Ku u gabua me demokracinë? (I)

Demokracia ishte ideja më e suksesshme politike e shekullit të njëzetë. Pse hasi sharra në gozhdë dhe çfarë mund të bëhet për ta ringjallur? Dialogplus.ch sjell një analizë në katër vazhdime të revistës së njohur britanike «The Economist».

Foto: Shutterstock



Protestuesit që përmbysën politikën e Ukrainës kishin shumë aspirata për vendin e tyre. Në pankartat e tyre bëhej thirrje për marrëdhënie më të ngushta me Bashkimin Europian (BE), për t’i dhënë fund ndërhyrjes ruse në politikën e Ukrainës dhe për krijimin e një qeverie me duar të pastra që do ta zëvendësonte kleptokracinë e presidentit Viktor Janukoviq. Por, kërkesa e tyre themelore ishte ajo që motivoi njerëzit për dekada me radhë, që të çonin krye kundër qeverive autokratike, abuzive dhe të korruptuara.  Ata duan sundim të bazuar në demokraci. Është e lehtë ta kuptosh pse-në.

Demokracitë janë shtete më të zhvilluara se vendet jodemokratike, kanë më pak mundësi të hyjnë në luftëra, si dhe kanë shifra më të mira në luftën kundër korrupsionit. Më qenësore është se demokracia ua mundëson qytetarëve të mendojnë e flasin çfarëdo që duan dhe të formësojnë vetë të ardhmen për veten dhe fëmijët e tyre. Fakti që shumë njerëz, në shumë pjesë të botës, janë të gatshëm të rrezikojnë shumë për këtë ide, është dëshmi se sa e rëndësishme është demokracia. Megjithatë, ngjarjet që rrjedhin pas zhvillimeve si ato në Kiev të Ukrainës, janë të përziera me ankth, për shkak të një çështjeje që përsëritet kryeqytet pas kryeqyteti. Fjala është për turmën në sheshin kryesor. Rrugaçët e sanksionuar nga regjimi mundohen ta kthejnë kohën e dikurshme, por humbin kontrollin karshi papajtueshmërisë popullore dhe mbulimit mediatik në aspektin global.

Bota duartroket rënien e regjimit dhe ofron ndihmë për ndërtimin e demokracisë. Por, heqja qafe e një autokrati del të jetë punë shumë më e lehtë se vendosja e themeleve të qëndrueshme të një qeverie demokratike. Regjimi i ri çalon, ekonomia ngec dhe vendi përfundon në gjendje, së paku, më të keqe se më parë. Kjo ka ndodhur me shumicën e vendeve të Pranverës Arabe, por edhe me Revolucionin Portokalli të Ukrainës, një dekadë më parë. Më 2004, zoti Janukoviq ishte rrëzuar nga pushteti prej protestave në rrugë, për t’u rizgjedhur president (me ndihmën e shumave të mëdha të parave ruse) më 2010, pasi politikanët opozitarë që e zëvendësuan, u vërtetuan si të pashpresë.

Demokracia po kalon nëpër kohëra të vështira. Aty ku janë hequr qafe autokratët, kundërshtarët e tyre kanë dështuar të krijojnë regjime të qëndrueshme demokratike. Madje edhe në demokracitë e konsoliduara, krisjet në sistem janë bërë shqetësime të dukshme dhe ka deluzionim me politikat që aplikohen. Megjithatë, demokracia deri para disa vitesh dukej se do ta dominonte botën. Në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, demokracitë duket se i kishin lëshuar rrënjët thellë në rrethanat më të vështira të mundshme: në Gjermani, e cila doli e traumatizuar nga nazizmi; Indi, që kishte popullsinë më të madhe të varfër në botë dhe në vitet e nëntëdhjeta në Afrikën e Jugut që ishte shpërfytyruar prej aparteidit. Dekolonizimi krijoi seri të demokracive të reja në Afrikë dhe Azi, dhe regjimet autokratike ia lëshuan rrugën demokracisë në Greqi (1974), Spanjë (1975), Argjentinë (1983), Brazil (1985) dhe Kili (1989). Rënia e Bashkimi Sovjetik krijoi demokraci të brishta në Europën Qendrore.

Në vitin 2000, organizata e pavarur amerikane “Freedom House”, klasifikoi 120 shtete, ose 63 për qind të botës, si vende demokratike. Po atë vit, përfaqësuesit e më shumë se 100 shteteve u mblodhën në Forumin Botëror për Demokracinë në Varshavë  me thirrjen se «vullneti i popullit» është «baza e autoritetit të qeverisë». Në një raport të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit thuhet se meqë janë parë disa «eksperimente të dështuara» me format autoritare dhe totalitare të qeverisjes, duket se tani «demokracia është triumfuese». Kjo arrogancë padyshim se ishte e kuptueshme pas një gare të tillë suksesesh.

Nëse e kthejmë kohën shumë prapa në histori, triumfi i demokracisë nuk dukej i pashmangshëm. Pas rënies së Athinës, ku ishte zhvilluar për herë të parë demokracia, ky model politik ishte në gjumë të thellë deri në Rilindje pas pothuajse dy mijë vitesh. Në shekullin e tetëmbëdhjetë, vetëm revolucioni amerikan prodhoi një demokraci të qëndrueshme. Gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë, monarkistët ndërmorën aksione të vonuara kundër forcave demokratike. Në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë, demokracitë e reja ranë në Gjermani, Spanjë dhe Itali. Deri më 1941, kishin mbetur vetëm njëmbëdhjetë demokraci, dhe Franklin Roosevelti ishte i shqetësuar se po bëhej pothuajse e pamundur të mbrohej «flaka e madhe e demokracisë nga terri i barbarizmit».

Përparimi i dëshmuar në fund të shekullit të njëzetë ka ngecur në shekullin njëzetenjë. Megjithëse rreth 40 për qind e popullsisë së botës, si asnjëherë tjetër, jeton në shtete që sivjet mbajnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përparimit të demokracisë i ka hasur sharra në gozhdë, dhe mbase mund të shënojë edhe prapakthim. “Freedom House” njofton se 2013-ta ishte viti i tetë me radhë në të cilin ka pasuar rënie të lirisë, dhe se marshimi i saj e preku kulmin nga fillimi i shekullit. Ndërmjet viteve 1980 dhe 2000, kauza e demokracisë përjetoi pak rënie, por prej vitit 2000, janë shënuar shumë sprapsje. Dhe demokracia i ka hallet shumë më keq se që mund të tregojnë shifrat. Shumë demokraci nominale kanë rrëshqitur drejt autokracisë, duke ruajtur njëfarë imazhi demokratik nëpërmjet zgjedhjeve, por pa respektuar të drejtat dhe institucionet që janë po aq të rëndësishme në funksionimin e  sistemit demokratik.

Besimi në demokraci arrin kulmin në momente triumfi, si në rastin e rrëzimit të regjimeve jopopullore në Kajro ose Kiev, për t’u venitur menjëherë. Jashtë Perëndimit, demokracia shpesh përparon për të rënë menjëherë. Dhe brenda Perëndimit, demokracia shpesh lidhet me borxhin dhe mosfunksionimin brenda vendit me shtrirje të mëdha jashtë tij. Demokracia gjithnjë i ka pasur kritikët e vet, por tani druajtjet e dikurshme po trajtohen me dyshime të ringjallura, derisa dobësitë e demokracisë në bastionet e saj perëndimore, dhe brishtësia e ndikimi i saj tjetërkund, janë bërë përherë e më të dukshme. Pse demokracia e humbi momentin e saj përparimtar?

(Vazhdon nesër)