Kundër analfabetizmit, me gjithëpërfshirje dhe shkollim modern




Grupi i fundit që përbëhej nga nxënës të klasave të teta, i emërtuar si «këndi i diskutimit», dukej se i bëri më së shumti përshtypje ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie.

 

Ai është ndalur më së shumti tek ky kënd, gjatë një vizite që u ka bërë nxënësve të Kosovës në aktivitetin e organizuar nga USAID-i, të martën, në sheshin e Prishtinës, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Shkrim-Leximit. Ambasadori është shoqëruar edhe nga drejtori i USAID-it, James Hope, dhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, shkruan sot «Koha Ditore».

Ambasadori Delawie, i cili nuk është prononcuar për mediet, është ndalur më së gjati tek ky grup i fëmijëve, nga afro 100 të tjerë, sa po merrnin pjesë në këtë aktivitet, dhe ka shikuar fotografitë e renditura në dy radhë – në njërin ishin shkruar fjalë për shoqëritë e zhvilluara dhe me integritet, e paralel me to foto me pamje të shoqërive të korruptuara dhe pa integritet. Organizatorët i treguan ambasadorit se me këtë kanë dashur të nxisin debat, se në cilën shoqëri do të zgjedhin të rinjtë për të jetuar.