Kujtimi yt

Frederik Reshpja.



Hëna po shuhet në pëllëmbët e gjetheve
Dhe trëndafilat vdesin në muzg.
Fusha ul supin te era
Po mua vetmia më pret te porta, egërsuar.

Lehtas kujtimi yt më prek te supi
Me gishtat si thikë
Ulërin vetmia te porta, ulërin
Dhe ikën nëpër dhembje, trembur, ti.

Kështu gjithmonë ardhja jote është tërë ikje
Dhe unë ndiej mbi gjoks sikur më kalon një tren
Vetmia te porta, ulërin
Dhe ikën nëpër dhembje, trembur, ti.

Hëna e shqyer në dhëmbët e vetmisë
Çirret si egërsirë te porta
Ylli i fatit tim lotoi në dritare
Ku shkon, ku shkon, çfarë të thirri kështu?