Kuka: Asnjë cent nga Muhaxheri për koloset e shtetit tonë – do ikim nga Peja

Suksesi i trajnerit të kampionëve të xhudos, Driton Kuka, po vazhdon të injorohet nga komuna prej nga vjen edhe ai, Peja dhe kryetari i saj, Gazmend Muhaxheri.




Këtë gjë e ka konfirmuar vet trajneri, i cili, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar zyrtarët komunalë të Pejës për faktin se si mund të ndodh që klubi i xhudos «Ippon» nuk ka pranuar asnjë cent deri më tani.

Për këtë fakt, Kuka ka paralajmëruar edhe masa radikale – që nënkuptojnë largimin klubit «Ippon» nga Komuna e Pejës dhe regjistrimin e tij në ndonjë komunë tjetër.

«Xhirollogaria e klubit është tregues i turpit tuaj. U premtua shumë herë por ende asnjë cent s’keni dhënë për klubin që ndoshta do regjistrohet në ndonjë komunë tjetër të shtetit tim», ka theksuar Kuka, raporton Koha.net.

«Jemi në muajin e 10 të vitit dhe injorimi i klubit të xhudos «Ippon» nga zyrtarët komunalë po vazhdon. Aktualisht asnjë cent në vitin 2015 s’është dhanë për koloset që shpëtuan nderin e shtetit tonë në Baku, që i fituam dy medalje të arta në Kampionat Botëror», thotë Kuka.

Trajneri pejan pyet se pse zyrtarët e qytetit tim po injorojnë Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën, Distria Krasniqin…

«Ju se meritoni të flitni që udhëheqni qytetin e Majlindës, qytetin i cili është bërë qytet ku frekuenton CNN, BBC, Euro News. Do befasoheni me hapat që do ndërmerr klubi ynë nëse nuk i kryeni obligimet deri në fund të vitit», ka potencuar trajneri i Majlinda Kelmendi, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit e të tjerëve që bëjnë pjesë në klubin e xhudos «Ippon».

Në fund, Kuka thotë se reagimi i tij nuk ka të bëjë fare me politikë, pasi që, sipas tij, «njeriu i të njëjtës parti si e juaja, LDK, Ministri Kujtim Shala, është duke kryer punë të shkëlqyeshme në nivelin qendror të cilit i falënderohem publikisht».