Kundër instrumentalizimit të Shqipërisë për betejat populliste austriake

Refugjatët le të rrinë në kampe në Shqipëri. Kjo duket se është kërkesa e kancelarit austriak Sebastian Kurz ndaj qeverisë së Tiranës. Në prapavijë kjo ide synon dëmtimin dhe rrëzimin e kancelares gjermane. Shqipëria nuk duhet të bëhet pjesë e këtyre lojërave të ndyra të popullistëve nga Vjena.



Popullistët nuk mund të jetojnë pa fushata permanente elektorale. I tillë është edhe kancelari austriak Sebastian Kurz. Para disa ditësh ai mori një vendim të duhur: vendosi të mbyllë disa xhami dhe të dëbojë imamë që financohen nga Turqia. Por, mënyra se si e kumtoi këtë vendim, tregon se ai nuk heq dorë nga popullizmi: herët në mëngjes, bashkë me disa ministra, ai doli para opinionit për të treguar se çfarë do të bënte qeveria e tij kundër fanatikëve islamikë. A ishte kjo e nevojshme? Jo. Sepse Austria nuk ishte sulmuar nga terroristët. Synimi i popullistëve austriakë ishte të dramatizojnë situatën.

Popullistët duhet të jenë 24 orë në fushatë elektorale. Kurz thotë se ai është meritor për mbylljen e rrugës ballkanike përmes të cilës vinin refugjatët. Kjo nuk është e vërtetë. E vërteta e madhe është se Turqia u ka bërë strehë rreth 3 milionë sirianëve dhe ka lidhur një marrëveshje me Bashkimin Europian për të penguar ikjen e tyre në shtetet anëtare të BE-së. Mund të kritikohet pa masë regjimi i Ankarasë për shkeljen e të drejtave demokratike dhe të njeriut, por sa i përket refugjatëve sirianë Turqia ka treguar solidaritet të madh.

Për të mbyllur gjoja rrugën ballkanike Kurz përkrahu në zgjedhjet maqedonase diktatorin e vogël të Shkupit, Nikolla Gruevskin. Pa sukses. Ditëve të fundit burime të ndryshme diplomatike dhe media kanë njoftuar se Kurz prapa kulisave është duke i bërë presion qeverisë së Shqipërisë që të hapë kampe për pranimin e refugjatëve. Ata do të qëndronin në Shqipëri, ku nuk ka sistem atraktiv social si në Austri dhe vende të tjera perëndimore. Kundër kësaj ideje ka protestuar komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, përndryshe koleg partiak i Kurzit. Hahn tha se ishte kundër që vendet e Ballkanit të shndërrohen në «parking» për refugjatë.

Pikërisht këtë po e synon Kurz, duke u përpjekur të instrumentalizojë Shqipërinë në betejën e tij për t’u bërë udhëheqës i të djathtës radikale në BE. Qeveria e Edi Ramës nuk duhet të bëhet pjesë e këtyre lojërave të ndyra. Numri i refugjatëve që vijnë në BE ka rënë ndjeshëm që nga viti 2015, kur erdhi vala e madhe. Me politikat e tij alarmante kundër të huajve, Kurz po zhvillon një fushatë edhe kundër kancelares gjermane Angela Merkel, e cila akuzohet se ka gabuar rëndë kur më 2015 hapi dyert për pranimin e qindra-mijërave refugjatëve sirianë. Në këtë betejë Kurz ka krijuar aleancë me ministrin e Brendshëm gjerman Horst Seehofer, kryeministrin e Bavarisë, Markus Söder, ministrin gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn. Qëllimi i të gjithë këtyre është dëmtimi dhe – herët apo vonë – rrëzimi i Angela Merkelit. Edi Rama nuk duhet të bëhet pjesë e kësaj loje. Rama duhet të insistojë që Shqipëria do të japë kontributin e saj për të zbutur krizën e refugjatëve vetëm nëse ekziston në ujdi brenda vendeve të BE-së.

Ditëve të fundit ministri i Brendshëm gjerman Horst Seehofer nga CSU (partia simotër e CDU-së së kancelares Angela Merkel) ka paralajmëruar se çdo refugjat që do të vijë në Gjermani do të dëbohet në kufi nëse është regjistruar në vende të tjera të BE-së. Merkel insiston që zgjidhja të gjendet në bisedime me vendet e BE-së, sidomos me Italinë, Spanjën, Greqinë, ku hyjnë shumica e refugjatëve. Se si do të përfundojë kjo dramë mbetet të shihet në ditët në vijim.