Ku përfundon Europa?

Në një ese ekskluziv të shkruar për dialogplus, i cili do të publikohet në tri pjesë, publicisti Daut Dauti shpjegon arsyet e ndarjes mes Perëndimit dhe Lindjes, e cila ka burime të hershme dhe është aktualizuar tani me dramën e refugjatëve nga Siria dhe vatrat e tjera të krizës. Në pjesën e parë të tekstit autori prezanton tri Europa dhe shpjegon përse gabojnë mbështetësit shqiptarë të politikës agresive të kryeministrit hungarez Viktor Orbán.

Xhamia e Madhe në Halep të Sirisë. Foto: Shutterstock



Ekzistojnë tri Europë që janë të ndërtuara mbi tri definicione, që japin tri kuptime dhe paraqesin po aq realitete. E para është Europa gjeografike dhe kufiri i saj në perëndim merret Oqeani Atlantik, në jug deti Mesdhe, i cili përfundon në Bosfor, duke e ndarë Stambollin në dysh, pastaj vazhdon nëpër Detin e Zi dhe atë Kaspik për të arritur në lindje te malet e Kaukazit. Në veri, natyrisht, kufiri është Deti i Veriut. Siç shihet, tokat shqiptare janë pjesë e kësaj Europe pasi që aty përfshihen sipas kriterit gjeografik.

Europa e dytë është Unioni Europian me 25 shtetet anëtare. Kjo ndarje është bërë sipas kriterit ekonomik dhe politik. Në këtë bashkësi shtetesh shqiptarët nuk bëjnë pjesë, por kanë gjasa reale që të hyjnë në të gjatë një të ardhme, e cila momentalisht duket të jetë e largët.

Europa e tretë është më e rëndësishmja dhe përcaktohet, kryesisht, sipas kriterit kulturor. Kjo është një Europë liberale, demokratike dhe me një nivel të lartë të zhvillimit ekonomik. Gjykuar sipas gjendjes së tanishme, shqiptarët kanë fare pak gjasa për të hyrë në te. Në fakt, Europa kulturore është më problematike për ta definuar pasi që shpesh nuk dihet se ku fillon e ku përfundon ajo. Së paku kështu ka qenë deri para disa javësh.

Ekziston një anekdotë e cila ia cakton kufijtë Europës kulturore. Anekdota i ka dy personazhe, dy ballkone dhe një dialog të shkurtër por që e shpjegon çështjen në tërësi. Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Victoria, e cila në fakt ka qenë Perandoreshë pasi që e tillë ishte bashkësia ekonomike dhe politike që e udhëhiqte, e dinte se Europa fillonte nga ballkoni i pallatit të saj dhe vazhdonte për në Lindje. Po, ku përfundonte ajo? Njëherë Victoria qëlloi të ishte mysafire e Perandorit Austro-Hungarez në Vjenë. Bota atëherë u takonte këtyre dyve, por edhe e Sulltanit deri diku. Ulur në ballkonin e pallatit dhe duke i diskutuar problemet e botës, Victoria në një moment e pyeti perandorin Austro-Hungarez: «Ku përfundon Europa?» Perandori, pa u hamendur dhe me një shikim plot brengë, bëri me dorë nga Lindja dhe tha: «Ja, atje në fund të oborrit tim». Ai madje e përjashtoi nga Europa edhe Hungarinë ndonëse ajo ishte pjesë dualiste e monarkisë perandorake.

Sot, pak kush mund ta kundërshtojë esencën e kësaj anekdote. Kjo dëshmon që Europa vërtet fillon apo përfundon (varet nga cila anë apo cili ballkon shikohet) në Austri dhe Gjermani. Dhe hapësira vazhdon për të përfunduar aty ku e kishte lënë Victoria.

Refugjatët, së pari ata shqiptarë dhe së fundmi sirianët, gjatë këtij viti kanë vënë në pah vendin se ku gjendet guri i kufirit të Europës. Me ngulm kanë bërë me dije se Europa është Austria dhe Gjermania, por edhe disa shtete matanë. Në anën tjetër, hungarezët, por edhe polakët së bashku me sllovakët, e konfirmuan vijën e kufirit dhe me këtë edhe saktësinë e definicionit të anekdotës. Këto janë vendet që formojnë vijën e shteteve të para-Europës, e cila fillon në Greqi e përfundon në Poloni.

Në Vjenë, nga ballkoni i perandorit, refugjati sirian ka dy pamje. Pamja e kufirit në anën e para-Europës është e rëndë për vrojtim. Refugjati, sa është ende në Hungari, është i përgjakur, i përbuzur dhe i poshtëruar nga policia hungareze, e cila i zbaton urdhrat e kryeministrit Viktor Orbán, i cili pa autorizim të askujt, ka marrë rolin e mbrojtjes së Europës së krishterë. Kur policia «dështon» refugjatit i dalin në udhë gazetarët, duke e shkelmuar. Qytetarët, ndërkaq, përkrahin qeverinë me demonstrata. Refugjati bënë çmos për të ikur nga ky vend me mentalitet johuman.

Pamja e dytë është hyrja e refugjatit në Europë (Austri dhe Gjermani). Përkundër plagëve që ka marrë udhës, refugjati është i gëzuar. Policia e përzemërt i del në ndihmë. Qytetarët e këtyre vendeve i presin me mirëseardhje. Gazetarët, po ashtu, ofrojnë ndihmën e tyre duke botuar lajme dhe pamje të cilat i paraqesin refugjatët si njerëz që janë në hall të madh pa fajin e tyre. Kjo është Europa.

Edhe nga ballkoni i Regina Victorias refugjati sirian shikohet si njeri në hall të madh. Edhe këtu kishte demonstrata, por ato u organizuan për ta kundërshtuar politikën e qeverisë konservatore, e cila dëshiron ta kufizojë hyrjen e refugjatëve në disa dhjetëra mijëra. Kërkesa e domonstruesve, e përkrahur nga shumica e mediave, organizatave të ndryshme dhe personaliteteve të njohura, është që në këtë vend të vijnë të gjithë sirianët që dëshirojnë. Një prift anglikan duke e favorizuar ardhjen e refugjatëve deklaroi: «Në fytyrën e sirianëve po e shoh vuajtjen e Krishtit. Në trupin e sirianëve po i shoh plagët e Krishtit».

Nuk ka mundësi t’i ikim pyetjes: pse prifti anglikan nuk e ka frikën e islamizimit të Europës dhe pse ai sirianin e shikon si njeri e jo si terrorist që ka për mision shkatërrimin e civilizimit europian siç mendon kryeministri hungarez Viktor Orbán? Kush po e mbron këtu krishterimin dhe Europën? Orbáni apo prifti? Këtu, prifti është ekzemplari i Europianit të vërtetë.

Shembulli i priftit anglikan vërteton faktin se para-Europiani Viktor Orbáni është problemi i Europës. Europa e relacionit Vjenë-Londër është ndërtuar ndër shekuj duke i luftuar idetë e Orbánit. Natyrisht që nga Londra deri në Vjenë ka edhe të atillë që nuk i duan refugjatët, por ata janë në bisht të shoqërisë e jo në krye të saj siç është Orbáni.

Shembulli i Viktor Orbánit ka edhe një dimension tjetër, i cili reflektohet te shqiptarët. Kriza e Sirisë ka nxjerrë në pah se një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve e shohin Europën nëpërmes fytyrës, shembullit dhe mentalitetit të Orbánit. Ata e shohin Europën, para se gjithash, nëpërmes prizmit të religjionit. Fenomeni Orbán i ka kompleksuar deri në frustrim një masë të konsiderueshme të shqiptarëve myslimanë dhe i ka trimëruar pa kufi disa shqiptarë katolikë për të vazhduar në ndërtimin e ndjenjave të tyre raciste dhe kundër Lindjes, të cilat në esencë janë antiislamike. Këta njerëz (shqiptarë), që mund të quhen orbánistë, kanë shprehur qëndrimet e tyre në media sociale, por edhe në ato kryesore shqiptare duke mos e dalluar myslimanin e zakonshëm nga pjesëtari i çmendur i ISIS-it. Pra, të gjithë myslimanët trajtohen njësoj, kurse kriza e refugjatëve sirianë shpjegohet me vokabularin e Orbánit. Kjo mënyrë e gabuar e vlerësimit flet për tendencën e këtyre shqiptarëve orbánistë për të hyrë në para-Europë – jo në Europë.

Mënyre orbániste e vlerësimit të popujve të «tjerë» ka origjinë të vjetër. Pamja e «tjetrit» është e ndërtuar mbi imagjinatën e dëshiruar e jo mbi realitetin. Në fillim të shekullit XIX Europa e ka shikuar Ballkanin në këtë mënyrë siç e shikojnë sot orbánistat Lindjen. Atëherë banori i Ballkanit është paraqitur si një njeri i shëmtuar, i pakulturuar, primitiv, shkatërrues, vrasës etj. Në të njëjtën mënyrë sot, pas më shumë se dy shekujve, orbánistat e shikojnë Lindorin (zakonisht turkun dhe arabin), i cili në fakt është myslimani. Një gjë e këtillë vjen si rezultat i ndarjes që sot imponohet në mes Lindjes dhe Perëndimit dhe e cila është e vjetër në origjinë. Ndarja, siç do ta shohim më poshtë, ka qenë e ndërtuar mbi baza fiktive dhe të rrejshme dhe si rrjedhim ka krijuar kundërthënie, të cilat shpesh kanë përfunduar me luftëra të përgjakshme.
(Vijon)