Kuçan: «Mbështetësit e Brexitit kanë po atë mentalitet, i cili ka qenë i përhapur në Serbi në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë»

Dalja e Britanisë së Madhe nga BE për Milan Kuçanin nuk është «fundi i botës», por problemet aktuale mund të çojnë në «luftë ekonomike» dhe dështim të integrimeve.

Milan Kuçan.

Ish-kryetari i Sllovenisë Milan Kuçan ka deklaruar për gazetën austriake «Der Standard» se ekizstojnë disa paralele mes gjendjes aktuale në Bashkimin Europian dhe situatës në Jugosllavinë e dikurshme para shpërbërjes së saj. Ai tha se problemet kryesore të BE-së janë dallimet në zhvillim mes shteteve anëtare dhe mungesa e solidaritetit. Kriza greke e borxheve dhe kriza e refugjatëve kanë treguar se sot solidariteti në BE nuk shikohet siç është shikuar dikur, kur janë nënshkruar Marrëveshjet e Romës.

Kuçan krahasoi dallimet e mëdha që ekzistojnë në zhvillim mes Gjermanisë dhe vendeve skandinave nga njëra anë dhe shteteve më pak të zhvilluara në BE si Bullgaria. Një dallim i tillë, sipas Kuçan, ekzistonte edhe mes republikave perëndimore dhe lindore të Jugosllavisë së dikurshme. Megjithatë, dallimet ekonomike nuk kanë qenë shkaku kryesor i dështimit të Jugosllavisë, tha Kuçan. Ai nënvizoi se është legjitime që çdokush të luftojë për interesat e veta, por problemi lind kur këtë e bën në llogari të të tjerëve. Sa i përket BE-së ish presisdenti slloven nuk sheh ndonjë pabarazi.

Si shkak kryesor të shërthimit të luftës Kuçan përmendi liderin serb Slobodan Milosheviq dhe Armatën Popullore të Jugosllavisë, e cila ndërhyri në ngjarjet politike. Një pjesë të fajit Kuçan ia ngarkoi edhe kryetarit kroat Franjo Tugjman për shkak të politikës së tij pushtuese ndaj Bosnjës.

Kuçan mendon se naconalizmi radikal në Poloni, Hungari dhe vendet baltike mund të shkaktojë probleme, duke shtuar se identiteti i Europës nuk mund të ndërtohet vetëm në «antiputinizëm», porse Europa duhet të reformohet dhe të bëhet më solidare dhe më e pranueshme. Dalja e Britanisë së Madhe nga BE për Kuçanin nuk është «fundi i botës», por problemet aktuale mund të çojnë në «luftë ekonomike» dhe dështim të integrimeve.

Kuçan ka thënë se sa i përket mentalitetit përkrahësit e Brexitit nuk dallojnë nga qëndrimet e përhapura në Serbi në fund të viteve ’80. «Në kohën e Millosheviqit motoja ka qenë: Serbia mundet pa Jugosllavinë, por Jugosllavia nuk mundet pa Serbinë». (-lli)