KTV-ja feston me koncert profesionalizmin dhe pavarësinë [foto]

Tingujt e këngës «We are the champions», të rok-grupit britanik «Queen», kanë qenë ata me të cilët ishte festuar nisja e transmetimit të sinjalit të Kohavisionit, 15 vjet më parë.




Për një dekadë e gjysmë KTV-ja ka arritur t’i përgjigjet titullit të kësaj kënge nëpërmjet misionit që ka si televizion. Pikërisht me këtë melodi të interpretuar nga anëtarët e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, KTV-ja ka nisur edhe gala koncertin e 15-vjetorit të punës, shkruan sot «Koha Ditore».

Pjesa e veprës së shkruar më 1977 ka qenë intro e festës së televizionit që e ka kaluar gjysmën e dekadës së dytë të punës, duke u cilësuar si shembull për pavarësinë editoriale dhe për frymën që përçon tek shikuesit. Në skenën ku pos instrumentistëve e këngëtarëve mozaikun e ka plotësuar edhe prapavija me insertet e edicioneve të lajmeve e rrëfimet e punonjësve të KTV-së, janë ngjitur emrat më të spikatur të muzikës së zhanreve të ndryshme.

Prezantuesja Edona Zogu e producenti i programit në KTV, Dardan Selimaj, kanë qenë moderatorë të «Ecim bashkë: 15 vjet Kohavision», i vlerësuar për cilësinë dhe fort i qëlluar për shënimin edhe të një përvjetori të televizionit në punën e të cilit prej themelimit ka ndryshuar shumëçka. Por mesazhi se gjërat mund të jenë më mirë, ka mbetur i pandryshuar. Koncerti do të transmetohet sonte (e martë) në orën 21:15.

Medium që dikton ritmin e tregut televiziv

Këngëtari Drilon Shala, i prezantuar si zëri i cili ka mahnitur juri në shou-talente, ka hapur koncertin me

«Crazy little thing called love». Kantautori Shpat Deda me «Shkëndijë» i ka kënduar të tashmes, realitetit i cili mund të ndryshohet, por «pa u zgju, kurrë dielli s’ka me dalë». Bllokun e parë të koncertit të së enjtes mbrëma e kanë përmbyllur Frida dhe Klarisa Toçi, që kanë sjellë versionin e tyre të «Historia de un amor». Atmosfera dhe zhanri janë ndërruar, kur në skenë është ngjitur sopranoja Zana Abazi, e cila ka interpretuar arien e Xhulietës nga opera «Romeo dhe Xhulieta». Kantautori Dren Abazi ka kënduar këngën «Mbreti i natës», pas së cilit kitaristi Agron Peni i ka dhënë tjetër ngjyrë me ritme flamengo. Të pranishmit e shumtë në hotelin «Emerald» e kanë cilësuar koncertin si një ngjarje madhështore ashtu sikurse edhe punën e KTV-së.

Pianistja Besa Luzha ka thënë se 90 minuta kanë kaluar sikur gjysmë ore.

«KTV-ja po tregon që di t’i vlerësojë kualitetin e vlerën artistike. Këngët kanë qenë shumë të zgjedhura dhe interpretuesit po ashtu. Kur ua lë punën profesionistëve, nuk ke nevojë të mërzitësh», ka thënë Luzha. Sipas saj, pjesa vizuale gjatë koncertit ka qenë tejet në nivel. Sa i përket KTV-së, ka thënë se bëhet fjalë për televizionin që u përgjigjet kërkesave për lajme, programe artistike, debate e risi.

«KTV-ja është programi që rri hapur gjatë gjithë ditës në shtëpinë tonë. Pra, është pjesë e jetës sime. E them këtë me shumë sinqeritet», ka thënë Luzha. Mbrëmja e gjatë koncertale ka sjellë para të pranishmëve Kidën me këngën “Rikthejmë na”, për të vazhduar me Egzona Ademin, me këngën «Me kon je ti» e hip – hop artistin, Bim Bimma, me këngën e tij «Mos e dh… punën». Nga mesi i programit artistik, drejtoresha menaxhuese e Grupit KOHA, Flaka Surroi, u është drejtuar të pranishmëve. Kur e mori nën menaxhim KTV-në, më shumë se një dekadë më parë, ka kujtuar se njohuria e vetme e saj për televizionin ishte aparati i pranimit të sinjalit, televizori. Ka thënë se këtë njohuri e ka ndarë me shumicën e atyre që sot e përbëjnë ekipin e KTV-së.

«Nga ajo kohë deri më tash shumëçka ka ndryshuar me ne të gjithëve. Ajo që nuk ka ndryshuar nga fillimi është fryma se si punon Kohavisioni. Plot shpirt, plot rini, plot ethe. Dita për mua në KTV nis tek recepsioni», ka kujtuar Surroi. Ajo e ka përshkruar në imtësi një ditë të zakonshme në KTV. Ka thënë se sinjali i Kohavisionit nuk ndalet dhe nuk do të ndalet, sepse punonjësit e këtij televizioni nuk do të ndalen.

«Normalisht në këtë ditëlindje kremtojmë pavarësinë, objektivitetin, kreativitetin, talentin dhe profesionalizmin e një institucioni që prej kohësh është bërë medium që e dikton ritmin e tregut televiziv në Kosovë dhe kudo që flitet shqipja», ka thënë Surroi. Sipas saj, shtegtimi 15-vjeçar i KTV-së nuk ka qenë fare i lehtë, sepse ka numëruar shumë sakrifica, shumë ditë e net pune, shumë nervozë, shumë tension, disiplinë, e mbi të gjitha, një vetëdije të ngritur për peshën që e ka, si dhe për obligimin që ka ndaj publikut për të cilin fundja, siç ka thënë Surroi, edhe ekziston KTV-ja.

«Shtegtimi ka qenë gjithashtu i rëndë për shkak të problemit të pazgjidhur të hapësirës, por, gjithashtu, për shkak të kushteve shoqërore e politike në Kosovë, ku trysnia është metoda më e preferuar e heshtjes së fjalës së lirë. Por fakti se përherë kemi qenë halë në sy për ata të cilët ua kemi zbuluar imazhin e vërtetë, bën që KTV-ja të jetë më ndryshe», ka thënë Surroi. Por nuk ka vend për vetëkënaqësi, «sepse askush nuk është i përkryer pasi bëhet fjalë për njerëz». Ka thënë se është njerëzorja e gjithë ekipit që e bën të mundur funksionimin e KTV-së. «Është edhe ajo që ia jep frymën televizionit. E bën atë që të rrezatojë një energji pozitive, të përçojë mesazh që gjërat mund të jenë më mirë, se gjithçka është e mundur vetëm nëse ka vullnet e punë», ka thënë Surroi. Në fund të fjalës së saj Surroi ka ftuar në skenë ish-drejtorin e KTV-së, Lekë Zherka, të cilit në emër të Kohavisionit ia ka dhuruar një orë. E Zherka, i mbërthyer nga emocionet, ka bërë vetëm një falënderim. Pas koncertit Zherka ka thënë se të punosh 10 vjet në televizion s’është punë e lehtë, sepse ka shumë përgjegjësi.

«Gjithmonë e kontrolloj KTV-në, edhe pse nuk jam duke punuar më aty. E përcjell rriten e KTV-së. Çdo sukses të KTV-së e konsideroj sikur timin. Aty kam punuar 10 vjet me të gjitha të mirat dhe vështirësitë që t’i sjellë mediumi», ka thënë Zherka. Pavarësisht që tash nuk është pjesë e Kohavisionit, Zherka ka thënë se gjithmonë e ndien veten si pjesë të stafit të këtij televizioni.

«KTV-ja e ka ruajtur mirë pavarësinë editoriale. KTV-ja është kujdesur shumë që ta ketë këtë pavarësi. Kur e di se kush është në krye të Grupit KOHA, e di që pavarësia editoriale është në duar të sigurta», ka thënë ai.

«KTV-ja ka lënë gjurmë në histori»

Në koncert, nëpërmjet ekranit, flaka ka kapardisur gjithçka. E në skenë është ngjitur Flaka Krelani me këngën «Zjam», për t’i lënë vend interpretimit të këngës «Il mare calmo» nga Denik Prizreni. Në versionin e saj origjinal, kënga popullore «Djalin ju moj vasha» e ka interpretuar Edona Reshitaj, për t’i hapur rrugë interpretimit të këngës «Un’ biri yt Kosovë», nga sopranoja e shquar që ka shkelur në shumë skena botërore, Besa Llugiqi. Ajo ka thënë se në përgjithësi atmosfera e mbrëmjes ishte shumë e mirë.

«Kombinimi ishte i mirë dhe secila pikë ka ngjallur eufori. Sidomos më ka pëlqyer fjalimi i Flakës, që i ka cekur në pika të shkurtra të gjitha momentet e punës. Kulmi ka qenë pas fjalimit të Flakës», ka thënë Llugiqi. Ka treguar se kur e hap televizorin një ndër kanalet e para që ndalet është KTV-ja. Ka veçuar emisionet «Express» e «Flladi».

«Kur dikush flet për televizion, gjithmonë e marr shembull. Mendoj që është njëri nga televizionet më të mira që kemi», ka thënë Llugiqi.

Regjisori Florent Mehmeti ka thënë se koncerti ishte përtej pritjeve të tij.

«Ishte i menduar dhe i konceptuar me shumë shije dhe i shkonte shumë një përvjetori. Ishte një atmosferë shumë e mirë për të shënuar këtë festë», ka thënë Mehmeti. Ka treguar se kaherë është i lidhur me KTV-në nëpërmjet serialit «Tre gjermanët e trashë». Por, duke i lënë anash këto, ka vlerësuar se Kohavisioni është një televizion që ka qasje paksa më ndryshe dhe me forcat që ka mundohet të sjellë një program më interesant.

«Në aspektin e lajmeve është më kritik, neutral dhe më i guximshëm», ka thënë Mehmeti, që është kryetar i Forumit Kulturor që numëron mbi 50 organizata kulturore si anëtare.

Producentja Linda Shala e ka përshkruar koncertin si diçka të jashtëzakonshme.

«Nuk e kam pritur që do të ketë koncert. Ishte befasi. Fakti që ka qenë muzika e gjallë ishte shumë mirë. Pikat ishin të përzgjedhura mirë dhe secili artist ishte më në nivel se tjetri», ka thënë Shala. KTV-në e ka cilësuar si kanalin e saj të preferuar bashkë me energjinë që sjell si televizion.

«Për këta 15 vjet mendoj që Kohavisioni është mediumi më i besueshëm në Kosovë», ka thënë Shala. Pas mbrëmjes 90-minutëshe, kantautori Dren Abazi ka thënë se për të është kënaqësi të jetë pjesë e organizimeve të Kohavisionit, medium që gjithmonë i ka përkrahur artistët.

«Jam shumë i lumtur që ka mbërri të rritet dhe po vazhdon sigurt drejt të ardhmes duke u bërë një televizion shumë serioz. Koncerti ka qenë shumë i mirë. Orkestra ishte në nivelin më të mirë dhe artistët iu kanë përshtatur shijes sime», ka thënë Abazi për orkestrën. Edon Ramadani, Visar Kuçi, Valton Beqiri kanë qenë treshja që kanë bërë orkestrimet.

E emocionuar është ndier edhe artistja Edona Rashitaj. Ka thënë se koncerti ishte i veçantë.

«Sikur të ishte vetëm një zhanër, nuk do të ishte kështu. Kam shumë mendim pozitiv për KTV-në», ka thënë ajo, në mbrëmjen ku është promovuar edhe monografia e pesë vjetëve të fundit të KTV-së, ku shpalosen përvojat e stafit të televizionit numër një në vend. Mbrëmja ka kulmuar me këngën «I was here», interpretuar nga Rina Bilurdagu. Në sfond është transmetuar një realizim me portretet e punonjësve të KTV-së.

«Kohavisioni ka lënë gjurmë në histori dhe një ditë do të themi me krenari ‘You were here’», ka thënë Besa Luzha.