Ku shkojnë tetovarët, pse n’Tetovë nuk rrinë?



Bashkim Shaljani rrjedh nga një familje e zakonshme tetovare. Të parët e tij nuk ishin të njohur për kurbet. Gjyshi nga babai s’e lëshoi gjer në vdekje katundin e lindjes. Ai nuk iu bashkua djemve dhe gruas së tij kur u shpërngulën në qytet. Me dy kuaj i bënte hyzmetin gjith patundshmërisë së familjes në fshat. Gjyshi nga nëna bëhej idare me një kalë me qerre, duke ofruar shërbime transporti. Në pleqëri mblodhi djemtë, të cilët ishin lindur e kishin krijuar familje në Tetovë, dhe u kthye në fashatin e lindjes së e tij në Kosovë. Jetën në Tetovë, ku vazhduan të jetononin vajzat dhe vëllai i vetëm, e kishte përjetuar si mërgim!

Bashkimi nuk ishte shquar ndonjëherë për sherre në lagje ose në shkollë – gjëra që tek ne të bëjnë të njohur. Ai është i gjatë me trup, por i hollë. Nëna e tij njerohet se ai nuk ishte ngirë kurrë me bukë, sepse ishte shumë zgjedhës. Kur krisi lufta në vititn 2001 kishte mbaruar gjimnazin e Tetovës. Një mëngjes u përshëndet me njerëzit e shtëpisë dhe iku në luftë. Në një naçihanë të Prizrenit hëngri pesë qebapët më të shijshëm në jetën e tij dhe u nis për në front.

Pa u vendosur paqa ende, Bashkimi vazhdoi ku e kishte lënë. Ai regjistroi anglishten në universitetin ende ilegal të Tetovës. Diplomën e mori në universitetin ndërkohë të pranuar shtetëror të saj. Por vendet e punës që ishin siguruar me marrëveshjen e Ohrit tanimë ishin rezervuar për njerëzit e partive. Një detyrë në ndonjë parti për të mobilizuar votues e kishe neveritur. Një shërbim për realizimin e qëllimeve të luftës të mbetur pezull, partitë tona e refuzojnë. Bashkimit i ngeli vetëm mërgimi: Një vit punoi në një kamp amerikan në Bagdad. Pas kthimit nga Iraku regjistroi magjistraturën për diplomaci në Universitetin privat të Europës Juglindore. Shtuli – i thonë të gjithë. Studimet i mbaroi, por kriteri i atyre që e kanë në dorë punësimin nuk është as lufta, as diplomacia – as universiteti shtetëror, as ai privat.

Bashkimi iu lut Zotit t’ia hapë rrugën nga Perëndimi, më së miri për një specializim në Amerikë përmes ndonjë programi ndërkombëtar. Dhe fati e çoi te perëndimorët, por në Lindjen e largët: Dy vite punoi në një kamp amerikan të Afganistanit.

Pas kthimit nga ky shërbim, në Maqedoni u mbajtën zgjedhjet lokale. Komunën e Tetovës e fitoi një zonjë e lavdëruar për standardet e saja intelektuale. Ajo – tregojnë tetovarët – në komunë ka instaluar një ekip vajzash të zgjuara. Gratë, thuhet, mund t’i shërbejnë politikës më mirë se burrat, sepse janë më empatike dhe paqësore.

Bashkim Shaljanit iu dha rasti të prezantohej për një vend pune në Komunën e Tetovës. Ai u intervistua nga një ndër vajzat e ekipit të prefektes.

– A ke pasur ndonjë aferë me partinë tjetër shqiptare? E kishte pyetur ajo në bisedën kualifikuese për vendin e punës në komunë.

– Jo, kurrë! I ishte përgjigjur ai i vendosur.

– Po ti ke shkruar ndonjëherë në gazetat tona? Kishte vazhduar vajza më shumë duke konstatuar se duke pyetur.

– Kam botuar disa artikuj në mediat tona të shtypura dhe online, i ishte përgjigjur Bashkimi me korrektësi.

– Dhe në ato artikuj ti ke sharë partinë tonë! Kishte akuzuar ajo.

– Jo, unë vetëm kam kritikuar ndonjëherë të gjitha partitë tona, i ishte përgjigjur Bashkimi me diplomaci. – Dhe do të vazhdoj ta bëj këtë çdo herë që ta gjykoj të arsyeshme, kishte vazhduar ai me vendosmërinë e një ushtari të devotshëm.

Pas këtij pohimi vajza e zgjuar e ekipit të kryetares së komunës e kishte përfunduar pritjen.

Bashkim Shaljani vazhdon të presë…