Kujtime t’idhta e krenare

Esad Mekuli.



I
Afër Qytetit të studentëve, në Madrid, ku gjatë luftës civile, kundër fashizimit qëndruen heroikisht Interbrigadistët.

Dita ka vdekë
ngadalë –
si plaka e lanun.

Nata e shpifjes…

N’rrethina tua
shokët e mij
derdhen gjakun hero

n’muzgun e kësaj nate.

Llogoret tash janë mb’lue
me bar n’rrethina t’tua
Madrid i bardhë –

por plagët ende pikojnë!

II
Xhemal Kadës, prej Peje, oficerit t’Interbrigadave, që ra dëshmor afër Barcelonës më 1937

Xhemal flokëkuqi
n’kët vend pa nishana
eshtnat t’janë shpërnda

pa shej e pa vajtim.

N’pragun e verës s’pjekun
rinija e kositun
për Spanjën e dashtun –

për jetën pa kufij.

Xhemal flokëkuqi!
trandafil i Dukagjinit
mbi vorret pa nishana –

Flamur i fisit tim.

(Spanjë, 1959)