Kujtim për Marie A.

Foto: Shutterstock.



1.
Atë ditë tejet të largët në muajin blu shtator
heshtur nën pemën e kumbullës së re
mbaja unë të qetën të zbehtën dashuri
fort në krahët e mi, si një ëndërr t’lehtë.
E përmbi ne në qielln‘ e bukur të verës
ishte një re që gjatë unë e kundrova
e bardhë krejt, pa fund e ngjitur lart
kur kryet prapë ngrita, më nuk e shikova.

2.
Qysh nga ajo ditë kanë rrjedhur muaj shumë,
janë tretur qetësisht, përtej koha i hodhi
dhe pemt‘ e kumbullës sot patjetër i kanë prerë,
e në më pyet mua: dashurisë vallë ç’i ndodhi?
E unë të them: më nuk kujtohem dot,
por ti për tjetër gjë më pyet, dale pra dhe prit
fytyrën e saj s’po mundem ta ndërmend.
Veç për një gjë kujtohem: e putha atë ditë.

3.
Edhe e puthura me kohë do t’më ishte tretur
po të mos kish qenë reja lart në qiell
atë e kam ndërmend, gjithmonë do ta kujtoj
se ishte fort e bardhë tek shkonte e larë nën diell.
Lulet e kumbullës përsëri edhe këtë vit po çelin
në prehër kushdi ajo mban fëmijn‘ e shtatë
veç reja atë ditë çeli pak minuta
kur ngrita kryet lart era e kish marrë.

Përktheu: Ardian Klosi