Kundër dhunës!

Një apel në prag të votimit për marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.

Nesër Kuvendi i Kosovës do të gjendet para një detyre të vështirë: të votojë apo të refuzojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi. Debati i munguar shoqëror për këtë temë ka prodhuar një krizë të thellë politike në Kosovë, me akuza të rënda – si nga mbështetësit ashtu dhe nga kundërshtarët e kësaj marrëveshjeje aq të dyshimtë. Në këtë betejë duket se nuk ka patriotë, por vetëm polarizues agresivë nga të dyja palët. As pushteti, as opozita nuk mund të pretendojnë se e zotërojnë të vërtetën.

Në këtë situatë të rëndë, në këtë qorrsokak zërat që thërrasin për qetësi mbase nuk do të dëgjohen fare. Megjithatë, në këtë betejë politike qytetarët e Kosovës nuk duhet të marrin pjesë nëse nga cilado palë synohet të përdoret dhuna. Sepse dhuna e shkatërron Kosovën. Dhe për të shpërthyer dhuna në Kosovë ka mjaft të interesuar – më së shumti një interes të tillë e ka Beogradi me aleatin e vet të madh, Moskën. Jo më larg se dje ambasadori rus në Beograd deklaroi se në rajon ka përpjekje për të shkaktuar situata të «kaosit të kontrolluar» – ngjashëm me skenarët e Ukrainës, Afrikës Veriore dhe Lindjes së Afërt. Nuk duhet fantazi e madhe për të kuptuar se kush ka qëndruar pas skenarit ukrainas në fillim të vitit 2014.

Nëse për Kosovën nuk po mendojnë ata që i kemi zgjedhur për të na përfaqësuar, atëherë këtë tani, më shumë se kurrë që nga viti 1999, duhet ta bëjnë qytetarët e përgjegjshëm të Kosovës. Ata duhet t’i thonë jo dhunës! Dhe t’i shmangen asaj. Edhe nëse janë bërë gabime në caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duhet bërë përpjekje që gabimet të korrigjohen. Mali i Zi nuk është shtet armik i Kosovës. Përkundrazi. Podgorica e ka ndihmuar Kosovën në momente të rëndësishme. Dhe shqiptarët, nga ana e tyre, e kanë ndihmuar këtë vend të pavarësohet dhe të shkëputet nga ndikimi serb dhe rus. Pala malazeze ka shprehur gatishmëri për të korrigjuar gabimet e mundshme. Presidenti i Malit të Zi tha se «nuk na duhet asnjë centimetër tokë e Kosovës». Nuk kemi arsye të mos i besojmë.

Pushtetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se ka ardhur fundi i lojërave cinike dhe konspirative. Lojëra të tilla pushteti i Kosovës ka lozur jo vetëm në lidhje me demarkacionin. As nuk janë informuar, as nuk janë konsultuar qytetarët. Por, çdo pushtet duhet ta ketë të qartë se legjitimiteti vjen nga qytetarët dhe jo nga jargavitja pas ambasadorëve të huaj, qofshin ata edhe miqtë më të mirë të Kosovës.

Me kryeneçësinë e tmerrshme për të miratuar demarkacionin qeveritarët e Kosovës po tregohen në radhë të parë të papërgjegjshëm ndaj shoqërisë kosovare, ndaj 2 milionë banorëve të saj. Nuk është turp, as shenjë dobësie të thuhet se mbase janë bërë gabime gjatë caktimit të vijës kufitare me Malin e Zi. Fundja, ka mjaft deputetë të pozitës që po dyshojnë në punën e Hashim Thaçit dhe hyzmeqarit të tij Isa Mustafa. Pikërisht për shkak të kundërshtimit të disa deputetëve të PDK-së dhe LDK-së është shtuar nervozizmi i krerëve të shtetit. Nëse figura të fuqishme të PDK-së si Xhavit Haliti apo cirkusanti Adem Grabovci thonë se nuk janë të bindur me rezultatin e marrëveshjes, atëherë Kadri Veseli, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa duhet të tërhiqen tani për tani nga synimi për të kaluar në Kuvend me shantazh marrëveshjen e demarkacionit. «Na kanë thënë këta të huajt», «na i kanë pre teshat pa na pyetur» – më këso argumentesh të pushtetit nuk bindet askush. Andaj nuk është tragjedi nëse nesër nuk miratohet demarkacioni me Malin e Zi. Nuk është tragjedi nëse nuk liberalizohen vizat më 1 janar 2017, nëse çmimi i këtij liberalizimi është kallja e Kosovës. Atëherë askujt në Kosovë nuk do t’i duhet vizë për të ikur, qytetarët do të ikin pa viza.

Këtë situatë të tmerrshme e ka shkaktuar në radhë të parë pushteti i PDK-së i mbështetur nga partia-patericë LDK. Pikërisht për këtë arsye opozita duhet të dëshmohet si më e përgjegjshme se pushteti. A është opozita e përgjegjshme? A është Lëvizja Vetëvendosje – si opozitë e vetme serioze në këtë vend – në nivelin e përgjegjësisë historike? Dyshimet janë të mëdha. Nuk i dhimbset vetëm Vetëvendosjes ky vend. VV nuk mund të sillet, siç po sillet, si gardiane e vetme e interesit kombëtar. Obsesioni pas pushtetit po e shkatërron kauzën e VV-së për shtet funksional. Mirë që flasin krerët e VV-së kundër demarkacionit dhe kundër bashkësisë së komunave serbe në Kosovë, por le të flasin pak edhe për figurat politike të PDK-së që i kanë pranuar në radhët e tyre dhe të cilat po luajnë role në aferën Pronto II, detajet e së cilës po na i sjell çdo ditë me zë portali Insajderi.

Për dallim nga kriminelët dominues në PDK, hajdutët e LDK-së që thirren në emrin e Ibrahim Rugovës, haraçmbledhësit e AAK-së, të dyshuarit për korrupsion të Nismës për Kosovën, në Lëvizjen Vetëvendosje ka njerëz që kanë ende ideale për këtë vend. Të kesh ideale domethënë të jesh i gatshëm të sakrifikosh shumë për këtë vend. Të tillë ka mjaft në VV. Por, VV duhet ta kuptojë se në betejat politike është me rëndësi të mos vallëzosh me daulle të të tjerëve. Me apo pa vetëdije! Krerët e VV-së duhet ta pyesin veten: përse nuk po arrijnë të mobilizojnë popullin për ndryshime të mëdha dhe të domosdoshme në këtë vend? Sepse shpresa nuk ngjallet duke e mbajtur flamurin kombëtar në njërën dorë dhe në tjetrën gazin lotsjellës.

VV duhet të largohet nga ndjekja e logjikës së komisarëve të Kurveleshit, të cilët nga Tirana janë infiltruar në VV dhe duan t’u japin leksione për patriotizëm shqiptarëve të Kosovës. Këta komisarë kanë një atdhe rezervë, shqiptarët e Kosovës nuk e kanë. Për këtë arsye dhe miliona të tjera krerët e VV-së duhet të mendojnë për interesin e vendit dhe jo për agjendat ditore. Ne do të jemi dëshmitarë se si shumë eksponentë të pushtetit të tanishëm do të përfundojnë në plehun e historisë, por që ky proces të përshpejtohet, VV duhet t’u përkushtohet temave me të cilat ballafaqohet çdo qytetar për çdo ditë dhe të lë anash «çështjet madhore», siç është bashkimi me Çamërinë dhe Kalabrinë. Ky pushtet duhet të bie, por me votë, pa dhunë. Këtë duhet ta kuptojë edhe Lëvizja Vetëvendosje.