Kthimi i këngëtarit

Foto: Shutterstock



Në vig po prehet këngëtari.
E zbehta buzë më s’këndon
Dhe një kurorë gjethesh lari
Ia stolis ballin që s’krijon.

Dhe pranë ka, fort bukur shkruar,
Të fundmet këngë që këndoi.
Të heshtur lirën mban në duar,
Atë që dje aq mirë kumboi.

Kështu po fle të thellin gjumë,
Por këng ’e tij jehon kudo,
Veçse tani shpesh flitet shumë
Sikur po humb freskin’ ajo.

Plot vite rrodhën si përherë,
Rreth varrit rriten plot selvi;
Shumkush që thell’ e pati ndjerë
Vdekjen e tij, më s’rron tani.

Por siç rivjen pranverë e artë
Me plot fuqi e gjallëri,
Ashtu, mes nesh, m’i ri, m’i qartë,
Vjen këngëtari përsëri.

Ai me jetën u njësua,
As hije s’vjen nga varr’ i zi!
Nga bota i vdekur u kujtua,
Por bota rron te këngë e tij.