Kthimi i një avioni në shtëpinë e tij gjermane – pas 40 vitesh

Më 13 tetor 1977 katër terroristë palestinezë kidnapuan avionin Boeing 737 të kompanisë gjermane Lufthansa. Tani ky avion është kthyer në Gjermani - në muze, sepse është pjesë e historisë së vendit.

Avioni Landshut në aeroportin e Mogadishut të Somalisë në vitin 1977.



Landshut është emër i një qyteti në Gjermani. Landshut quhet edhe avioni më i famshëm i kompanisë ajrore gjermane Lufthansa dhe i tërë Gjermanisë, i cili u kidnapua në vitin 1977 nga katër militantë palestinezë. Qëllimi i tyre ishte – së pari – që me këtë akt të ndërkombëtarizojnë çështjen palestineze dhe – së dyti – të detyrojnë qeverinë gjermane t’i lirojë nga burgu i famshëm Stammheim afër Stuttgartit disa të burgosur, të cilët ishin anëtarë të Fraksionit Armata e Kuqe (Rote Armee Fraktion – RAF). Kjo organizatë terroriste gjermane kishte shpallur si qëllim luftimin e kapitalizmit në Gjermani dhe përkrahjen e lëvizjeve çlirimtare majtiste në botë.

Terroristët kishin arritur të fusin në avion dy revole, katër granata dore dhe rreth 500 gramë eksploziv – të gjitha këto të fshehura në valixhe kozmetike dhe në një radio. Avioni Landshut ishte nisur nga Palma de Mallorca në drejtim të Frankfurtit dhe u kidnapua mbi territorin e Francës – prej nga vazhdoi udhëtimin për në Romë, Larnaka (Qipro), Dubai, Aden të Jemenit (ku terroristët vranë kapitenin e avionit) dhe përfundoi në Mogadishu të Somalisë. Nga Jemeni në Mogadishu avioni ishte drejtuar vetëm nga ko-piloti Jürgen Vietor.

Më 18 tetor 1977 njësia antiterroriste gjermane GSG9 ndërmori një aksion spektakular, duke u futur në avion, me ç’rast vrau tre terroristë dhe çliroi të gjitha pengjet. Disa orë pasi avionin e morën nën kontroll forcat policore gjermane, në burgun e Stammheimit bënë vetëvrasje Andreas Baader, Gudrun Ensslin dhe Jan-Carl Raspe, tri figura të njohura të Fraksionit Armata e Kuqe. Pastaj shokët e tyre vranë shefin e shoqatës së punëdhënësve gjermanë, Hanns Martin Schleyer, i cili ishte kidnapuar më parë.

Kidnapimi i avionit Landshut, vetëvrasja e terroristëve majtistë në burg dhe vrasja e shefit të shoqatës së punëdhënësve gjermanë shënuan kulmin e asaj që quhet «Vjeshta gjermane». Kancelari i atëhershëm Helmut Schmidt nuk kishte pranuar me asnjë kusht që shteti të shantazhohet dhe t’i lirojë terroristët nga burgu.

40 vjet kanë kaluar nga ky episod i përgjakshëm i historisë gjermane. Këto ditë, në prag të përvjetorit të kidnapimit, në Gjermani është sjellë avioni Landshut. Pas kidnapimit në vitin 1977 avioni kishte fluturuar për Lufthansan dhe për kompani të tjera, pastaj ishte shfrytëzuar si fluturake për bartje të mallrave. Në fund avioni përfundoi në një «varrezë avionësh» në Fortaleza të Brazilit. Meqë ky avion ka rëndësi të madhe si simbol i historisë më të re gjermane, qeveria vendosi ta sjellë në Gjermani. Një avion rus Antonow, një gjigant, e futi në barkun e tij avionin Landshut dhe e solli në Gjermani. Në mesin e kureshtarëve që e pritën avionin ishte edhe Jürgen Vietor, ko-piloti që e kishte drejtuar atë gjatë orëve dramatike të kidnapimit. Në të ardhmen avioni më i famshëm i Republikës Federale të Gjermanisë do të jetë në një muze në Friedrichshafen buzë Liqenit të Konstancës. (dp)