Kthimi i gjeopolitikës në Ballkan

Zgjedhja e Donald Trumpit si president amerikan do të ketë pasoja për rendin politik global.

Pamje nga protestat antiqeveritare në Shkup më 2015. Foto: Predrag Vasilevski / Shutterstock



Për këtë ka konsensus në mesin e shumicës së vëzhguesve. Si do të ndikojë kjo në në regjione të veçanta të botës, mbetet e paqartë. Në raport me Ballkanin janë me rëndësi dy momente nga «programi» i politikës së jashtme të Trumpit: Izolacionizmi i shpallur, që domethnë një përmbajtje e përgjithshme në çështje ndërkombëtare dhe ambicia e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën përmes një «miqësie burrash» me Vladimir Putinin.

Nëse Trup i zbaton paralajmërimet e tij, kjo vetëm se do ta vazhdonte një trend të filluar nga presidenti Obama në Evropën juglindore. «SHBA-të janë tërhequr tanimë prej një kohe nga ai aktori që kujdeset për sigurinë», tha ministri i jashtëm maqedonas Nikolla Popovski para pak kohe në një intervistë me gazetën austrike «Der Standard». Ndërkohë që mu Maqedonia paraqet shembullin më paradigmatik për atë që prej një kohe po vërehet në Ballkan, «Great Game». Atje Washingtoni, sipas të dhënëve të «Le Monde Diplomatique» të qershorit të 2016-tës, ka ambasadën më të madhe në rajonin e Ballkanit. Maqedonia e vogël me më pak se dy milionë banorë është bërë një si «kullë vrojtimi e Ballkanit», sikurse u bë e qartë gjatë krizës së refugjatëve të vitit 2015. Kur i mbylli kufinjtë Shkupi, u mbyll Itinerari i Ballkanit dhe të gjithë, duke përfshirë edhe Gjermaninë, ishin shumë mirënjohës për këtë dhe vijuan me mbylljen e kufinjve.

Por, përtej çështjes së refugjatëve, në Maqedoni shihen konturet e një konflikti, i cli shumë shpejt mund të eskalojë në pjesën tjetër të rajonit. Zgjedhjet e sapombajtura kanë prodhuat një pat ndërmjet partisë qeverisëse nacional-konservative VMRO dhe opozitës socoal-demokrate. Në dhjetë vjetët e fundit, nën qeverisjen e kryeministrit Nikolla Gruevski u etablua «një sistem i ngjashëm me atë të gangsterëve për redistribuimin e parave publike» («Le Monde Diplomatique»), i cili për nga politika e jashtme u orientua gjithnjë e më shumë nga Rusia.

Protesta publike që po vazhdon që nga pranvera e 2015-tës kundër Gruevskit në sytë e Moskës ishte orkestruar nga Perëndimi – ngjashëm me «Revolucionin e larmë» në Gjeorgji dhe Ukrainë. Në sfond të kësaj qëndron jo vetëm në sytë e Rusisë ambicia e përkrahur nga Perëndimi (dhe Turqia) për një Shqipëri të Madhe, e cila do të përfshinte jo vetëm Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe pjesën perëndimore të Maqedonisë të banuar me shqiptarë. Si indikacion për këtë nga shumëkush merret një përleshje e përgjakur më maj të 2015-tës ndërmjet separatistëve shqiptarë dhe forcave maqedonase të sigurisë. Kjo tezë nuk është për ta injoruar krejtësisht: Edhe në vitin 2001 u kërcënua rreziku i një lufte qytetare, e cila u pamundësua pëmes intervenimit evropian.

«Çështja shqiptare» nuk është problemi i vetëm i pazgjidhur në Ballkan, që zien. Eksziston edhe «çështja serbe», e cila së fundmi manifestohet në «Republika Sërbskën» boshnjake. Atje një referendum i presidentit Milorad Dodik për një festë të kontestuar kombëtare u bë shkak për debate të ashpra për gjoja separatizmin serb.

Në sfond veprojnë përsëri të njëjtët aktorë të «Great Game»: Në anën e serbëve qëndron Rusia, flamuri i së cilës tundet në festat kombëtare, përderisa SHBA-të deri më tani e kanë përkrahur qeverinë qendrore boshnjake në Sarajevë, e cila e refuzon kategorikisht çdo mendim për shkëputje. Edhe Turqia shfaqet përsëri – jo vetëm në sfond – si aktor, sikurse dëshmon shfaqja e flamurit turk në manifestime të plës boshnjake. Ankaraja e sheh veten si fuqi mbrojtëse e myslimanëve në Ballkan dhe pas dështimit të zhurmshëm të politikës së jashtme «neo-osmane» të presidentit Erdogan në Azinë qëndrore dhe në Lindjen e Afërt, ai tani përqëndrohet në Ballkan, ku është një mysafir i shpeshtë.

Dhe, ku mbetet në këtë lojë Unioni Evropian? Ai si duket e luan pjesën që spikat më së paku të «Great Game» në Ballkan, edhe pse dy vende anëtare, Rumania dhe Bullgaria, dhe disa vende kandidate shtrihen aty dhe Bosnja sikurse Kosova gjinden gjoja nën vëzhgim evropian. E gjithë kjo nuk ka pamundësuar që Bullgaria të orientohet më fort nga Rusia (që së fundmi është sforcuar me zgjedhjen e një presidenti prorus), në Serbi pavarësisht gjithë retorikës pro-evropiane po rritet ndikimi rus, në Rumani vazhdon të lulëzojë korrupsioni dhe në Kosovë e Mal të Zi, sikurse edhe në Maqedoni janë etabluar regjime «të ngjashme me ato të gangsterëve».

Ky është një bilanc modest, të cilin vëzhgues në Berlin dhe Bruksel e shpjegojnë me faktin se UE-ja kështu është e zënë me vetveten – dhe kriza të tjera në fqinjësi, se ajo në Ballkan është e interesuar vetëm për një gjë: stabilitetin. Por, ky stabilitet (fiktiv) ka çmimin e vet, jo vetëm në trajtë të shumave miliardhëshe vjetore, një pjesë e madhe e të cilave ngel në kanale të padukshme, por edhe në një demokratizim të pamjaftueshëm dhe një zhvillim të munguar ekonomik. Kjo, ndër të tjera, ka çuar deri aty që në valën e refugjatëve të vitit 2015 kosovarët dhe shqiptarët pas sirianëve përbënin kontingjentet më të mëdha të tyre.

Dr. Winfried Veit është politolog dhe docent për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Freiburgut. Artikulli është botuar fillimisht në ipg-journal. (euractiv.de) ks

© për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet rreptësishtë botimi i këtij teksti nga mediat tjera.