Ku më gjete?




Ku më gjete tani në fund të shekullit
ylli im i flakëruar

Më shikon e dridhesh
po as keq s’i bëra njeriu
as keq ylli im

Se mori vapë në udhëtimet e mia
e m’u shterr zëri
Se frëngëlluan armët e muzeve
e m’u tret shkëlqimi i syve

Ku më diktove se jam yti
këtu në fund të botës
mbështetur për murnaja të Kinës

Ma paske përgjuar zërin e shpirtit
urave
brigjeve

Më shikon e dridhesh
Të shikoj e dridhem
Të shikoj e zbehem
Në fund të shekullit