«Ku e ka rrënjën kjo e keqe?»

Të gjitha sëmundjet e shoqërive shqiptare në Ballkan e kanë një burim: papërgjegjësinë ndaj të mirës publike, të përbashkët. Si mund të dilet nga ky qorrsokak?

Foto: Shutterstock



I
Në librin e tij «Arratisje nga burgjet e historisë» publicisti Piro Misha përshkruan se si në pranverën e vitit 1998 kishte shoqëruar shkrimtaren e famshme amerikane Susan Sontag gjatë një udhëtimi në Shqipëri. Ata kishin parë Universitetin Bujqësor të Kamzës të shkatërruar, të plaçkitur dhe të pushtuar nga «malësorët e ardhur nga veriu i vendit», pastaj kishin vazhduar rrugën për në Vlorë, ku panë një qytet që ishte bërë «simbol i dramës së errët» pas trazirave të vitit 1997.

II
«Ku e ka rrënjën kjo e keqe?», pyet Branko Merxhani, njëri prej publicistëve më të rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së parë te shekullit XX. Duket se me të njëjtën pyetje ballafaqohej edhe Susan Sontag në vitin 1998, ndërsa po kthehej nga Vlora në Durrës, ku ishte ndalur për kafe. «Përse po mendon?», e kishte pytur Misha. Sontag: «Po mendohem sesi ka për të qenë ky vend pas njëzet vjetësh!» «Si mendon se do të jetë?», ishte pyetja e radhës e publicistit shqiptar. «Mendoj se do ta ketë të vështirë të ndryshojë».

III
Çfarë i kishte bërë më shumë përshtypje intelektuales së njohur Susan Sontag në Shqipëri? Plehrat, plehrat që i shihte kudo, plehrat në rrugë, plehrat që hidheshin nga dritarja, plehrat që një grua në Kavajë i hidhte në trotuar. Pastaj Sontag tregonte se gjatë luftës në Sarajevë, gjatë rrethimit të këtij qyteti nga agresorët serbë, qytetarët gjatë pauzave të bombardimeve dilnin nga shtëpitë për të pastruar rrugët. «Kur shoh plehrat kam frikë se ky vend (Shqipëria) do ta ketë të vështirë të ndryshojë!»

IV
Sa kanë ndryshuar Shqipëria dhe Kosova që nga viti 1998? Në vija të përgjithshme ndryshimet janë pozitive: lufta e Kosovës ka përfunduar me lirinë e saj, që kulmoi me pavarësi shtetërore më 2008. Shqipëria është këndellur, ka hyrë në NATO, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Janë realizuar disa projekte të infrastrukturës që lidhin më mirë të dy vendet. Do të mund të numëroheshin edhe shumë zhvillime të tjera pozitive. Megjithatë, në këto suksese roli i botës perëndimore shpeshherë është dukshëm më i madh se i vetë shqiptarëve. Sepse shqiptarët as 20 vjet pas pyetjeve të frikshme të Susan Sontag nuk janë larguar nga mentaliteti i bashkëjetesës me plehun. Të gjitha sëmundjet e shoqërive shqiptare në Ballkan e kanë një burim: papërgjegjësinë ndaj të mirës publike, të mirës së përbashkët. Hedhja e plehut (bërllokut, siç i thonë në Kosovë) në hapësirën publike simbolizon raportin e shqiptarit ndaj shtetit: çdo gjë që gjendet përtej pragut tim, s’më takon mua, është e shtetit, shteti është armiku, kundërshtari, dashakeqësi.

V
Vërtet shtetet që kanë sunduar shqiptarët kanë qenë kryesisht armiqësore, nuk na ka sunduar Britania e Madhe, e cila do të linte pas së paku një administratë funksionale, një gjuhë botërore dhe për argëtim lojën e kriketit. Por, për marrëzitë e tyre shqiptarët nuk mund të fajësojnë vetëm «pushtuesit e egër», të cilët e paskëshin penguar zhvillimin e hovshëm të kombit me origjinë ilire. Për çdo komb vjen dita kur duhet të marrë përgjegjësi për punët e veta, për të ardhmen e vet. Sa kanë marrë përgjegjësi shqiptarët për punët e tyre? Frikshëm pak. «Elitat» politike sillen në një rreth vicioz mes ideve të mprapshta «për t’ia hedhur Europës» dhe fokusimit jo në qeverisje, por në shndërrimin e qeverisjes në instrument të plaçkitjes së buxhetit, resurseve, pasurisë publike, të përbashkët. Kjo është papërgjegjësi e institucionalizuar.

VI
Dhe ja ku jemi. Me një ish-ministër të Brendshëm të Shqipërisë që dyshohet për lidhje të ngushta me trafikantë të drogës. Çfarë po raportojnë mediat italiane nuk është ndonjë risi, është konfirmim i asaj që kanë raportuar edhe mediat shqiptare, çfarë kanë thënë diplomatët në kushte anonimiteti, çfarë kanë denoncuar rivalët politikë, të cilët shpesh, fatkeqësisht, janë xhelozë që s’janë vetë në pushtet për të përfituar nga krimi e korrupsioni. Çfarë shohim në Kosovë është një turmë politikanësh që pasi s’kanë lënë gjë të zezë pa i bërë vendit, nisin e mallkojnë Europën me atë retorikën e stërvjetëruar dhe aspak të besueshme: «Europa plakë, kurvë, mashtruese, proserbe…».

VII
«Ku e ka rrënjën kjo e keqe?» Te përtacia jonë e përgjithshme, te apatia, te mbyllja ndaj qytetërimit, te mosekzistimi i konceptit të së mirës publike, te besimi në politikën e bërrylave dhe jo të trurit dhe përgjegjësisë. Te besimi fatal se jemi nafakëkëputur dhe të mallkuar të qeverisemi nga politikanët që askund në botë nuk merren seriozisht, sepse në çdo takim ata nuk shikohen vetëm si përfaqësues të një shteti, por edhe si përfaqësues të krimit të organizuar. Paramendojeni njëherë ministrin socialist të Punëve të Brendshme, i cili shkon dhe takon kolegun e tij italian dhe flet me të për luftimin e kontrabandës me drogës, ndërkohë që aparatet e përgjimit të policisë italiane punojnë pandërprerë. Ose: t’i paramendojmë sundimtarët e Kosovës, të cilët në çdo takim me ndërkombëtarë kanë një dert: si të marrin vesh nëse janë në listën e ngritjes së aktakuzave. Kjo «klasë politike» është prodhim edhe i kësaj shoqërie, jo vetëm i rrethanave lokale dhe ndërkombëtare. Për të ndryshuar pozitivisht shoqërive shqiptare në Ballkan u duhet një kthesë mendore, morale dhe kulturore. Kjo kthesë nuk arrihet pa u përshëndetur me partitë klienteliste, të cilat demokracinë e keqpërdorin vetëm për të ardhur në pushtet. Duke i thënë lamtumirë politikanëve që shurdhojnë opinionin me retorikë boshe, hapet një shteg drejt ardhmërisë. Që ky shteg të bëhet rrugë – për këtë duhet të zgjohet tërë shoqëria nga apatia.