Kundër grave pilote dhe mësueseve të martuara

Në vitin 1985 kompania ajrore gjermane «Lufthansa» kundërshtonte pranimin në punë të grave pilote. Ndërsa kompania amerikane «United Airlines» deri në vitin 1970 ofronte fluturime vetëm për burra në dy vija ajrore. Deri në vitin 1951 mësueset gjermane e kishin të ndaluar të martoheshin.

Vetëm për burra: Reklamë e kompanisë ajrore «United Airlines».



I.
Një zëdhënës i kompanisë ajrore gjermane «Lufthansa» në vitin 1985 thoshte se nuk mund të pranojnë gratë si pilote për shkak se ato synojnë emancipimin dhe duan të jenë më të mira se kolegët burra në kabinën e avionit. «Mendësinë konkurruese nuk mund ta tolerojmë fare në kabinë», thoshte ai. Zëdhënësi shkonte më tutje duke thënë se në kabinën e pilotit kërkohet të mendosh logjikshëm, të veprosh pa emocione, të kesh dhunti kombinimi dhe sens për probleme matematike dhe fizike. «Bie në sy», thoshte zëdhënësi, «se gratë nuk dinë çfarë të bëjnë kur kanë ndonjë defekt në veturë». Kështu njoftonte gazeta gjermane WAZ më 12 dhjetor 1985. Përfundimi absurd: gratë s’dinë të mendojnë logjikshëm.

II.
Nga viti 1953 deri në vitin 1970 kompania ajrore amerikane «United Airlines» ofronte fluturime vetëm për burra në relacionin New York-Chicago dhe Los Angeles-San Francisco. Megjithatë, avioni nuk fluturonte pa gra: stjuardesat ishin të lejuara. Ato shërbenin burrat me cigare puro, koktej, papuçe dhe mish.

III.
Në vitin 1983 deputeti i të Gjelbërve gjermanë Waltraud Schoppe kërkoi t’i jepet fund «seksizmit të përditshëm». Ai tha: «Kërkojmë dënim në rast të dhunimit gjatë bashkëshortësisë. Kërkojmë prej jush që më në fund të pranoni se edhe gratë kanë të drejtë të vetëvendosjes mbi trupin dhe jetën e tyre. Kërkojmë nga ju t’i jepni fund racizmit të përditshëm këtu në parlament», deklaroi Schoppe. Protokolli i parlamentit gjerman ka nënvizuar se gjatë fjalimit deputeti u përqesh nga partitë konservatore CDU, CSU, FDP.

IV.
Deri në vitin 1951 mësueset gjermane e kishin të ndaluar të martoheshin. Kjo histori fillon më herët. Në kuadër të lëvizjes së emancipimit në shekullin e ’19 gratë në viset gjermane përpiqeshin të depërtonin në institucionet arsimore – qoftë për t’u kualifikuar apo për të dhënë mësim. Ato u lejuan të dhënë mësim, por me një kusht: nuk lejoheshin të martoheshin. Nëse mësuesja martohej, ajo përjashtohej nga puna. Pas presionit të socialdemokratëve ndalesa u hoq më 1919, por u kthye prapë për shkak se qarqet konservatore mendonin se gruaja e martuar nuk mund të ushtrojë një profesion, sidomos jo mësuese. Në vitin 1950 rreth 50 për qind e personelit arsimor në Gjermani ishin gra, andaj perandoria e burrave qe e detyruar të dorëzohet dhe të lejojë që edhe mësueset të mund të martohen.