Kujdes me kriptovalutat

Shpeshtohen paralajmërimet për rrezikun e mundshëm nga përdorimi i kriptovalutave si Bitcoin.

Foto: Shutterstock



Jamie Dimon, drejtori ekzekutiv i bankës më të madhe amerikane JP Morgan me një shumë të bilancit prej 2600 miliardë dollarë, e ka quajtur këto ditë Bitcoinin si një mashtrim, në të cilin duhet të investojnë vetëm vrasësit, narkotrafikantët dhe njerëzit që jetojnë në Korenë Veriore, Ekuador dhe Venezuelë. Duke i ndërlidhur përdoruesit e Bitcoinit me diktatura dhe organizata kriminale, Dimon aludon në faktin se kriptovalutat mund të përdoren për të anashkaluar sistemin financiar dhe për të investuar në aktivitete ilegale e kriminale.

Shefi i JP Morgan shkon edhe më larg, duke e vlerësuar investimin në kriptovaluta si budallallëk. Ai thotë se nuk mund të bëhet biznes me ide të njerëzve që zbulojnë valuta nga hiçi. Sipas tij, trendi i kriptovalutave nuk do të përfundojë mirë, sepse tashmë ato janë shndërruar në një flluskë të madhe. Çmimi aktual i një Bitcoini në treg kishte arritur në fillim të shtatorit në rreth 5 mijë dollarë nga 250 sa ishte në fund të vitit 2015. Dimon vlerëson se vlera e Bitcoin mund të vazhdojë të rritet, por pas një kohe ajo do të bie, sepse bëhet fjalë për një flluskë tregtare ndoshta edhe më të madhe se flluska e tulipanëve. «Mania e tulipanëve» konsiderohet si flluska spekulative e parë e dokumentuar në botë dhe në ditët e sotme shërben si metaforë për investime joracionale dhe të rrezikshme. Fakt është se një shpërthim i flluskës së kriptovalutave do të kishte efekte shkatërrimtare për investitorët aktivë në këtë sektor, por edhe për sektorë të caktuar të ekonomisë reale.

Përkrahësit e Bitcoinit e kanë kritikuar shefin e JP Morgan për paralajmërimet e tij ogurzeza duke i akuzuar bankat se kanë dështuar që me kohë të shohin potencialin e kriptovalutave dhe tani nuk po dinë si reagojnë ndryshe, pos me nervozizëm. Por, kohë më parë edhe Banka Qendrore gjermane kishte paralajmëruar investitorët që të kenë kujdes të shtuar, sepse, sipas saj, Bitcoin nuk është një investim i sigurt.

Një paralajmërim të ngjashëm e ka bërë edhe Banka Qendrore e Kosovës, duke pasur parasysh se shumë ndërmarrës kosovarë po tërheqin para nga sektori ekonomik real për të investuar në kriptovaluta. Kriptovalutat krijohen përmes teknologjisë «blockchain» duke përdorur sisteme të koduara kompjuterike. Ato janë valuta digjitale që ruhen nëpër serverë anekënd botës dhe përdoren si mjet digjital i pagesës duke anashkaluar instancat qendrore financiare, siç janë bankat.