Kultura ia sheh sherrin ministrit Shala [video]

Që nga emërimi i Kujtim Shalës në krye të Ministrisë së Kulturës, ndryshimet në institucionet përkatëse nuk kanë të ndalur dhe situata e krijuar në skenën kulturore shpeshherë u quajt kaos.

Galeria Kombëtare e Kosovës ka më shumë se tetë muaj që është futur në një qorrsokak e nga ku nuk po arrin ta gjejë udhëheqësin adekuat edhe pas hapjes së pesë konkurseve nga ana e MKRS-së, raporton emisioni «Express» i KTV-së.

Ndërsa festivalet e ndryshme që vareshin nga shteti për financim, ishin ato që pësuan më së keqi nga shkurtimi i subvencioneve nga po kjo ministri.

Festivali i Jazz-it në Prishtinë, Skena Up, «Nine eleven», Kamer Fest janë vetëm disa prej festivaleve që u shtynë për vitin vijues e disa të tjerë u anuluan tërësisht. Festivali 9/11 është i fundit që ka konfirmuar se nuk do të organizojë edicionin e sivjetmë.

Për shkak të shkurtimit të buxhetit nga MKRS-ja, drejtori i festivalit, Blerim Gjoci, është detyruar të heqë dorë nga organizimi i 9/11 pas 13 vjetëve. Ky festival, që nga viti 2003 e deri vjet, ka prodhuar gjithsej 115 filma shqip, duke qenë stimulim, veçanërisht për gjeneratat e reja.

9/11 nuk mbetet i vetmi që ka hasur në vështirësi organizimi për shkak të mospërkrahjes së MKRS-së. Shumë të tjerë u shtynë për një vit, e disa të tjerë nuk dihet nëse do të kenë fatin e 9/11.

Një çështje tjetër e cila u konsiderua kryekëput dështim i Ministrisë së Kulturës është Galeria Kombëtare e Kosovës.

Ky institucion kulturor nga shtatori i vitit të kaluar është pa zot shtëpie. Konkurset e shpallura nga ana e Ministrisë së Kulturës për të parin e Galerisë së Arteve, deri tani janë konsideruar se kanë krijuar vetëm situata, por jo edhe zgjidhje të problemit.

Emisioni Express ka shtjelluar detajisht këtë çështje dhe veprimi më i mençur për t’i dhënë fund këtij procesi zvarritës, sipas ish-drejtorit e GKK-së, Erzen Shkololli, është shkarkimi i Këshilli Drejtues të Galerisë. Në këtë mënyrë, sipas tij, do të hapeshin rrugët për emërimin e njerëzve të rinj, të cilët do ta kryenin punën e tyre në favor të institucionit që ka mbetur për më shumë se gjysmë viti pa drejtor.

Zvarritja e procesit të përzgjedhjes së drejtorit të GKK-së u cilësua tejet dëmtues për prezantimin e artit pamor të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Me ndryshimin e menaxhmentit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, u prit edhe përmirësimi i gjendjes në këtë institucion kulturor. Por sërish hasën në vështirësi gjatë punës, ku shkak ishte pikërisht Ministria e Kulturës.

Premiera e shfaqjes në TKK, e cila u dha më 7 qershor, ka qenë dashur të jepet më 23 maj. Ajo u shty për më shumë se dy javë, pasi MKRS-ja nuk i kishte ndarë mjetet financiare me kohë.

Kështu të paktën pati deklaruar drejtori i Teatrit, Agim Sopi, duke thënë se vonesa është bërë për shkak të vonesave të Ministrisë së Kulturës për të alokuar mjetet – gjë që, sipas tij, ka pamundësuar përgatitjen e skenografisë.

Por, në Ministrinë e Kulturës për gjithçka kanë një arsyetim, pak rëndësi ka se a pranohet a jo nga të tjerët. Sa u përket pagesave, sipas tyre, vonesa ka ndodhur pasi kanë qenë në pritje të miratimit të Rregullores për pagesat e të angazhuarve në shfaqjet e Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke përfshirë aktorët rezidentë e jo rezidentë.

Sidoqoftë, premiera e kësaj shfaqjeje u dha më 7 qershor, 15 ditë më vonë se koha e përcaktuar në fillim.
Punësimet e panumërta ishte ajo çfarë bëri Kujtim Shala gjatë këtyre muajve në krye të MKRS-së. Më shumë se 50 veta i rehatoi në ministri, disa prej të cilëve nuk kryejnë kurrfarë funksioni, përveç pagave që marrin.

Por jo vetëm kaq. Krejt së fundmi, më shumë se gjysma e «delegacionit» të Kosovës në Festivalin e Filmit në Cannes është përbërë nga zyrtarë administrativë të Ministrisë së Kulturës dhe të institucioneve vartëse të saj, pati raportuar ’ javën e kaluar.
Radha për të marrë pjesë në edicionin e 69-të të njërit prej festivaleve më të njohura të filmit në botë u kishte ardhur zyrtarit të trashëgimisë kulturore në Ministrinë e Kulturës, Imer Hakaj, drejtorit të Zyrës ligjore të këtij institucioni, Feim Hoxha, e zyrtares për teatër, Zethane Bahtiri. Ekipit i ishte bashkuar edhe zyrtarja e financave në Baletin Kombëtar të Kosovës, Lindita Morina-Shala, e cila është bashkëshortja e ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.

Virgjina Peja, zyrtare financiare e Qendrës Kinematografike të Kosovës, dhe Atdhe Berisha, zyrtar ligjor në këtë institucion, po ashtu kanë qenë në Festivalin e Filmit në Cannes. Bashkë me Anton Ahmetajn, këshilltar i ministrit Shala, Gani Mehmetajn, drejtor i «KosovaFilmit», Ilir Gjocajn, producent në këtë institucion, Vesa Qenën, zyrtare për informim në QKK, dhe Arben Zharkun, drejtor i QKK-së, numri i përfaqësuesve të Kosovës në Cannes ka shkuar në 11. Gjashtë prej tyre janë zyrtarë administrativë, raportoi .

Qysh më 17 maj, pesë ditë pas hapjes së Festivalit, gazeta i ka adresuar pyetje Ministrisë së Kulturës lidhur me këtë udhëtim. Ky institucion ka refuzuar të japë përgjigje kur është kërkuar arsyetimi se cili ka qenë roli i këtyre zyrtarëve në një festival filmi.
MKRS-ja nuk ka pasur përgjigje as për mjetet e shpenzuara për këtë udhëtim që kalon shumën prej 16 mijë eurosh. «Për ato pyetje nuk ka përgjigje», ka thënë Ndue Ukaj, shef i kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit është hapur më 11 maj në Cannes të Francës. Delegacioni i Kosovës ka qëndruar në Cannes për katër net. Shumica e zyrtarëve janë akomoduar në qytetin e Nices, 33 kilometra larg nga Cannes.

Përderisa MKRS-ja nuk ka dhënë përgjigje për shpenzimet, drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ka thënë se për të dhe për Vesa Qenën, zyrtare për informim në këtë institucion, bileta kthyese ka kushtuar 459 euro. Me këtë çmim i bie që vetëm për fluturim të 11 vetave janë shpenzuar mbi 5 mijë euro. Udhëtimi për në rivierën franceze është bërë me dy linja, duke bërë ndalesën e parë në Stamboll.

Pjesa më e madhe e zyrtarëve nuk i kanë marrë mëditjet në kohën e duhur, sherri i mungesës së mjeteve në kategorinë «shërbime dhe mallra».
Lindita Morina-Shala, zyrtare për financa në Baletin Kombëtar të Kosovës, njëherësh gruaja e ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, ka qenë shumë kontradiktore kur ka folur për rolin e saj si pjesë e ekipit të Kosovës në festivalin e filmit. Fillimisht ka thënë se ka udhëtuar privatisht.
«Shteti mua nuk më ka paguar asgjë. Shpenzimet i kam paguar vetë», ka thënë Morina – Shala. Më pas, e ka ndërruar përgjigjen. «Me dëshirën e drejtorit Ahmet Brahimaj, kam shkuar të përfaqësoj Baletin Kombëtar të Kosovës», ka thënë ajo. Sipas saj, qëllimi ka qenë që BKK-ja të lidhë bashkëpunim me Festivalin e Filmit në Cannes. «Po edhe bashkëpunime. Ka aty gjëra të ndryshme», ka thënë Morina-Shala, derisa nuk ka treguar se çfarë bashkëpunimesh mund të lidhë një trupë baleti me një festival filmi. Sipas saj, nuk është punë e mediave të merret me udhëtimin e saj. «Nuk ka rëndësi që a kam qenë unë apo jo…. Nuk ka rëndësi a shkoj unë privatisht apo sido që të shkoj unë, ajo është çështje e imja e jo e juaja. Ky është përfundimi», ka thënë Morina-Shala, së cilës prej vitit të kaluar i është legalizuar vendi i punës, pak muaj pasi ministër i Kulturës është emëruar bashkëshorti i saj.

Pos kësaj, ajo ishte veçuar edhe me rritje page në krahasim me zyrtarët e tjerë financiarë. Sipas atij që e ka miratuar udhëtimin për Cannes, krejt ekipi ka shkuar zyrtarisht dhe shteti i ka bartur detyrimet financiare.

Ndryshe, vitin e kaluar Ministria e Kulturës ia kishte refuzuar QKK-së kërkesën prej 2 mijë eurosh për akomodimin e stafit në festivalin që tubon yjet e filmit në rivierën franceze. Por, pas dy muajsh, ky institucion qe bërë pishman. E sivjet, pos që MKRS-ja nuk e ka diskutuar mospjesëmarrjen në këtë festival, atje ka dërguar edhe punonjës që nuk kanë të bëjnë asgjë me filmin.