Kullat e Dukagjinit

Kullat janë një monument i kulturës shqiptare. Ato nuk dëshmojnë vetëm për kuptimin arkitektonik të shqiptarëve, por edhe për mënyrën e tyre të jetesës. Muret e fortë të kullave tregojnë sa të lidhur ishin shqiptarët për tokën e tyre.




Kati përdhesë i kullës quhet ahur. Ai shërben dhe shfrytëzohet për nevojat e strehimit të bagëtisë. Elementet përbërëse të tij janë grazhdi dhe rrethaku i viçave. I pari shërben për t’u vënë ushqim bagëtisë, ndërsa i dyti është i rrethuar me dërrasa apo thupra – aty vendosen viçat. Ahuri është i shtruar me gurë. Në mjedisin përdhesë arrihet përmes dy portave të ulëta të mbuluara me harqe.

Në mes të ambientit përdhesë, si element arkitekturor, paraqiten dy shtylla. Mbi to vendoset arkitrau që lidh dy muret anësore. Aty janë përqëndruar trarët që lidhin muret anësore. Shtylla përbëhet nga tri pjesë kryesore: bazamenti, trupi i shtyllës dhe kapiteli. Në këto elemente ndërtimi vihet re se kujdesi i mjeshtrit popullor ka qenë i madh, vetëm e vetëm që çdo pjese t’i japë një përpunim dekorativ, pavarësisht modestisë së këtyre punimeve.

Komunikimi nga mjedisi rrethues me ahurin bëhet nëpërmjet dy portave, ku njëra shërbente si odë e burrave, ndërsa tjetra për ahër dhe katin e parë. Në ahur paraqiten edhe dy palë shkallë të brendshme të drurit, me njërën palë komunikojnë mysafirët për të arritur deri tek oda e burrave, kurse të tjerat shfrytëzohen nga anëtarët e familjes.

Shtëpia e zjarrit

Mjedisi kryesor në katin e parë është «shtëpia e zjarrit» ose soba e grave. Ky mjedis përmbush nevojat e jetës së përditshme të antarëve të familjes dhe paraqet pjesën më intime të kullës. Në këtë ambient zhvillohet jeta e familjes, përgatitet ushqimi dhe përdoret si dhomë gjumi për antarët e saj. Përveç shtëpisë së zjarrit, e cila shërben si dhomë gjumi e fëmijëve, këtu kemi edhe tre qilarë. Dhomat e gjumit a qilarët janë të madhësisë së vogël, lartësia e tyre është 210 cm. Kjo lartësi e kthinave të vogla është mjaft ekonomike, gjë që ishte karakteristike edhe në mesjetë, në dhomat e banesave që nuk ndryshojnë me shekuj. Në këto dhoma nuk kanë egzistuar orendi të tjera përveç shtratit dhe arkës. Qilarët janë shfrytëzuar vetëm si dhoma gjumi.

Në këto kthina paraqiten dritare të vogla të mbuluara me hark, nga dhe ndriçohet ky mjedis modest dhe intim. Dritaret në kulla zgjerohen nga brenda, në këtë mënyrë mundësojnë një shpërndarje më të mirë të dritës. Në mjedisin e katit të parë, me qilarin dhe me shtëpinë e zjarrit, komunikohet nga korridori i ngushtë apo nga paradhoma – divanhane e vogël. Çdo dhomë gjumi e ka hyrjen e veçantë. Dera me të cilën komunikohet me qilarin është e thjeshtë.

Dyshemeja në mes të kateve është prej dërrasave të trasha, të mbuluara dhe të ngjeshura. Aty janë vendosur bashkëshortët dhe fëmijët e një moshe të caktuar. Muret e qilarëve janë të bardhë, të lyera me gëlqere.

Oda e burrave

Në katin e dytë është oda e burrave, e cila paraqet mjedisin kryesor dhe më të pasur të ndërtimit. Karakteristikë e saj janë: oxhaku, dollapët, dollapët e bukës, raftet, dera e odës. Përveç pamjes estetike, këto elemente luajnë rolin e vet funksional në ruajtjen e vëllimit të odës, e cila paraqitet në tërë ngrohtësinë e vet. Ndriçimi i këtyre odave bëhet kryesisht përmes dritareve të mbuluara me hark dhe të realizuar nga gurë të gëdhendur.

Oda e burrave ka pasur në të njejtën kohë dy funksione: ditën është shfrytëzuar si odë ndenje, ndërsa në mbrëmje si hapësirë gjumi për burrat e shtëpisë dhe mysafirët. Muret odës janë të bardha dhe të ushqejnë me qetësi. Në këtë mjedis ka edhe një khtinë gjumi, ajo e palkut të shtëpisë, nëpër të cilën shkohet nëpër një divanhane të vogël. Oda e burrave vjen para një mjedisi të gjërë – divanhanes. Ajo është krejtësisht e hapur dhe nga aty mund të shihet konstruksioni i çatisë.