse besimi i tyre i vetëm fillon dhe mbaron te mashtrimi.

Foto: Shutterstock



Religjioni është çështje thellësisht private. Se cilit profet i beson një njeri është çështje e tij, çdo njeri ka të drejtë t’i besojë çdo idhulli që i pëlqen dhe të kërkojë atë fe, zot apo libër të shenjtë që i duket më i afërt me vlerat që janë në pajtim me logjikën e tij. Se çfarë ndodh brenda një njeriu besimtar nuk është çështje e interesit publik. Kush ndërhyn në këtë botë personale bën një akt të ngjashëm si plaçkitja e një shtëpie. Po flasim, natyrisht, për besimtarët që fenë e praktikojnë në mënyrë paqësore. Dhe shumica e besimtarëve janë të tillë – pa marrë parasysh cilës fe i takojnë.

Nëse religjioni është punë private e secilit, rrjedhimisht punë private është edhe agjërimi. Vendimin e merr secili besimtar për vete. Po aq sa nuk kemi të drejtë të tallim atë që agjëron, nuk kemi të drejtë as të paragjykojmë atë që nuk agjëron. Sepse çdo besimtar përgjigjet për vete para zotit të tij.

Fushata elektorale në Kosovë sikur i ka pezulluar këto rregulla të pashkruara mbi fenë si çështje private. Ndërsa është plotësisht legjitime që njerëzit t’i urojnë njëri-tjetrit ramazanin dhe t’i japin vetes zemër për të kaluar sa më lehtë këtë sfidë, është e pandershme që ramazani dhe feja në përgjithësi të keqpërdoren për qëllime elektorale. A do të jetë deputet më i mirë ai që agjëron apo një që nuk agjëron? Këtë nuk mund ta di asnjë votues paraprakisht. Bilanci bëhet në fund të mandatit, kur të shihet sa është angazhuar një deputet në përfaqësimin e interesave të qytetarëve në parlament.

Shumë kandidatë po e shohin të nevojshme të tregojnë se po agjërojnë. Të tjerët po postojnë fotografi nga iftaret e tyre me shokë, dashamirë e familjarë. A do ta mbulonin këta njerëz Facebookun me këso sihariqesh fetare nëse fushata elektorale të mos zhvillohej gjatë ramazanit? Duhet dyshuar. Paradat fotografike në Facebook mbi politikanët që krahas elektoratit po i përkushtohen edhe ramazanit janë një mashtrim. Janë një përpjekje e kandidatëve për të bindur votuesin se nuk janë të tillë siç votuesi i njeh – kryesisht mashtrues ose sherbëtorë të partive mashtruese.

Në Kosovë ka filluar fushata elektorale dhe jo pelegrinazhi fetar elektoral, gjatë së cilit keqpërdoret feja për poenë politikë. Për votuesin që jeton në Kosovë edhe 11 muaj të tjerë krahas muajit të ramazanit është me rëndësi të shohë se çfarë ofrojnë realisht kandidatët. A do të angazhohen që në 4 vitet e ardhshme të përmirësohet cilësia e ajrit? Sa rrugë do të asfaltohen? Si do të përmirësohet cilësia e shkollimit? Si do të zhvillohet ekonomia? Çfarë investimesh do të bëhen në bujqësi? Brenda cilit afat do të zgjidhen tri çështjet tepër të ndërlikuara: demarkacioni me Malin e Zi, asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe heqja e vizave? Cila parti do të merret vërtet me disa nga problemet më të mëdha të Kosovës: xhunglën urbane, ndërtimet pa leje, shkatërrimin e ambientit? Dhe me miliona probleme që e mundojnë shoqërinë kosovare.

Meqë shumica e kandidatëve nuk kanë përgjigje në këto pyetje, meqë shumica e tyre i kanë hyrë garës jo për t’i shërbyer qytetarëve, por për të gjetur një vend pune në parlament në një vend me papunësinë mbase më të lartë në Europë, gjimnastikat dhe shtirjet me ramazan, me iftare, me taravi e avdes shërbejnë vetëm si dekor për t’u dukur të devotshëm. Por, devotshmëria e tyre nuk ka të bëjë asgjë me fenë, është devotshmëri ndaj idhujve të rrejshëm politikë. Deri më 11 qershor do të dëgjojmë më shumë se një kandidat duke thënë: «Unë i falë pesë momente». Atëherë komedia do të jetë e përsosur.