Ku në dreq shkojnë paratë që ia paguani shtetit të Kosovës?

Ministri i Diasporës Valon Murati paskësh takuar në Paris Ismail Kadarenë. Dhe paskan biseduar të dy për fuqizimin e faktorit shqiptar në Ballkan! Edhe me këso vizitash në Francë digjen paratë e buxhetit të Kosovës, vendit më të varfër në Europë. Sa kushtojnë këto vizita anekënd botës nga Bostoni në Australi? Cili është efekti i tyre? Rezultati? A di kush të tregojë? Dhe a ka parlamentarë që pyesin: ku po harxhohen pa nevojë paratë e qytetarëve?



Ku në dreq shkojnë paratë që ia paguani shtetit të Kosovës? Shkojnë e digjen edhe në këso vizitash që ta shpifin: Ministri i Diasporës Valon Murati flet me Kadarenë në Paris për domosdoshmërinë e fuqizimit të faktorit shqiptar në Ballkan. Pastaj Murati i paskësh thënë Kadarëse «sa të lumtur do ishim po ta kishim në Kosovë më 1 dhe 2 gusht gjatë Ditëve të Diasporës».

Me këto aktivitete të shpifura ky ministër Murati s’po dallon nga «Klani Pronto» dhe zhvatës të tjerë të buxhetit të Kosovës. Ismail Kadare është shkrimtar, madje në moshë të shtyrë. Nuk ka asnjë mandat politik askund dhe ndikimi i tij në politikë është baras me zero. Ai ka refuzuar të jetë pjesë e politikës së Tiranës edhe atëherë kur i përmendej emri si president i mundshëm. Fundja, çka kërkon një shkrimtar i mirë në politikë? Por, edhe më e rëndësishme është kjo pyetje: përse një ministër i Kosovës e shet përmes Facebookut një takim me Kadarenë si aktivitet të madh zyrtar apo patriotik?

Këto ditë Ismail Kadare pritet të vijë në Kosovë për të marrë një çmim. Qyteti i Ferizajit i ka ndarë një çmim. Bisedën me Kadarenë me-nder-me-thënë-ministri Murati do të mund të zhvillonte edhe në ndonjë kafehane të Prishtinës. Kafet në kryeqytetin e Kosovës janë shumë të mira dhe të lira, ndoshta më të lirat në Europë. Ato do të kushtonin 2 euro. Edhe nëse ministri do të vendoste ta ëmbëlsonte ndejën me Kadarenë me ndonjë tortë, prapë shpenzimet nuk do të kalonin 5 euro.

Sa ka kushtuar vizita e tij në Paris? Por ndoshta ministër Murati ka shkuar në Francë për punë shumë më të mëdha. Pafytyrësia e politikanëve të Kosovës vërtet nuk ka fund. Jemi vendi më i varfër në Europë me ministra e zyrtarë të lartë shteti që shëtisin botën duke bërë vizitat që nuk sjellin asnjë rezultat. Me rëndësi: «hëngrëm mirë», «fjetëm në një hotel të mirë», «e gjetëm një restorant të një shqiptari». E këso broçkullash.

A ka komision parlamentar që kërkon shpjegim për të gjitha vizitat që ka bërë ministri Murati në diasporë dhe a ka parlamentarë që shqyrtojnë hollësisht dobinë e këtyre vizitave? Vërtet, ministri i Diasporës duhet të bëjë edhe ndonjë vizitë në botën e jashtme, por shikojeni pak listën e vizitave të këtij ministri, shikoni aktivitetet që ndjek në diasporë, qytetet që viziton. Janë kryesisht aktivitete që do të zhvilloheshin pa asnjë problem edhe pa të. Nuk kërkohet prania e tij në ndarje mirënjohjesh në Zürich, në hapje ekspozitash të dorës së tretë, në prezantime librash të poetëve të diasporës, shumica prej tyre raste sociale që frustrimin e tyre e derdhin në vargje të qullura patriotike.

Përse duhet ministri i Diasporës të vizitojë shkollën shqipe në Bronx, kur ndonjë punë eventuale aty mund ta kryejë personeli i Konsullatës së Kosovës në New York? Kot nuk është hapur ajo Konsullatë. Përse duhet të vizitojë Bostonin? Përse duhet të takohet me «bashkëatdhetarët në Kopër të Sllovenisë»? Apo të vizitojë Australinë? Edhe atje Kosova ka Ambasadë dhe një ambasador që do të kryente çdo punë që duhet kryer sa i përket diasporës pa qenë e nevojshme prania e ministrit Murati.

Paramendojeni sa kanë kushtuar gjithë këto vizita. E cili është efekti i tyre? Rezultati? A di kush të tregojë? Për pak harruam: ministri i paskësh vizituar edhe arbëreshët e Zarës. – Sebepi i udhëtimit të ministrit në Francë kësaj radhe qenkan edhe takimet me bashkëatdhetarë dhe me një vajzë që po kënduaka në një grup muzikor, i cili qenkësh nën patronazhin e UNICEF-it. A është kjo punë e ministrit? Në një vend normal jo. Madje as e ambasadorit. Këtë punë e kryen një zyrtar i thjeshtë i ambasadës. Por, kur papërgjegjësia kalon çdo kufi, marrja fundoset dhe grykësia s’ka fund. Andaj grahni!