Kujdes, jeni në vendin e shqiponjave!




Vrasja e çiftit çek është një tragjedi, që për fat të keq s’është e panjohur për shqiptarët që nga rënia e komunizmit. Sigurisht që viteve të fundit ka pasur një përparim të dukshëm në zhvillimin e Shqipërisë, por kjo pak i faturohet politikës, ndërsa është sukses i iniciativave individuale të qytetarëve. Në fushën e sigurisë duhet të vërehet dora e shtetit.

 

Nga Bardh FRANGU

Autorja e romanit serik «Harry Potter», J.K. Rowling, njërin nga personazhet e tipit të kriminalizuar e vendosë për t’u strehuar në Shqipëri! Madje viteve të fundit edhe shumë filma në shtete të tjera janë realizuar duke pasur për motiv bandat kriminale shqiptare nëpër botë. Edhe ambasadori amerikan në Shqipëri, jo më larg se pak ditë para zgjedhjeve të fundit, u bëri thirrje shqiptarëve që të mos i votojnë kandidatët me precedent kriminal. E gjithë kjo është një dëshmi se Shqipëria paskomuniste ende jeton në dimensionin futurist të lirisë dhe, si e tillë, vazhdon të jetë një vend me rrezikshmëri të konsiderueshme për vendorët dhe për ndërkombëtarët.

Mbaj mend se kur për herë të parë pata vizituar Shqipërinë, ishte viti 1994, një plak i urtë, për të ma ilustruar më mirë gjendjen e ndryshimit, më pat thënë: «Ndërsa në kohën e diktaturës ishim lepuj, tani në kohën e demokracisë (nënkupto autokracisë) jemi shndërruar në qenë. Mund të flasim e të shajmë pa frikë, por ama kush nuk na dëgjon». Plaku nuk më tha se mund edhe të kafshojnë, sepse kjo gjë edhe nënkuptohej, ndërsa krimi zhvillohej me të madhe në këtë vend.

Ky është vendi i shqiponjave, të cilit i duhet edhe një kohë e gjatë që të marrë veten dhe të mësohet të jetojë në dimensionin real të lirisë dhe tek pastaj të kuptojë se liria është e cenuar drejtpërsëdrejti nga strukturat kriminale, të cilat janë të lidhura ngushtë me politikën. Sigurisht që viteve të fundit ka pasur një përparim të dukshëm në zhvillimin e gjithmbarshëm të këtij vendi, ende të mbuluar me bunkerë, por kjo pak i faturohet politikës, ndërsa është sukses i iniciativave individuale të qytetarëve, të cilët, tani të hapur ndaj botës, kanë kuptuar se kooperativat nuk janë më dhe se prona e tyre është vetë shpëtimi për ta.

Zhvillimi i turizmit ka nxitur edhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë, mbase shqiptarët e kanë kuptuar se në këto resurse edhe e kanë shpëtimin. Duke siguruar ekzistencën nga djersa e tyre, shqiptarët kanë nisur ta duan dhe ta bëjnë më të bukur këtë vend. Por fati i keq qëndron aty që strukturat politike ende vazhdojnë ta kultivojnë krimin dhe nëpërmjet krimit të kultivuar dhe të organizuar të mbahen në pushtet. Marrëzi ordinere është lufta kundër kanabisit, ndërsa në politikë avancohen njerëz me precedent kriminal. Kryebashkiaku i Durrësit në vend se të dënohet për krimin që ka bërë në këtë qytet bregdetar, ai shpërblehet për mandatin e tretë, madje duke korrur një fitore të jashtëzakonshme! Kështu pronorit të prodhimit të betonit i besohet udhëheqja e këtij qyteti kaq të rëndësishëm e kaq të mbytur në beton!

Në kontekst të kësaj që u tha më sipër duhet parë edhe rastin e fundit të çiftit çek që në mënyrë mizore gjeti vdekjen në një fshat jo larg Shkodrës. Në këtë kontekst duhet parë edhe frikën e kosovarëve kur lëvizin rrugëve të këtij vendi. Personalisht kam shumë kujdes kur lëvizi edhe autostradës, le më rrugëve dytësore, ku siguria është shumëfish më e vogël. Kjo edhe për faktin se jo moti kosovarët plaçkiteshin dhe u torturoheshin edhe në autostradë.

Shih për këtë është mirë që organet e shtetit të shpërndajnë në çdo pikë të kufirit fletëpalosje, të cilat do t’i jepen çdo vizitori që futet në këtë vend dhe në të cilat do të duhej të shkruhej edhe për rrezikun e mundshëm për mysafirët nëse lëvizin nëpër rrugë dytësore dhe natën. Në fletëpalosje të shkruhet se Shqipëria vërtet është një vend i bukur dhe mikpritës, por që është një vend i cili me vështirësi po e kalon tranzicionin nga bunkerët në plazhet me diell. Kjo nuk është turp, madje turp nuk është as për një vend anëtar i NATO-s siç është Shqipëria. Në këtë mënyrë autoritetet do të tregoheshin më serioze karshi atyre që duan ta vizitojnë këtë vend me resurse të jashtëzakonshme, madje të tilla sa për t’i bërë konkurrencë çdo vendi tjetër të Evropës.

Më në fund shteti duhet ta kuptojë se edhe konkurrenca e madhe me vendet përreth mund të jetë një shkaktar i nxitjes dhe motivimit të ngatërresave që dëmtojnë imazhin e një vendi dhe krijojnë ndjenjën refuzuese tek të huajt. Madje kjo gjë tek ne mund të bëhet lirshëm dhe me investime të vogla, ndërsa gjithnjë e më shumë si popull po dëshmojmë se mercenarizmin e kemi ndjenjë të trashëguar dhe se atdheun vazhdojmë ta duam më shumë në hapësirat e këngëve sesa në hapësirat reale të tij.