Kultura alpine

Sa më shumë që merremi me historinë dhe kulturën e alpeve, aq më e qartë bëhet përvoja se këtu jugu dhe veriu, kultura latine dhe ajo gjermane depërtojnë thellë te njëra-tjetra dhe pasurojnë njëra-tjetrën.

Hëna e plotë në Qafën e Berninës, kantoni Graubünden.



Rajoni i Albulas dhe Berninës është ajo pikëpjekja e veçantë në alpe, e cila nuk është vetëm një vijë ujëndarëse mes veriut, jugut dhe lindjes, por njëkohësisht edhe vendtakim dhe rajon kontakti i kulturave të ndryshme gjuhësore dhe botëkuptimore. Graubündeni është i vetmi kanton tregjuhësor i Zvicrës. Sot gjuhët tradicionale plotësohen nga një mori e të folmeve, të cilat i sjellin imigrantët, gastarbajterët dhe turistët. Në kufijtë gjuhësorë nuk ka barriera kufitare. Fjalët, përfytyrimet dhe mënyrat e sjelljes i kalojnë kufijtë të padeklaruara. Sa më shumë që merremi me historinë dhe kulturën e alpeve, aq më e qartë bëhet përvoja se këtu jugu dhe veriu, kultura latine dhe ajo gjermane depërtojnë thellë te njëra-tjetra dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Disa mund të mendojnë se mbijetesa e një gjuhe të vogël siç është retoromanishtja ka pasur sukses vetëm falë izolimit dhe vetmisë nga bota. Por Graubündeni prej se mban mend njeriu ka qenë vend i qafëmaleve dhe i transitit. Vendorët kurrë nuk kanë jetuar gjatë vetëm me njëri-tjetrin. Po ashtu ata shpesh kanë qenë kureshtarë për të kërkuar fatin e tyre në mërgim. Historia mbresëlënëse e emigrimit e banorëve të Graubündenit nga lugina e tyre në rajone të largëta të kontinentit europian dëshmon se këtu as nuk i janë trembur botës, as nuk kanë qenë të painformuar, siç shpjegojnë nganjëherë interpretimet e thjeshta të vendlindjes.

Për këtë arsye barrierat, të cilat janë hequr qëmoti nga sipërfaqja e tokës, duhet të largohen edhe nga kultura. Kontakti me rajonet e afërta kufitare – italiane, austriake, gjermane – ndikoi që të mos pranohet vobektësia vetjake, por për dobinë dhe përparësinë tënde të shërbehesh te të tjerët. Këtu ka ekzistuar vullnet i fortë për të transformuar atë që vlen në mënyrë universale në një formë dhe figurë që i përshtatet rrethanave vetjake. Vlera e shtuar kulturore e një rajoni gjuhësisht kompleks bazohet pikërisht në këtë shkëmbim të formave të jetës dhe praktikave, të cilat pastaj gjejnë pasqyrimin e papërsëritshëm në gjuhë. Kultura alpine nuk mund të merret me mend pa atë që ka rrjedhur nga territoret gjermane dhe italiane. Megjithatë, ajo assesi nuk përbëhet vetëm nga kopjet e modeleve të huaja. Aq shumë vullnet dhe fantazi ekzistonte në kokat e banorëve, saqë ata nuk pranonin riprodhime të zbehta për përdorim të brendshëm. Shkëmbimi kulturor është një proces i afërt me jetën. Aty nevojat vetjake shkrihen në mënyrë të befasishme me rrethanat, të cilat rrjedhin nga jashtë.

Siç po e vëreni: si njeri alpin unë kam një prirje të veçantë për të vështruar natyrën nga pikëpamja e frenimit të saj pothuaj të arritur. Pikërisht këtë e mëson më së miri kur e njeh Zvicrën nga treni.

Përktheu: E. Robelli

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).